Hektor Leka: Ta shohim jetën dhe botën me optimizëm
2023-01-24 10:49:47


Hektor Leka ka nisur që në moshën 7 vjeçare studimet e violinës për të vazhduar me atë të kantos në Liceun Artistik "Jordan Misja" dhe më vonë në Institutin e Lartë të Arteve sot Akademia e Arteve. Në Lice së bashku me shokun dhe mikun e tij, Elton Deda formuan grupin "Tingull i Zjarrtë" me të cilin disa vite më vonë u prezantuan edhe në Festivalin e Këngës 1990, duke fituar çmimin e parë në kategorinë e të rinjve me kengen "Jemi emri i vetë jetës". Njëkohësisht në këto vite  Hektori nisi të interesohet për teknikat fotografike, duke përfshire këtu edhe teknikat e stampimit.  Në vitin 1992 ai u zhvendos  në Itali ku vazhdoi studimet dhe perfeksionimin në kanto dhe njëkohësisht edhe ato të teknikave audiovizive. Në pak vite ai arriti të bashkëpunojë me shumë profesionistë të fushës, duke perfeksionuar edhe teknikat e montazhit. Ne vitin 1997 Hektor Leka  fitoi konkursin në Teatrin e Operes "G. Verdi" të Triestes ku punon edhe sot. Ai ka  interpretuar disa role si në Trieste edhe jashte saj.

Në një intervistë për Radio Ejani ai flet rreth jetës dhe karrierës

CMG: Hektor, do të donim prej jush të na rrëfeni për veten. Le të supozojmë se jemi përpara një pasqyre, tek e cila ju shihni veten tuaj. Cilat jane reflektimet më të mëdha që bëni?

Hektor Leka: Së pari, unë ndihem i lumtur që jam në këtë bisedë pasi mediat shqiptare nuk jane tepër të afruara kundrejt figurave jashtë Shqipërisë. Nëse veten do ta vendosja në një pasqyrë dhe do të reflektoja, ato do të ishin drejt jetës. Po ta shoh veten sot në pasqyre mund të them vetëm se jam krenar për atë që kam rezlizuar dhe nuk dua t’i them askujt faleminderit. Italianët kanë një shprehje të bukur: “ Urojmë që të keni kurajo ta shihni veten në pasqyrë”.

Kjo lidhet drejtpërdrejt me atë që ne bëjmë në jëtë, nëse ne realizojmë diçka pozitive do të kemi më tepër kurajo për ta parë veten. Ndërsa koha vrapon unë eci serish me ritmin e saj dhe e kuptoj që kam bërë shumë gjëra për të qenë ky që jam sot.

CMG: Cila është rutina e ditës suaj?

Hektor Leka: Dita ime normale më zgjon në orën 07:00, në mëngjes sepse preferoj të bëj një hap të shpejtë. Më pas jam tre orë në teatër dhe pjesën tjetër të ditës ja dedikoj post-produksionit tim. Ka dhe momente kur nuk kam asgjë për të bërë dhe ka ditë që mund të dal prej orës 07:00 dhe kthehem në mbrëmje.
U bënë gati 30 vite që unë punoj në disa fusha dhe marr emocione të ndryshme. Kam arritur të marr dhe bëj role shumë të mira dhe më kanë dhënë satisfaksion.
Në vitin 2003  bëra një recital ku këndova edhe pjesë nga muzika shqiptare gjë që me atë kënaqësinë e pamatashme timen, vura re që publikut italian i pëlqeu shumë, madje u mahnita. Solla në skenë për herë të parë nënën time dhe kënduam këngën “Lule Borë”. Ndërsa nga aspekti i punëve që unë bëj me videon kam realizuar shumë produksione televizive për Rai këtu në Trieste.
Kam pasur një satisfasion sepse ishin emisione që i realizoja vetëm unë nga ana teknike, të cilat publiku i ka pritur shumë mirë.

CMG: Vitet e fëmijërisë, janë më të bukurat, si kanë qenë ato për ju?

