Macron: Franca dhe Gjermania të bëhen pionierë të rithemelimit të Europës
2023-01-24 15:36:03

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Franca dhe Gjermania duhet të bëhen pionierë të rithemelimit të Europës, deklaroi presidenti francez Emmanuel Macron gjatë kremtimit të 60-vjetorit të miqësisë Francë-Gjermani.

Macron vuri në dukje se detyra e parë e dy vendeve, si pionierë, duhet të jetë ndërtimi i një modeli të ri energjie përtej dallimeve të tyre, shkruan “Xinhua”.

“Ne duhet të inkurajojmë dhe përshpejtojmë në nivel europian investimet e nevojshme publike dhe private për tranzicionin ekologjik”, vuri në dukje ai, duke shtuar se dy aleatët duhet të përfundojnë diversifikimin e burimeve të tyre dhe të inkurajojnë prodhimin e energjisë pa karbon në Europë.

Macron tha se të dy vendet duhet të jenë gjithashtu pionierë për inovacionin dhe teknologjitë e së nesërmes, në mënyrë që të ndërtojnë prosperitetin ekologjik dhe social që bashkon Francën dhe Gjermaninë.

Macron parashtroi një strategji industriale ambicioze europiane, “Made In Europe 2030”, e cila, sipas tij, do ta bënte Europën kampione të teknologjive të reja dhe inteligjencës artificiale.

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se e ardhmja e Europës varej nga forca lëvizëse e Gjermanisë dhe Francës.

“Motori gjermano-francez është një makinë për kompromis, i vajisur mirë, por herë pas here edhe i zhurmshëm dhe i shënuar nga puna e palodhur”, tha ai gjatë ceremonisë.

Të dielën u organizua Këshilli i 23-të i Ministrave Franko-Gjerman, gjatë të cilit u diskutuan tema si ekonomia, tranzicioni energjetik, mbrojtja dhe politika evropiane. Në një deklaratë të përbashkët, të dy vendet ranë dakord të rrisin bashkëpunimin në hapësirë dhe hapësirën kibernetike.

Franca dhe Gjermania shprehën gjithashtu vendosmërinë për të përballuar sfidat e energjisë, mjedisit, klimës, industrisë dhe biodiversitetit. (Irma)