Ekspertët: Nevojiten metoda të reja për menaxhimin e borxhit
2023-01-26 12:55:32

Në kohën e  rritjes së normave të  yield-eve, ekspertët e ekonomisë sugjerojnë përdorimin e instrumenteve të reja. Në një intervistë për “Monitor”, Artan Gjergji, analist i tregjeve financiare, thotë se instrumente të tilla mund të jenë obligacionet e thirrshme ose ato me norma të ndryshueshme interesi. Si fillim Gjergji shpjegon termin për yeldin.

“Që në fillim të herës le të shpjegojmë termin edhe për publikun. Yield do të thotë norma e kthimit që pret investitori nga ekspozimi  i një instrumenti të caktuar. Pra në një farë mënyrë është përkthimi i pritshmërive që kanë qytetarët për të marrë një investim të caktuar. Niveli i pritshmërive të qytetarëve është i lidhur me fenomenet ekonomike. 

Eksperti Artan Gjergji  (Foto  AECA)

Eksperti Artan Gjergji  (Foto  AECA)

Padyshim që rritja e normës së interesit bazë nga banka qendrore, por edhe presione inflacioniste të muajve të fundit sidomos të gjysmës së dytë të vitit 2022, ka ndikuar padyshim tek pritshmëritë e qytetarit për një normë kthimi relativisht më të lartë në kushtet kur janë të përballur çdo ditë me rritjen e çmimeve. Kjo ka qenë arsyeja kryesore pse qytetarët kanë kërkuar një normë kthimi relativisht më të lartë dhe kjo ka ndikuar tek rritja e normave të Yield-eve. Një element tjetër i rëndësishëm padyshim ka qenë edhe tërheqja e bankave duke mos parë shumë interes tek ekspozimin e instrumentave të qeverisë me interesa shumë të ulëta, sepse ishin shumë të ulëta, normat e instrumenteve të borxhit të qeverisë të bonot e thesarit dhe obligacionet e thesarit. Kishim një farë stepje apo anashkalimi që i bënin këtij instrumenti investimi.”- tha  Gjergji.

Borxhi (Foto Gazeta Telegraf)

Borxhi (Foto Gazeta Telegraf)

Parashikimet e ekspertëve flasin për një normalizim në vijim të normave të interesit  për shkak të pritshmërive të kurbës së inflacionit.

“Pritshmëritë janë që do shkohet drejt një situate normalizimi të normave të interesit dhe kjo për disa arsye, kryesisht për shkak të normalizimit të goditjeve të inflacionit. Normalizimi i goditjeve të inflacionit nuk është vetëm në tregun shqiptar. Mos të harrojmë që për herë të parë inflacioni ra poshtë nivelit 8% në deklaratën e fundit të INSTAT,  që tregon se qoftë politikat monetare shtrënguese të Bankës së Shqipërisë, por edhe inflacioni i importuar nga tregjet e tjera ka një farë rënie të kurbës së inflacionit dhe kjo do pasqyrohet nëpër tregje. Për shkak të pritshmërive që inflacioni do vijojë trajektoren rënëse, ndoshta jo me shpejtësi por do jetë me trajektore rënëse”, u shpreh eksperti

Kjo pritet të reflektohet edhe në Shqipëri.

“ Edhe në Shqipëri do ketë një ndikim jashtë mase pozitiv në drejtim të balancimit pasi kemi një disbalancim shumë të madh mes pritshmërive që kanë qytetarët me normën e kthimit që quhet Yield-i dhe normat e interesit bazë që aplikon banka qendrore, sepse tashmë kemi hyrë në një trajektore konkurrence. Lëvizjet e mëdha të interesit, lëvizën në një masë jo të vogël një pjesë të depozitave në drejtim të investimit të bonove të thesarit. Kjo i detyroi bankat të ndjekin linjën. Pra po të shohim reklamat e fundit të bankave të nivelit të dytë në Shqipëri, kemi një pasqyrim të rritjes së normave të depozitave dhe bankat tashmë janë përfshirë në trajektoren e tregut për t’i mbajtur depozituesit, likuiditetet që janë të lira në treg. Rritja e konkurrencës sjell çmimin në nivelin ku duhet të jetë” tha Gjergji.

Borxhi publik (Foto Monitor)

Borxhi publik (Foto Monitor)

Goditjet e njëpasnjëshme, sipas ekspertit Gjergji kërkojnë që Ministria e Financave të shohë alternativa për skenarë të rinj për të menaxhuar situtën  për menaxhimin e borxhit publik dhe kostot që sjell borxhi publik.

“Unë mendoj që Ministria e Financave ka ardhur koha të dali përtej  skenarëve shabllon me të cilat është mësuar në dy dekada. Ne nuk kemi patur goditje të forta financiare në të cilat do ishte dashur që Ministria e Financave të manovronte. Ky rast ishte shumë i fortë, pasi patëm disa goditje, nuk patëm vetëm Covid dhe luftën në Ukrainë, por edhe tërmetin përtej tregjeve të tjera. Mendoj që ka ardhur koha që Ministria e Financave të fillojë të projektojë instrumenta dhe metoda të reja të menaxhimit të borxhit publik nëpërmjet instrumentave financiare, duke iu drejtuar alternativave të ndryshme. Ka instrumenta të ndryshme që mund të ndihmojnë ta menaxhojë më mirë borxhin publik dhe shërbimin e borxhit, pra koston që sjell borxhi publik. Për shembull, Ministria e Financave duhet të marrë në konsideratë emetimin e obligacioneve. Ka instrumente financiare, të cilat në një moment të caktuar ti i shet me interesat e tregut dhe në varësi të tregut. Në një moment të caktuar pas një apo dy vitesh kur situata kur përmirësohet  ke të drejtën t’i marrësh pas ato obligacione nga investitori, të paguash principalin sepse pas 3 vitesh mund të kesh mundësi që të njëjtin obligacion ta marrë në kushte më të mira.”-thotë eskperti Artan Gjergji.