Studentët e departamentit të shkencave të komunikimit në Universitetin Bedër kanë nisur fushatën “Aty Për ju” në ndihmë të grave kryefamiljare në Shqipëri, e cila ka si qëllim përmirësimin e infrastrukturës ekonomike të këtyre grave, duke i punësuar, trajnuar për një profesion dhe shkolluar fëmijët e tyre. Në një intervistë për Radio Ejani, menaxheri i kësaj fushate Xhesjon Zogu tregon rreth kësaj nisme, problematikat e grave kryefamiljare, kontributin që ata do të japin me këtë fushatë, dhe se si ata synojnë të përmirësojnë gjendjen e tyre ekonomike.
Lancimi i fushates ne ndihme te grave kryefamiljare nga Universiteti Beder (Facebook)
CMG: Jeni menaxher i nismës “Aty për Ju”, një fushatë e nisur nga Universiteti Bedër. Si lindi kjo ide për këtë nismë në ndihmë të grave kryefamiljare?
Xhesjon Zogu: Zgjedhja e kësaj teme në fakt nuk ishte e lehtë. Në momentin që ne nisëm propozimet se çfarë do trajtonim në këtë fushatë, kishim 206 tema të propozuara të cilat ishin të të gjitha llojeve dhe fushave, që trajtonin tema shumë interesante. Më e votuara doli pikërisht kjo fushatë në ndihmë të grave kryefamiljare që janë në kushte të vështira në familje. Pas disa kërkimeve që ne bëmë pamë që nga rreth 6500 gra që ishin në Shqipëri kryefamiljare, pothuajse të gjitha të ardhurat që ato merrnin shkonin për shpenzime që ishin kryesisht për ushqime, energji elektrike, shpenzime për qira banesash dhe gjëra të tjera të kësaj natyre. Ne e pamë shumë të arsyeshme që të fokusohemi pikërisht tek këto familje.
CMG: Kjo fushatë do të zhvillohet vetëm në Tiranë, apo do të zgjerohet në gjithë Shqipërinë?
Xhesjon Zogu: Ne e kemi nisur fillimisht në Tiranë duke pasur parasysh edhe vijueshmërinë e projektit, por jemi të hapur për ta vazhduar më tej. Tani jemi në periudhën ku po konsolidohemi për pjesën e pozicionimit në treg të lidhjes me bizneset, institucionet, familjet që ne do trajtojmë sepse nuk është aq e lehtë. Kemi pasur raste dhe histori nga më të ndryshmet që vijnë nga këto familje dhe jemi munduar që të bëjmë gjënë e duhur dhe në kohën e duhur.
Aktivistja Edlira Cepani gjate aktivitetit ne Universitetin Beder (facebook)
CMG: Deri tani i keni identifikuar këto familje me gra kryefamiljare në nevojë, kontaktet dhe komunikimin me ata?
Xhesjon Zogu: Ne kemi nisur takimet e para me këto familje dhe pasi i identifikuam se cilat ishin familjet nisëm takimet e para në terren për të parë nga afër se si është gjendja e tyre, çfarë kanë nevojë dhe çfarë mund të bëjmë për to. Tani jemi në fazën e mbledhjes së informacionit, dhe paralelisht po vijojmë dhe me pjesën e gjetjeve të bizneseve dhe personave që janë të interesuar të kontribuojnë në këtë nismë.
CMG: Ku konsiston ndihma për këto gra familjare?
Xhesjon Zogu: Në fakt ne e trajtuam gjatë këtë pjesë, pra ishim në pjesën e mëdyshjes që a më mirë një punësim dhe të ardhura të vazhdueshme çdo muaj, apo një shumë e caktuar monetare ose ushqime që do të mbaronin pas një, dy apo tre muajsh. Punësimi ishte një nga çështjet më prioritare që ne e konsideruam të nevojshëm, duke pasur parasysh edhe mungesën e madhe të fuqisë punëtore që së fundi bizneset e kanë shfaqur hapur. Ne pamë që punësimi është zgjidhja më e mirë për to, duke qenë se të ardhurat e vazhdueshme jo vetëm që i integronin ato në shoqëri, por dhe në aspektin ekonomik i transformonin pothuajse totalisht.
CMG: Si e keni bërë identifikimin e bizneseve dhe si e pritën ata këtë nismë të ndërmarrë nga ju?
Xhesjon Zogu: Ne pasi morëm informacion se çfarë donin këto, pra mos të vëmë diçka që ato nuk mund ta bënin dhe për të kërkuar diçka që këto gra të ishin më komode dhe më mirë. Në bazë të kërkesave që kishim gjenim dhe biznese që ofronin këto pozicione që ata kërkonin dhe në këtë mënyrë bëmë lidhjen midis biznesit dhe grave kryefamiljare.
