Kujtim Dervishi ne interviste per CMG
Të hënën e kaluar u nënshkrua në Tiranë marrëveshja për heqjen e ndërsjellë të vizave për zyrtarët dhe qytetarët. Marrëveshja për heqjen reciproke të vizave ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë përcakton se shtetasit e të dy vendeve përjashtohen nga aplikimet për vizë (duke përjashtuar studimin, punën, qëndrimin etj.) nëse qëndrojnë në vendin tjetër për jo më shumë se 90 ditë çdo 180 ditë nga data e hyrjes. Marrëveshja hyn në fuqi pasi palët të kenë përfunduar procedurat e brendshme ligjore të nevojshme për hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje.
Kjo marrëveshje pritet të nxisë shkëmbimet dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fushat e ekonomisë, tregtisë, turizmit, kulturës e arsimit, duke thelluar miqësinë ndërmjet dy popujve tanë.
Në postimin që i bëri këtij lajmi kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili e cilësoi “Lajm i mirë!” ka patur shumë komente që vlerësojnë marrëveshjen. Më së shumti të bie në sy se marrëveshja është mirëpritur nga përfaqësuesit e biznesit, që prej 30 vitesh, kur Shqipëria nisi udhën e saj në ekonominë e tregut, importojnë mallra nga tregu gjigant kinez. Por marrëveshja ka ngjallur interesim të veçantë, por dhe shpresë për rritje të veprimtarisë në fushën e turizmit. Është i njohur fakti se turistët kinezë zenë vendin e pare në botë dhe shpenzimet që ata kryejnë në vendet e ndryshme që vizitojnë ndikojnë në ekonominë e tyre.
Plazhi i Dhermiut (guide.com)
Edhe në turizmin shqiptar “vizitorët nga Kina” po ngjallin interes dhe të shumtë janë përfaqësuesit e këtij sektori që e vlerësojnë, si një arritje në të ardhmen e afërt. Kujtim Dervishi, kryetar i Shoqatës së Restoranteve të Shqipërisë në një prononcim për Grupin Mediatik të Kinës shprehet me entuziasëm për marrëveshjen
“Firmosja e marrëveshjes nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë për heqjen e vizave të shqiptarëve për të vizituar Kinën është vërtetët një risi dhe kjo vlen për t’u përmendur dhe vlerësuar nga të gjithë shqiptarët të cilët vizitojnë Kinën ose kanë dëshirë të vizitojnë Kinën ose kinezët për të vizituar Shqipërinë. Ne si pjesë e turizmit shqiptar, sigurisht që Shqipëria turistike ka një rritje të fluksit turistik vitet e fundit, mirëpo kjo marrëveshje bën të mundur ardhjen, qarkullimin e turistëve qoftë shqiptarë që do vizitojnë Kinën apo kinezët që do vizitojnë Shqipërinë, ku ka mjaft atraksione turistike. Ne i përkasim një moshe që kemi punuar në marrëdhëniet e shkëlqyera që kishim me Kinën, me vëllezërit tanë kinezë. Kështu që neve shpresojmë shumë që të shkëmbehen mjaft eksperienca mes turizmit shqiptar dhe turizmit kinez”, tha Dervishi.
Qyteti i Beratit (Kultplus)
Saranda (visitsaranda.net)
Pandemia Covid 19 përveç ekonomisë në përgjithësi, në mënyrë të posaçme goditi turizmin në mbarë botën. Nga të dhënat statistikore mësojmë se para pandemisë numri i turistëve kinezë përgjithësisht në rajonin e Ballkanit nuk ka qenë shumë i lartë, nëse do të krahasohet me atë të vendeve të tjera europiane, apo kontinentet e tjera. Madje shumë agjenci turistike kanë shprehur idenë për paketa turistike ballkanike për turistët kinezë, për t’u krijuar atyre mundësinë të vizitojnë disa vende ballkanike së bashku.
Cili është mendimi i ekspertit Dervishi për këtë?
“Mendoj se turistët kinezë në vitet para pandemisë nuk kanë qenë në nivelin e duhur, por pas këtij vendimi mendoj se do të çlirohen të dy shtetet që kanë një histori të përbashkët për të vizituar vendet e tyre, qoftë ne shqiptarët të vizitojmë Kinën, qoftë kinezët për të vizituar Shqipërinë e bukur turistike. Ndërsa vizita e turistëve kinezë në baret dhe restorantet tona përpara pandemisë ka qenë në nivele më të ulta”
Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro ditët e fundit deklaroi për mediat se 7,5 milionë vizitorë të huaj erdhën në Shqipëri në vitin 2022, 1,9 milion më shumë se viti 2021. Ajo ka theksuar se “Organizata Botërore e Turizmit e klasifikon Shqipërinë në të parin vend në botë për rikuperimin e turizmit me 19% më shumë krahasuar në vitin 2019” Edhe kreu i Shoqatës së Restoranteve Dervishi shprehet optimist lidhur me vitin turistik 2023
Sheshi Skenderbej Tirane (Kultplus)
“Shpresojmë që ky vit turistik që ne presim, mendoj që do të ketë një rritje qoftë për baret ashtu dhe për restorantet apo qoftë dhe për bujtinat turistike në të gjithë Shqipërinë, të cilat ofrojnë përveçse një vendi të bukur turistik, një bregdet i bukur dhe një malësi e bukur. E veçanta e turizmit shqiptar është kulinaria, pikërisht produkti shqiptar, i cili është mjaft i kërkuar nga turistët e huaj dhe sigurisht edhe nga kinezët që do t’i pëlqejnë produktet tona”
Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës ambasadori Zhou Ding u shpreh për ndikimin që do të ketë marrëveshja e heqjes së vizave të ndërsjella
“Realizimi i heqjes së plotë të vizave ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë do të çlirojë më tej potencialin e madh të bashkëpunimit turistik midis dy vendeve. Shqipëria ka pamje piktoreske, një klimë të këndshme dhe shumë objekte të trashëgimisë kulturore botërore, ndaj ka burime unike turistike. Me përmirësimin e situatës së COVID-19 në mbarë botën, besohet se më shumë turistë kinezë do të vizitojnë Shqipërinë dhe do të japin kontribut më të madh në rimëkëmbjen e industrisë së turizmit dhe zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, besoj se gjithnjë e më shumë miq shqiptarë do të udhëtojnë drejt Kinës”.
Në vitet 2018 dhe 2019, Shqipëria zbatoi një politikë pa viza për qytetarët kinezë që mbërritën në vend për vizita të shkurtra gjatë sezoneve turistike.
Theth (guide.com)
Para shpërthimit të pandemisë, numri i turistëve kinezë jashtë vendit arriti në 155 milionë në vit dhe Kina ishte një nga burimet më të mëdha të turistëve. Vendet anembanë botës presin me padurim rikthimin e miliona turistëve kinezë pas tre vjetëve të kontrollit kufitar të COVID-19, që u shfuqizua më 8 janar të këtij viti. Pas hapjes kinezët kanë preferuar të udhëtojnë drejt Singaporit, Koresë së Jugut, Japonisë, Tajlandës,si destinacione më të afërta aziatike, por dhe në destinacione më të gjata si SHBA, Britaninë e Madhe dhe Australi. CEO i Institutit Kërkimor të Turizmit jashtë Kinës dr. Ëolfgang George Arlt tha për CNN se Shqipëria është vend me shumë interes për turistët kinezë, madje dhe më tërheqës se Parisi.
Shqipëria dhe Kina po promovojnë negociimin dhe nënshkrimin e dokumenteve të bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe turizmit.