Hektor Leka: Mendoj që jeta më ka përkedhelur me shumë gjëra. Unë, biri i një artisteje të madhe, siç ka qenë nëna ime si dirigjentja e parë  shqiptare, bënte pjesë tek njerëzit që u diplomuan jashtë vendit dhe u kthyen në vendin tonë për të bërë tekstet shkollore. Ka pasur shumë raste kur nëna ime më ushqente gjatë provave ne opera, aq shumë kohë e gjatë ishte në këto prova.
Ndryshe më thërrisnin “djali i operas dhe teatrit”, sepse kaloja një kohë shumë të gjatë atje. Më vonë në moshën 7 vjeçare fillova te studioj violinë dhe kam pasur rastin që të marr pjesë në shumë aktivitite dhe më vonë u futa në Lice, ku u zhvillova nga ana vokale. Fillimet e mia në muzikë kanë nisur me mikun tim të mirë Elton Dedën. Ne vendosëm të bëjmë muzikë Simfo Jazz, ja arritëm qëllimit dhe dolëm nga fundi i viteve 80-të në emisionin “Koha në pentagramin tim”, që u dedikohej artistëve dhe u prezantuam aty me vepra nga autorët botërorë.

Më vonë pata edhe zhvillime të tjera, kemi bërë koncertin e parë Hard Rock në historinë e Shqipërisë, në dhjetor 1991. Jeta ime ka shumë pika që më kanë lënë mbresa dhe nuk di kë të veçoj të parën. Unë isha një fëmijë plot ëndrra dhe kam tentuar përherë të bëj diçka, pavarësisht censurësh dhe rregullave të kohës. Kam pasur një fëmijëri me momente te lezetshme që kur i mendoj sot më duken të pamundura që i kam kaluar.

CMG: Si i kujtoni mbrëmjet afër familjes?

Hektor Leka: Ne kemi qenë të gjithë gati për të kaluar kohë më shumë me njëri-tjetrin. Mblidheshim përherë për të parë diçka në televizor, filma ose seriale të cilat na bënin bashkë. Gjithashtu mbrëmjet ku në fokus ishte muzika, kur kishte ditëlindje dukej sikur ishte dasmë. Nuk ishim të izoluar si shumë të tjerë, por e jetonim jetën me muzikë. Ka pasur raste kur luhej futboll, tek ne afroheshin  njerëz për të parë sepse nuk kishin në atë kohë televizor në shtëpi.
CMG: Çfarë ju mungon në këtë moment?

Hektor Leka: Njeriu ka nevojë në çdo kohë të ndihet i rrethuar nga njerëzit që e duan më shumë dhe mua më mungon shumë familja ime e dashur, tek e cila gjeja një mbështetje shumë të madhe.

CMG: Cilat ishin këshillat më të forta që ju jepte familja?

Hektor Leka: Babai im ka qenë shumë i kujdeshëm dhe me ide shumë të pjekura. Mua më orientone te duroja dhe gjithnje të prisja.

Kam pasur fatin që të kisha prindër liberalë dhe kam marrë gjithnjë vendime vetë. Vendimin e kam pasur shumë të lirë dhe me kalimin e kohës u rrita duke marrë vendime personale. Jam natyrë që i peshoj shumë gjatë gjërat.
Një nga shprehjet që nëna ime më thoshte përherë është “ Ndihmohu që Zoti të të ndihmojë!”.

CMG: Si ka qenë momenti kur  ikët në Itali?

Hektor Leka: Unë në Itali kam ardhur si i riatdhesuar sepse nëna nga babai im ka qenë me origjinë italiane dhe babai im ka lindur në Itali. Gjysmën e fëmijërisë e kaloi në Itali  dhe pjesën tjetër në Shqipëri, pasi gjyshi im ka qenë tregtar në Durrës.

CMG: Çfarë është për ju  muzika?

Hektor Leka: Nuk është e thjeshtë të kesh një përkufizim, por do ta quaja hyrjnore.

CMG: A do të riktheheshit në Shqipëri për të punuar?

Hektor Leka: Jo, unë nuk do doja të vija dhe nuk kam një ftesë në fakt. Ajo që më lidh për momentin me punën në Shqipëri është një dokumentar të cilin jam duke  e punuar mbi jetën e nënës sime. Janë 450 faqe të jetës së saj, të cilat do të vendosen në një dokumentar dhe kjo tingëllon tepër emocionuese për mua.

CMG: A keni një mesazh për të gjithe shqiptarët?

Hektor Leka: Do përpiqem  të jap një mesazh. Do të doja që të kishim më shumë miq shqiptarë që e shohin jetën dhe botën më optimiste. Jemi një vend i bukur dhe kjo do duhet të vlerësohet shumë nga të gjithë ne.

Intervistoi: Megi Latifi