CMG: A ka kritere që këto gra kryefamiljare duhet të plotësojnë për punësimin e tyre?
Xhesjon Zogu (Facebook)
Xhesjon Zogu: Ne duhet të kemi parasysh që këtu flasim për gra ku duhet studiuar dhe pjesa e terrenit. Në Shqipëri është problem pjesa e edukimit që lidhet me transformimin e shoqërisë, pra po flasim për gra të moshave 35-50 vjeçe dhe duhet pasur parasysh që dhe edukimi është pak problem në këtë aspekt ose dhe diskriminimi që vjen nga shoqëria përreth. Duke u munduar me forcë që të bëjmë diçka për këto gra dhe mos t’i lemë pas dore, duke gjetur një dakordësi midis biznesit dhe grave.
CMG: Cilat janë profesionet që kërkohen nga këto gra dhe që mund të jenë dhe të kërkuara nga bizneset në treguan e punës sot?
Xhesjon Zogu: Deri në këtë fazë ku jemi, duke pasur parasysh që jemi akoma në dhjetëshen e parë të familjeve që kemi takuar, kryesisht kanë qenë pozicione pune si shitëse, sanitare, pra punëra të kësaj natyre dhe jo gjëra që mund të bëjnë në një profesion të caktuar. Ndonëse kemi pasur dhe propozime për pjesën e trajnimeve, pra gra ose fëmijët e tyre që duan trajnime të caktuara për të marrë një profesion dhe për t’u punësuar më pas në një fushë të caktuar, përpos kurseve që padyshim kemi dhe pjesën e fëmijëve që është shumë e rëndësishme. Kurset që ne bëjmë për fëmijët ose në institucionet që ne do përpiqemi të kontaktojmë për të gjetur një kohë të përshtatshme që t’i japim hapësirë dhe grave për të gjetur një punë 8 orarëshe sepse është problem dhe kjo pjesë e fëmijëve, ato nuk mund t’i lenë dot vetëm në shtëpi fëmijët. Pra kemi pasur problematike të kësaj natyre.
CMG: Do të mundësoni dhe trajnime për fëmijët e këtyre grave kryefamiljare?
Xhesjon Zogu: Gratë kryefamiljare që ne kemi kontaktuar, pjesa më e madhe e tyre i kanë fëmijët e vegjël, që janë në shkollë 9 vjeçare e poshtë. Ka dhe nga ato që i kanë në mosha madhore, që kryesisht kërkojnë punë edhe për fëmijët e tyre, duke qenë se vetë janë në pamundësi të kërkojnë një punë të konsoliduar për fëmijët sipas nevojave që kanë. Ndërkohë që për fëmijët e vegjël ne duam që të heqim të paktën këtë pjesën e kurseve që ato familje i kanë, të gjejmë një zgjidhje të mesme që të mos i rëndojmë, sigurisht në bashkëpunim me bizneset dhe institucionet.
Aktiviteti i fushates ne Universitetin Beder (facebook)
CMG: Kjo nismë ka bërë bashkë me ju dhe disa personalitete të fushave të ndryshme që kanë treguar gatishmërinë në mbështetje të kësaj fushate.
Xhesjon Zogu: Ato janë si qershia mbi tortë dhe kemi ambasadorë të ndryshëm, të cilët përcjellin zërin tonë dhe të punës që ne bëjmë në Shqipëri. Mund të përmend gazetaren e njohur Sonila Meço, Ina Kollçaku, Edlira Çepani dhe plot të tjerë të cilët i janë bashkuar nismës.
CMG: Sa do të zgjasë kjo fushatë?
Xhesjon Zogu: Sipas parashikimeve tona kjo fushatë do të zgjasë deri në muajin prill dhe kemi përshtypjen që ne do të arrijmë objektivat që kemi përcaktuar.
CMG: Në këtë fushatë janë të përfshirë vetëm studentët e departamentit të shkencave të komunikimit të Universitetit Bedër?
Xhesjon Zogu: Ne kemi krijuar departamente të ndryshme brenda fakultetit bashkë me studentët, pra studentë që marrin përsipër të kryejnë një punë të caktuar për të lehtësuar punën dhe për ta bërë atë sa më mirë. Kështu që kemi përfshirë dhe një departament nga psikologjia për trajnimin e këtyre familjeve sepse kemi pasur raste gjatë takimeve që kanë shfaqur trauma të ndryshme të cilat vijnë nga ish bashkëshortët e tyre ose pozicioni ku ato ndodhen. Për këtë arsye e kemi parë të arsyeshme që të marrim edhe një departament nga psikologjia për të shmangur çdo lloj incidenti të mundshëm.
Intervistoi: Gazmend Agaj