Pas një përpjekjeje kolektive gati trevjeçare, Kina po fillon festimet e Vitit të Ri Kinez ose Festivalit të Pranverës, me jetën që po kthehet në normalitet dhe me ekonominë në fokus. Për këtë, në mes janari në Pekin, Kreu i Byrosë Kombëtare të Statistikave mbajti një konferencë shtypi mbi performancën ekonomike kombëtare të Kinës në vitin 2022. Aty u paraqit raporti vjetor në shifra, ku u vu në dukje se përballë sfidave të forta në mjedisin global, si dhe me detyra të vështira për të çuar përpara reformën, për të nxitur zhvillimin dhe për të ruajtur stabilitetin në vend, ekonomia kineze vazhdoi të zhvillohej pavarësisht vështirësive. Prodhimi ekonomik arriti në një nivel të ri, punësimi dhe çmimet në përgjithësi ishin të qëndrueshme, jeta e njerëzve u përmirësua vazhdimisht dhe u siguruan arritje të reja në zhvillim cilësor.
Foto:VCG
Një panoramikë në shifra
Sipas vlerësimeve paraprake, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) pati një rritje prej 3% ose rreth 18 trilionë dollarë ($) në vitin 2022. Krahasuar me ekonomitë kryesore në mbarë botën, ritmi i rritjes është relativisht i shpejtë. Sipas industrive, vlera e shtuar e industrisë parësore +4.1% në krahasim me vitin e kaluar, ajo e industrisë dytësore me +3.8% dhe ajo e industrisë terciare +2.3%, dhe gjatë një viti inflacioni galopant në të gjithë botën, inflacioni i Kinës ishte vetëm +2%!
Stabiliteti i çmimeve të Kinës ka krijuar kushte të favorshme për të përdorur mjetet e politikës makroekonomike për të stabilizuar rritjen. Importet dhe eksportet e mallrave u rritën shpejt dhe struktura e tregtisë vazhdoi të optimizohej. Të ardhurat e banorëve u rritën përgjithësisht me të njëjtin ritëm me rritjen ekonomike dhe të ardhurat e banorëve ruralë u rritën më shpejt se ato të banorëve urbanë. Pesha e popullsisë urbane në totalin e popullsisë (shkalla e urbanizimit) ishte 65.22% , 0.5% më e lartë se ajo në fund të vitit të kaluar.
Në vitin 2022, për të stabilizuar rritjen ekonomike, qeveria kineze mobilizoi fonde shtesë për investime në infrastrukturë dhe gradualisht liroi politikën monetare. Investimet në infrastrukturë mbështetën rritjen ekonomike, ashtu si edhe rritja solide në investimet në prodhim. Pavarësisht presioneve nga shtrëngimet epidemike, ekonomia kombëtare u rrit dhe çmimet në përgjithësi ishin të qëndrueshme. Ndërkohë u siguruan përparime të reja në zhvillimin me cilësi të lartë dhe zhvillimi i përgjithshëm ekonomik dhe social ishte i qëndrueshëm dhe i shëndetshëm.
Po të shohim edhe në dekadën e fundit, Kina ka ruajtur pozicionin e ekonomisë së dytë më të madhe në botë që nga viti 2010. Gjatë dekadës së fundit, Kina është rritur nga një ekonomi me 8 trilionë dollarë në gati 18 trilionë dollarë, duke mbartur mbi 19% të prodhimit global (nga ajo që ishte mbi 11% në vitin 2012). Për sa i përket prodhimit ekonomik për frymë, shifra është pothuajse dyfishuar nga 6,300 dollarë në 2012 në 12,550 dollarë në 2022. Për vite me radhë, planifikuesit shtetërorë kanë synuar balancimin ndërmjet nxitësve kryesorë ekonomikë të investimeve, konsumit dhe eksporteve. Investimet vendase dhe të huaja në fusha të tilla si shërbimi, infrastruktura dhe prodhimi industrial kanë qenë një motor i rritjes për Kinën.
Foto:VCG
Një panoramikë përtej shifrave
Në vitin 2023, Kina do ta bëjë stabilitetin ekonomik prioritetin e saj kryesor dhe do të ndjekë përparimin, duke siguruar stabilitetin. Në tre vitet e fundit ekonomia botërore është përballur me shumë vështirësi në drejtim të rimëkëmbjes nga ndikimi pandemik në ekonomi. Përveç tre viteve të fundit, që kanë qenë të jashtëzakonshëm, duhet patur parasysh se ekonomia kineze ka afro një dekadë që është futur në rrugën e një transformimi të madh. Vetë presidenti Xi ka shprehur shumë herë konceptet e prosperitetit të përbashkët me qarkullim të dyfishtë. Por këto nuk janë transformime të lehta, sepse po kalohet nga një ekonomi me rritje të lartë në vlera dhe shifra (PPB-ja) në një ekonomi zhvillimi me cilësi të lartë. Ky është një proces që tashmë në Kinë ka filluar dhe ajo çfarë ka rëndësi në hapin tjetër të ekonomisë kineze është ndërtimi i konsensusit përmes komunikimit dhe konsultimit. Dhe vetë presidenti Xi është shprehur se kur 1.4 miliardë kinezët punojnë me një zemër, me një mendje, dhe me një vullnet të fortë...asnjë detyrë nuk do të jetë e pamundur dhe asnjë vështirësi e pakapërcyeshme.
