Rekomandimet e FMN-së për Shqipërinë në rast goditjesh
2023-01-23 12:15:48

Konsumi (Foto dosja.al)

Konsumi (Foto dosja.al)

“Rritja e kostos së jetesës ka filluar të ndikojë negativisht në besimin dhe kërkesën e brendshme, me inflacionin që ka arritur nivelet më të larta të dy dekadave në muajt e fundit, i nxitur nga çmimet e ushqimeve dhe energjisë.”- kështu shprehet në një intervistë për “Monitor” Shefja e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun. Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon që rritja ekonomike të ngadalësohet në 2% në vitin 2023, nga 3.7% që është vlerësimi për vitin 2022.

“Rritja pritet të ngadalësohet në rreth 2% në vitin 2023, duke reflektuar kushtet më të shtrënguara financiare, ngadalësimin në Europë dhe tërheqjen e politikave mbështetëse. Inflacioni është rritur, i nxitur nga çmimet e ushqimeve dhe energjisë, dhe është bërë gjithnjë e më i gjerë.Inflacioni total pritet të arrijë kulmin në muajt e ardhshëm dhe duhet të fillojë të ulet në vitin 2023. Inflacioni pritet të kthehet në objektivin e bankës qendrore prej 3% nga mesi i vitit 2024, teksa çmimet ndërkombëtare të mallrave pritet të stabilizohen, politikat fiskale dhe monetare të shtrëngohen dhe rritja, të ngadalësohet. Inflacioni bazë pritet të arrijë kulmin në vitin 2023, duke pasur parasysh efektet e raundit të dytë.” - shprehet Sun për Revistën Monitor.

Sipas Sun, pas një rimëkëmbjeje të fortë në vitin 2021, ekonomia shqiptare ruajti një vrull pozitiv në vitin 2022, pavarësisht tronditjes së ekonomisë globale nga lufta në Ukrainë.

“Siç u diskutua në raportin e stafit të FMN-së, të botuar së fundmi për Konsultimin e Nenit IV me Shqipërinë 2022, ne presim që rritja reale e PBB-së të arrijë në 3.7% në vitin 2022, në mbështetje të aktivitetit të fortë në turizëm, pasuri të paluajtshme dhe shërbime. Është mjaft e dukshme që ardhjet e turistëve kanë tejkaluar kulmin para pandemisë së vitit 2019, me rreth 10% në vitin 2022. Megjithatë, rritja e kostos së jetesës ka filluar të ndikojë negativisht në besimin dhe kërkesën e brendshme, me inflacionin që ka arritur nivelet më të larta të dy dekadave në muajt e fundit, i nxitur nga çmimet e ushqimeve dhe energjisë. Me ushqimin dhe energjinë që përbëjnë gjysmën e shportës së konsumit të Shqipërisë, presionet e brendshme inflacioniste kanë filluar të rriten dhe inflacioni është bërë me bazë të gjerë.”- shprehet Sun.

Nisur nga sfidat që u përball Shqipëria dhe e gjithë bota, si pandemia apo lufta në Ukrainë, Shefja e Misionit të FMN-së për Shqipërinë jep edhe orientimet se ku duhet të fokusohet qeveria për përballimin e sfidave të tjera, që mund të lindin në të ardhmen.

