Rama prezanton nismën e re “Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe”
2023-01-25 14:55:30

 Foto:VCG

Kryeministri shqiptar Edi Rama(Foto:VCG)

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar këtë të martë nismën më të re “Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe”. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, kreu i qeverisë tha se kjo nismë është një sprovë mes nxënësve që i shërben mbrojtjes e kultivimit të gjuhës shqipe brez pas brezi.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, u shpreh se nevojitet ndërgjegjësim i shoqërisë se arsimi është vlerë, fuqi dhe mirëqenie. Kushi sqaroi se Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe do të zhvillohet në dy faza, në nivel zyrash arsimore dhe në nivel kombëtar.

“Nëse kërkojmë sukses dhe progres, atë nuk mund ta arrijmë pa një arsim cilësor. Kemi shpallur Konkursin Kombëtar të Gjuhës Shqipe midis klasave të 9-a nga të gjitha shkollat dhe qytetet e vendit. Konkursi do të zhvillohet në dy faza, e para në nivel zyrash arsimore dhe e dyta në nivel kombëtar. Zhvillimi i fazës së dytë do të transmetohet në kanalin televiziv “RTSH shkolla” deri në muajin maj, në 13 episode dhe një finale të madhe”, -tha Kushi. (Elona)