Theksi është përqendruar te rritja, specifikisht rritja me cilësi më të lartë dhe efikasitet më të lartë. Më shumë qëndrueshmëri, si dhe më tepër siguri për zhvillim. Reforma e vazhdueshme ekonomike e Kinës dhe politikat e hapjes, së bashku me rritjen e klasës së mesme të vendit dhe rritjen e konsumit, pritet që të gjitha të nxisin më tej rritjen e progresin vendas.
Foto:VCG
Kina nga statistikat kombëtare në qasjen globale
Me temën "Bashkëpunimi në një botë të fragmentuar", takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror 2023 u mbajt nga 16 deri më 20 janar në Davos, Zvicër. Përballë një ekonomie globale të paqëndrueshme, inflacionit të lartë dhe konfliktit gjeopolitik, perspektivat për rritjen ekonomike kineze u bënë një temë e nxehtë në këtë takim.
Për Kinën detyra e radhës është rritja ekonomike cilësore, dhe kjo vihet re edhe në fjalët e përfaqësuesit të Kinës z. Liu He në këtë forum. Ai theksoi së në vitin 2023, Kina do të përpiqet të ruajë një rritje të arsyeshme ekonomike dhe të mbajë çmimet dhe vendet e punës të qëndrueshme. Më shumë fokus do të vendoset në zgjerimin e kërkesës së brendshme, mbajtjen e zinxhirëve të furnizimit të qëndrueshëm, mbështetjen e sektorit privat, reformimin e ndërmarrjeve shtetërore, tërheqjen e investimeve të huaja dhe parandalimin e rreziqeve ekonomikë dhe financiarë. “Kina do të vazhdojë të promovojë hapjen e gjithanshme”, ishte një nga mesazhet me të analizuara nga shtypi evropian. Liu në fjalim u shpreh se hapja, si një politikë bazë shtetërore, është një katalizator për reforma, zhvillim dhe një shtytës kryesor i përparimit ekonomik në Kinë. Davosi është një vendtakim i biznesit dhe politikës botërore dhe shumë drejtues të lartë institucionesh dhe kompanish ndërkombëtare shprehën optimizmin e tyre për ekonominë kineze. Presidenti i Forumit Ekonomik Botëror, Børge Brende tha se Kina si ekonomia më e rëndësishme, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përbëjnë më shumë se 40% e PBB-së globale. Pra - shprehet Brende - një Kinë e suksesshme dhe e begatë, është tepër e rëndësishme jo vetëm për popullin kinez, por edhe për pjesën tjetër botës. Një tjetër drejtor i Forumit u shpreh se optimizimi për përgjigjen e Kinës ndaj pandemisë do të jetë një nxitje e madhe për rritjen globale dhe do të injektojë optimizmin në trajektoren afatmesme dhe afatgjatë.
Foto:VCG
Kina, gjithmonë shumë elastike në trajtimin e sfidave
Në Davos zyrtarët kinezë u shprehën se vendi i tyre do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të rëndësishme për industritë globale dhe zinxhirët e furnizimit, në mënyrë që mbarë bota të mund të kthehet në funksionimin normal.
Duke qenë se përbën gati 30 për qind të tregtisë globale, Kina është një aktor parësor ekonomik, një treg gjigand konsumator i mallrave dhe shërbimeve, dhe si pasojë një ekonomi e fortë dhe e qëndrueshme kineze do të jetë e dobishme në mbarë botën. Ndërsa konsumi kinez dhe sektori i prodhimit janë vetëm në rritje, është e qartë se pjesa tjetër e botës ka nevojë për të dyja. Për shkak të performancës ekonomike më të mirë se sa pritej dhe elasticitetit të ekonomisë kineze, banka të shumta ndërkombëtare dhe institucione financiare (duke përfshirë Morgan Stanley, Goldman Sachs, HSBC, Barclays dhe Natixis) kanë rishikuar projeksionet e tyre për ekonominë e Kinës në 2023, duke e rritur. Ndërkohë, delegacionet e biznesit nga Kina po shkojnë në tregjet e huaja për të nxitur tregtinë dhe investimet, duke paraqitur mundësi të reja për ndërmarrjet kineze dhe partnerët e tyre ndërkombëtarë.
Së fundmi, përkeqësimi i situatës ekonomike globale ka nevojë për rritjen e qëndrueshme të Kinës si një stabilizues, pasi është një mbështetëse e fortë e një ekonomie të hapur globale, dhe po i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të forcojë solidaritetin dhe bashkëpunimin. Ndërsa situata e përgjithshme epidemiologjike përmirësohet dhe jeta e puna kthehen në normalitet, vitaliteti ekonomik dhe social i Kinës do të çlirohet plotësisht, duke injektuar më shumë besim dhe forcë në ekonominë kombëtare dhe botërore.
Dr. Marsela Musabelliu