Ministri i Jashtëm: Finlanda mund të shqyrtojë aplikimin për në NATO pa Suedinë
2023-01-25 12:57:46

Foto: VCG

Ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto, deklaroi se Finlandës mund t'i duhet të rishqyrtojë promovimin e një hyrjeje të përbashkët dhe të njëkohshme të Finlandës dhe Suedisë në NATO, nëse aplikimi i Suedisë vonohet shumë më gjatë.

Hyrja e përbashkët me Suedinë mbetet ende prioriteti, me qëllim të interesave të sigurisë finlandeze dhe suedeze, tha Haavisto në një intervistë me transmetuesin kombëtar “Yle”, citon “Xinhua”.  

Deklarata e Haavisto vjen pasi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se Suedia nuk duhet të presë miratimin e Turqisë për t'u bashkuar me NATO-n, pas djegies së një kurani jashtë Ambasadës Turke në Stokholm të shtunën.  

Ministri tha se protestat e fundit në Suedi kishin vonuar përpunimin e aplikimeve suedeze dhe finlandeze të NATO-s. Ai beson se protestuesit synojnë të provokojnë Turqinë dhe të ndikojnë në opinionet e qytetarëve dhe politikanëve të saj.  

Rruga e Finlandës dhe Suedisë në NATO tani do të vonohet të paktën deri në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Turqisë në mes të majit, tha Haavisto.  

Finlanda, Suedia dhe Turqia po përpiqen të planifikojnë një takim të ri trepalësh në fillim të pranverës, për të vlerësuar situatën, tha Haavisto. (Elona)