Rigjallërimi i tregut të udhëtimeve gjatë Festës së Pranverës
2023-01-25 11:33:06

Foto:VCG

Festa e Pranverës ka sjellë fluksin më të madh të udhëtimeve stinore në Kinë, ndërsa për shumë njerëz udhëtimet dhe turizmi janë bërë një mënyrë e parapëlqyer për të kaluar pushimet e Festës së Pranverës vitet e fundit.

Në pushimet për Festën e Pranverës të këtij viti në Kinë pritet numri më i madh i udhëtarëve në tre vjet, me rritjen e turizmit të brendshëm dhe rimëkëmbjen e turizmit jashtë vendit, tregojnë të dhënat nga platformat e udhëtimeve në internet.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara (UNWTO), përpara shpërthimit të epidemisë, Kina ishte një ndër burimet kryesore të turizmit jashtë vendit.

Me rregullimin e politikave të menaxhimit të COVID-19 dhe lehtësimin e udhëtimeve ndërkufitare të shtetasve kinezë e të huaj në fillim të janarit, tregu i udhëtimeve jashtë vendit u mëkëmb shpejt gjatë Festës së Pranverës.

Në 20 janar, Ministria e Kulturës dhe Turizmit shpalli një qarkore për rikthimin e udhëtimeve në grup në 20 vende me politika miqësore hyrjeje ndaj shtetasve kinezë, duke përfshirë Tajlandën, Maldivet, Emiratet e Bashkuara Arabe, Rusinë dhe Zelandën e Re.

Turistët kinezë tani kanë më shumë gjasa të zgjedhin destinacione jashtë vendit me politika më të hapura dhe më miqësore hyrjeje ndaj tyre.

Javën e fundit, numri i aplikuesve për viza tajlandeze në Kinë u rrit tre herë krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa numri i atyre që blejnë produkte turistike lidhur me Tajlandën u dhjetëfishua krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave nga dega e “Alibaba”-s për udhëtimet “Fliggy”.

Maldivet pritën fluturimin e parë të drejtpërdrejtë me mbi 190 turistë nga Kina të mërkurën e kaluar me një përshëndetje me topa me ujë në Aeroportin Ndërkombëtar të Velanës. Në vitin 2019, pothuajse 300 000 turistë kinezë vizituan Maldivet, duke zënë rreth 17 për qind të numrit të përgjithshëm të turistëve atë vit.

Maldivet parashikuan më parë 1.8 milion turistë për këtë vit, por një rritje prej së paku 10 % pritet t’i bëhet parashikimit fillestar, teksa turistët kinezë, që kanë kontribuuar shumë në tregun turistik të Maldiveve, po rikthehen.