Moti i keq në Shkodër, pezullohet mësimi në 13 shkolla
2023-01-24 15:26:30

Reshjet e dendura të shiut kanë përkeqësuar situatën e përmbytjeve në Shkodër, ku deri më tani nën ujë janë 1400 ha tokë. Rreth 15 banesa janë përmbytur.

Për shkak të pranisë së ujit dhe reshjeve të dëborës në disa zona, mësimi nuk do të rinisë në 13 shkolla në Shkodër, për shkak të problematikave që ka krijuar në ambientet e shkollave dhe rrugët që të lidhin me institucionin. Vendimi është marrë nga Ministria e Arsimit.

Përmes një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale, Ministria e Arsimit bëri të ditur se autoritetet po punojnë për rikthimin sa më shpejt në normalitet të këtyre shkollave.

“Strukturat tona arsimore, së bashku me bashkitë, kanë qenë në terren gjatë gjithë fundjavës për të marrë të gjitha masat e nevojshme për një fillim sa më të mbarë të procesit mësimor në fillim të javës. Fatmirësisht, pjesa më e madhe e shkollave ku u ndërpre mësimi javën e kaluar janë kthyer në normalitet, përveç 13 shkollave në disa njësi administrative të Shkodrës, ku për shkak të situatës së rënduar nga reshjet e dëborës, procesi nuk filloi ditën e hënë. Mbetemi të angazhuar maksimalisht me strukturat tona arsimore, duke besuar fort edhe në bashkëpunimin sa më të ngushtë me njësitë administrative përkatëse të Bashkisë Shkodër, që të punojmë së bashku për rikthimin sa më shpejt në normalitet edhe në këto shkolla”, bëhet e ditur në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.

Javën e kaluar për shkak të motit të keq u ndërpre mësimi në 56 shkolla. Ministria e Arsimit bëri të ditur se orët e humbura do të zëvendësohen. (Irma)