Tregu brazilian pret rritje të bashkëpunimit dypalësh me Kinën
2023-01-25 14:32:24

Foto: VCG

Tregu brazilian pret që rimëkëmbja e mëtejshme e shkëmbimeve dhe bashkëpunimi midis Kinës dhe botës do t'i shtojë shtysë bashkëpunimit Kinë-Brazil, thonë mediat lokale dhe ekspertët e ekonomisë, citon “Xinhua”.  

“Erërat e favorshme që vijnë nga Kina tashmë perceptohen nga tregu brazilian. Gjithçka tregon se motori ekonomik i Kinës do të rifitojë fuqinë e tij”,- shkruan e përditshmja braziliane “Estadao”.  

Aktualisht, perspektivat e zhvillimit ekonomik dhe social të Kinës po tërheqin vëmendjen botërore, pasi Kina ka optimizuar dhe rregulluar politikat e saj të reagimit ndaj Covid dhe të dhënat më të fundit për rritjen e saj të PBB-së në 2022-shin janë gjithashtu më të forta nga sa pritej përgjithësisht.  

PBB-ja e Kinës u rrit me 3 për qind në baza vjetore në një nivel rekord prej 121.0207 trilionë juanë (rreth 17.95 trilionë dollarë amerikanë) në vitin 2022, treguan të dhënat nga Zyra Kombëtare e Statistikave.  

Ekonomisti brazilian Ronnie Lins deklaroi për “Xinhua” se Kina ka marrë masa aktive për të minimizuar ndikimin negativ të pandemisë në ekonomi dhe së fundmi ka optimizuar dhe rregulluar politikat e parandalimit të pandemisë bazuar në informacionin shkencor dhe gjykimin e saktë.  

“Ekonomia e Kinës pritet të arrijë rritje më të fortë këtë vit. Vlerësimi i rëndësishëm i fundit i juanit kundrejt dollarit amerikan tregon se kërkesa e tregut për monedhën kineze është rritur dhe investimet e kompanive të huaja në Kinë do të rriten më tej”,- tha Xia Huasheng, ekspert financash në institutin brazilian “Getulio Vargas Foundation”.  

Rritja e shëndetshme e ekonomisë së Kinës mund të ndihmojë në mbrojtjen kundër sfidave me të cilat përballet zhvillimi i botës dhe të nxisë perspektivën e ekonomisë globale, shtoi ai.  

Për momentin, ekonomistët brazilianë, mediat kryesore dhe pjesëmarrësit e tregut besojnë se ekonomia e Kinës pritet të arrijë rritje më të shpejtë, të vazhdojë të gjenerojë efekte pozitive dhe të shtojë shtysë në bashkëpunimin Kinë-Brazil.  

Fabio Fares, ekspert ekonomie në organizatën konsulente “Quantzed”, tha se kompanitë që bëjnë biznes dhe eksportojnë produkte në Azi do të përfitojnë shumë nga rritja ekonomike e Kinës.  

“Brazili dhe Kina po bashkëpunojnë në shumë fusha dhe komplementariteti ekonomik dhe tregtar midis dy vendeve është aq i fortë sa ka potencial të madh për zhvillim. Marrëdhënia mes Brazilit dhe Kinës do të sjellë një 'epokë të artë' shumë të rëndësishme”, tha Lins. (Elona)