Këshilli i Sigurisë, Begaj: Prioritet, rishikimi i dokumenteve strategjike në fushën e mbrojtjes
2023-01-25 14:41:59

Foto: RTSH

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare ka kërkuar që të trajtohen me prioritet procesi i rishikimit dhe hartimit të dokumenteve strategjikë, strategjisë së sigurisë kombëtare, dokumenteve strategjike në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, emergjencave civile, si dhe strategjive sektoriale.

“Këto dokumente nuk duhet të jenë thjesht formale, duhet të jenë të mirëbuxhetuara dhe të sigurojnë përdorimin në mënyrë të koordinuar dhe harmonizuar të instrumenteve të fuqisë kombëtare në garantimin e sigurisë”,- ka theksuar presidenti.

Kreu i shtetit e vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë takim dhe angazhimin e të gjitha institucioneve për garantimin e sigurisë kombëtare në fushën e tyre të përgjegjësisë, citon “RTSH”.

Po ashtu, si të rëndësishëm konsideroi edhe bashkërendimin, përpjekjet dhe sigurimin e gjithëpërfshirjes institucionale, përdorimit efikas të burimeve kombëtare dhe kërkimit të kontributit të çdo qytetari në funksion të sigurisë kombëtare.

Në mbledhje morën pjesë ministrat e qeverisë, ndërsa opozita u përfaqësua nga zv.kryetari i Komisionit të Sigurisë, Ferdinand Xhaferraj. (Elona)