Kumbaro: Turizmi në Shqipëri shënoi rritje gjatë 2022
2023-01-24 11:14:22

Turizmi shqiptar vijoi rikuperimin nga pandemia vitin e kaluar. Të dhënat zyrtare tregojnë se deri në fund të nëntorit, 5.4 milionë shtetas të huaj hynë në territorin shqiptar, shumica për arsye turizmi.

Ashtu si në vitin kur kulmoi COVID-19, edhe në vitin pasardhës, mbështetja kyçe e sektorit ishte turizmi patriotik. Kosova shënoi rritje të numrit të vizitorëve, edhe me periudhën e para-pandemisë. Nga vendi fqinj kanë hyrë gjithsej për janar-nëntor 2021, 2.6 milionë shtetas, me rritje prej 18% në krahasim me 11-mujorin e 2019-s.

Në takim e mbajtur nga kryeministri Rama mbi arritjet e vitit 2022 dhe prioritetet e vitit 2023 ministrja e turizmit dhe mjedisit Mirela Kumbaro u shpreh se përtej sfidave të vitit të kaluar do të ketë zhvillim më tej përgjatë këtij viti në sektorin e turizmit si një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë.

“Viti 2022 ishte një vit i mbushur me sfida, por dhe një vit i cili duke qenë dhe i pari i këtij mandati përcaktoi se turizmi dhe mjedisi janë dy sektorë prioritarë. Jo më kot dua ta filloj nga zonat e mbrojtura, sepse shepsh herë flasim kur ka vetëm probleme, por ende nuk është një koncept që e kemi përvetësuar si një ndër asetet që kemi. Ishte viti 2022 që shënoi zgjerimin e zonave të mbrojtura nga 17.5% në 21 % mbas një periudhe dy vjeçare të studimit të territorit, i cili që nga mesi i viteve 80 nuk kishte njohur një ërditësim të territorit mbas të gjithë ndërhyrjeve të ligjshme e të paligjshme që ka njohur tranzicioni ku territori ka pësuar ndryshime të ndjeshme. Me synim mbrojtjen e zonave  natyrore që nga lumenjtë pyjet, malet e lagunat, u bë një përditësim duke e rritur me 21.3% sipërfaqen e zonës së mbrojtur me një angazhim ndërkombëtar të konvenatve të biodiversitetit për të shkuar në atë që u shënua si angazhim botëror në 30% të zonave të territorit në vitin 2030” u shpreh Kumbaro.

Minsitrja Kumbaro u ndal gjithashtu tek mbrojtja dhe zhvillimi i qëndrueshëm i zonave të mbrojtura si një nga asetet kryesore turistike.

“Ka një rritje të interesit të  publikut falë të gjithë kujdesit të specialistëve të zonave të mbrojtura në territor. Kjo gjë ka shtuar vizitorët dhe kemi 4.6 milionë vizitorë në vitin 2022. Ndërkohë kur flasim për zonat e mbrojtura nuk mund thjesht t’i përmendim, por duhet siguruar zhvillimi i qëndrueshëm i tyre pa planet e menaxhmit, një pjesë e mirë e tyre nuk ishin skaduar ose ende nuk ishin pajisur me të tilla. Është momenti për të ecur përpara me elementët e menaxhimit jo thjesht për t’i mbrojtur, për të kontrolluar territorin për ta pëfshirë komunitetin dhe për ta bërë pjesë të mbrojtjes sociale. Apo edhe për t’i dhënë mundësi biznesit sidomos atij agroturistik dhe ekonomisë së pyjeve të zhvillojnë potencialet e tyre. Zonë e mbrojtur nuk do të thotë zonë e paprekur, por e mirë kontrolluar, për këtë shërben plani i menaxhimit. Më tej vazhdojmë me plotësimin e zonave bregdetare, sepse në këto zona kemi dhe zona me zhvillim strategjik dhe të mbrojtura”, tha ministrja

Në vitin 202 minsitria ndërmori një hap shumë të rëndësishëm lidhur me stacionet e plazheve dhe është mbyllur i gjithë proçesi i aplikimeve. Sipas ministres, pritet që viti 2023 të jetë më i suksesshëm dhe me më shumë të ardhura për ekonominë.

“Në vitin 2022, pa mbyllur mirë sezonin turistik veror, kemi nisur punën për sezonin turistik veror të vitit të ardhshëm. Ka mbaruar i gjithë procesi i aplikimeve për stacionet e plazhit, po mbyllet edhe i gjithë procesi i miratimeve dhe lidhjes së kontratave. Tashmë po bëhemi gati për atë që do të jetë një vit edhe më i suksesshëm turistik. Po të kemi parasysh që viti 2022 deri në muajin nëntor shënoi 7.1 milionë turistë të huaj, duke arritur një rekord dhe shifrat ende vijojnë të rriten.  Me vendimin e sotëm nga katër bashki do të shtohen dhe bregdete të dy bashkive të tjera Vlorë dhe Kavajë. Viti 2022 tregoi se për sa i përket cilësisë së pastrimit të territorit, bashkëpunimi i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit me bashkitë ka qenë në nivelin më të lartë në aksionin e pastrimit kombëtar, siç vazhdon këto ditë dhe do të vazhdojë edhe në vitin 2023”, përfundoi ministrja Kumbaro.

Tur-operatorët e cilësojnë vitin 2022 si një hap më shumë drejt normalitetit. Rritja e numrit të të vaksinuarve dhe lehtësimi i kufizimeve në udhëtim pritet të jenë faktorët kryesorë që do ta bëjnë turizmin e këtij viti të jetë edhe më afër asaj që njihnim para COVID-19.