“Në mënyrë që të jetë e përgatitur për t’u përballur me goditjet e ardhshme, Shqipëria duhet të kombinojë amortizatorët e politikave fiskale me një konsolidim më ambicioz dhe më të besueshëm, të mbështetur nga një Strategji e shëndoshë Afatmesme e të Ardhurave (MTRS). MTRS duhet të finalizohet dhe zbatohet pa vonesa të mëtejshme. Një konsolidim fiskal më ambicioz do të ndihmonte gjithashtu në uljen e inflacionit dhe në rritjen e konkurrueshmërisë së Shqipërisë. Objektivi i Buxhetit 2023 për një suficit të vogël primar  dhe në këtë mënyrë, përmbushja e kërkesës së bilancit primar në Ligjin për Buxhetin Organik, një vit përpara afatit  është një hap në drejtimin e duhur. Por ne mendojmë se rruga e konsolidimit fiskal nga viti 2024 duhet të jetë më ambicioze, në mënyrë që të rindërtohet më shpejt hapësira për manovra të politikave. Ne rekomandojmë që qeveria të synojë për një suficit primar më të madh prej 1.5% në vitin 2024. Nëse rreziqet e rënies materializohen, stabilizuesit automatikë duhet të lejohen të funksionojnë dhe duhet të vendoset një mbështetje e mëtejshme, e përkohshme dhe e synuar për më të cenuarit.”- shprehet Shefja e FMN-së për Shqipërinë.

Yan-Sun FMN (Foto Monitor )

Yan-Sun FMN (Foto Monitor )

Shefja e Fondi Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë  flet edhe për rreziqet dhe potencialet më të mëdha të ekonomisë shqiptare në terma afatshkurtër dhe afatgjatë.

“Rritjet e mëtejshme të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë janë një rrezik kyç, veçanërisht nëse ato shkaktojnë efekte më të mëdha të një raundi të dytë dhe trazira sociale. Inflacioni më i lartë dhe më i vazhdueshëm mund të ndikojë më tej mbi të ardhurat reale dhe të dobësojë perspektivat e rritjes. Shtrëngimi më i rëndësishëm i kushteve financiare globale mund të pengojë aksesin e Shqipërisë në financimin e tregut të jashtëm. Ekonomia është gjithashtu e ndjeshme ndaj kushteve të pafavorshme të motit dhe një ndryshimi në rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme, duke pasur parasysh kontributin në rritje të sektorit në ekonomi dhe ekspozimin në rritje të bankave ndaj sektorit. Rreziqet zbuten në njëfarë mase nga niveli i përshtatshëm i rezervave valutore të Shqipërisë. Për më tepër, hapja e bisedimeve të pranimit në BE, në korrikun e kaluar, shënon një moment historik të rëndësishëm për Shqipërinë dhe mund të ndihmojë në rritjen e progresit në reformat strukturore, që janë shumë të nevojshme.”

Sa i takon emigracionit, shefja e FMN-së Sun thotë se gjithashtu krijon  implikime negative për të ardhurat nga taksat dhe koston e ofrimit të shërbimeve publike.

Buxheti (Foto Monitor)

Buxheti (Foto Monitor)

“Ne mendojmë se një shkak rrënjësor i këtij migrimi të jashtëzakonshëm është i lidhur ngushtë me çështje strukturore më të gjera dhe afatgjatë në vend. Trajtimi i këtyre çështjeve strukturore, duke përfshirë përmirësimin e qeverisjes dhe institucioneve, frenimin e korrupsionit dhe adresimin e nevojave të zhvillimit njerëzor, si dhe investimin në kapitalin njerëzor, do të ndihmonte në uljen e emigrimit. Përmasat relativisht të mëdha të ekonomisë informale në Shqipëri ndikojnë negativisht edhe elementet nxitëse në tregun vendas të punës, duke përkeqësuar më tej kushtet që nxisin emigracionin. Duke pasur parasysh përhapjen e informalitetit, trajtimi i tij do të kërkojë një qasje të shumanshme. Në raportin e fundit për Shqipërinë i kemi kushtuar vëmendje të veçantë informalitetit dhe reagimit të politikave”

Si një parakusht për zhvillimin afatgjatë të vendit, shefja e FMN-së e vë theksin në ndërtimin e një sistemi tatimor më të drejtë, më efikas, më të thjeshtë dhe më transparent, që mund ta bëjë Shqipërinë më tërheqëse për investimet e huaja, ndërkohë që do të fuqizojë aktivitetin e brendshëm ekonomik, duke përfshirë stimujt e duhur ekonomikë dhe duke u përballur me nivelin e lartë të informalitetit.