Bursat evropiane e nisin fuqishëm vitin 2023
2023-01-23 16:13:47

VCG

VCG

Bursat në Bashkimin Evropian e kanë nisur fuqishëm vitin 2023, pavarësisht nga të dhënat ekonomike gjerësisht të përziera.

Fitimet në Evropë vijnë pavarësisht rritjes ekonomike të vlerësuar prej 0.3 për qind në tremujorin e katërt të vitit të kaluar për zonën e monedhës euro dhe parashikimet për një tkurrje ekonomike gjatë tremujorit të parë të këtij viti.

Ndër faktorët që zvogëlojnë rritjen ekonomike janë nivelet e larta rekord të inflacionit, sfidat e furnizimit me energji dhe zinxhirët e furnizimit jo të besueshëm të shkaktuar nga konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës, bën të ditur “Xinhua”.

“Ne nuk i kemi ende të gjitha të dhënat, por është e qartë se bursat po e kalojnë lehtësisht ekonominë e gjerë”,- tha për “Xinhua” Alessandro Polli, profesor i ekonomisë statistikore në universitetin “La Sapienza” të Romës.

VCG

VCG

Një pjesë e arsyes për këtë është rritja e besimit të biznesit dhe konsumatorit, besimi midis kompanive dhe individëve se kushtet ekonomike kanë më shumë gjasa të përmirësohen sesa të përkeqësohen.

Një faktor tjetër është norma e inflacionit: çmimet në zonën e monedhës euro ishin 9.2 për qind më të larta në fund të vitit 2022 sesa një vit më parë.

Megjithëse çmimet në rritje ulin shpenzimet e konsumatorit, ato gjithashtu rrisin vlerën e produkteve të shitura, duke zgjeruar të ardhurat e kompanive dhe - potencialisht - duke i shtyrë çmimet e aksioneve më të larta. Eurozona po përfiton gjithashtu nga një euro më e fortë. Monedha ka fituar 8 për qind kundrejt dollarit amerikan gjatë 60 ditëve të fundit, duke rritur fuqinë blerëse të kompanive dhe individëve evropianë.

Sipas Christine Lagarde, presidente e Bankës Qendrore Evropiane, tregjet janë rritur gjithashtu nga rihapja e ekonomisë kineze. Lagarde vuri në dukje të premten se një rritje e kërkesës për naftë nga ekonomia e dytë më e madhe në botë ishte një shenjë se kërkesa e gjerë në vend po rikuperohej.

“Do të ketë kufizime, por do të ketë presion më të madh inflacionist për shkak të rritjes së kërkesës për mallra dhe veçanërisht për energji”,- tha Lagarde nga Davos, ku shumë nga figurat më të larta të ekonomisë dhe biznesit në botë u mblodhën për Forumin Ekonomik Botëror. (Elona)