Bashkim Hoxha me lexuest e tij gjate promovimit te romanit Asnjehere te marten- foto Bashkim Hoxha
“Asnjëherë të martën” është romani më i ri i gazetarit dhe shkrimtarit Bashkim Hoxha që u promovua në Durrës, qytetin ku jeton dhe shktrin aktivitetin e tij autori i librit.
“Asnjëherë të martën”, është një libër ku fabulagërshetohet me intrigën që krijojnë ngjarjet dhe personazhet e librit. Kjo bën që ta lexosh me një fryme. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe me një libër të shkrimtarit Bashkim Hoxha.
Gjatë promovimit të librit që u mbajt në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, autori i librit Bashim Hoxha tregon detaje të romanit të tij:
“Libri sapo ka dalë, unë pres të mësoj se si do ta përceptojë lexuesi atë dhe në çfarë stacioni do të përfundojë ky libër, megjithatë për të hequr kureshtjene e librit, është një temë e ditës, është në atmosferën e kohës ku jetojmë, raporti i individit me kohën, raporti i ashpërsisë me kohën që kultivon edhe individë të ashpër”.
Personazhi kryesor i romanit është një vrasës me pagesë, përmes të cilit, autori zbërthen ngjarje dhe histori të prekshme.
“Dëshira ime është që të them ngjarje që i takojnë kohës sonë. Pastaj kur një libër shkruhet në vitin 2022, siç është shkruar ky libër, do të reflektojë atë vit në një farë mënyre, pavarësisht nëse ngjarjet zhvillohen në një qytet si Durrësi, në një vend tjetër, apo nëse janë ngjarje historike. Në fund të fundit, ato përfundojnë në një temë të ditës”.
Për lexuesin historia e librit përcjell situata të komplikuara dhe ngërçe psikologjike që përpunohen në subkoshiencën e njeriut.
Nis si një roman policor, por shpejt sheh se aty nuk ka fare vend për hetuesit e kriminalistët e ca më shumë për prokurorë e gjykatës, pasi të gjitha veprimet operative, deri në dhënien e drejtësisë, i realizon vetë Vlad Dinosha, personazhi kryesor që ka përfunduar në vetëvrasje. Historia nuk është e thjeshtë, as shtrirja gjeografike e veprimit, por e thjeshtë është mënyra e të treguarit nga ky autor, i cili di të zgjidhë situata të komplikuara me forcën e psikologjisë së çuditëshme të njeriut i cili brenda subkonshiencës së tij zotërohet nga oshilacione emocionale, shpirtërore, dhe botkuptimore, të cilat nga ana e tyre diktojnë sjellje, qëndrime dhe veprime shpesh diametralisht të kundërta, deri të pabesueshme.
Djali me tre emra, i adoptuar nga një çift intelektualësh që gjithsesi kishin problemet e veta, dhe me një gjendje relativisht të mirë ekonomike pas vdekjes së tyre, duket se nuk kishte arsye që të shndërrohej në një vrasës profesionist. Por ja që shkuarja e tij me forcat Komando, në një mision ndërkombëtar, atje ku bëhej luftë dhe masakroheshin njerëzit e pafajshëm në emër të paqes hipokrite, e ndryshon atë. Duke jetuar përditë me vdekjen, ai mpihet, aq sa nisi të vriste për qejf edhe burra që ishin duke kënduar dhe nga ana tjetër nuk i shkakton asnjë keqardhje as vrasja e shokut të tij.
Ai, i rrituri mes tingujve të pjanos së nënës së tij, nuk i shpëton përthyerjes së karakterit edhe pas kthimit në atdhe. Joshet me para, merr përsipër të vrasë njerëz, ndërkohë që dilema mes heroit të dikurshëm të luftës dhe vrasësit me pagesë, rritet çdo ditë e më shumë. Në pamje të parë, Vladi në asgjë nuk të kujton një kriminel. Pavarësisht profilit të tij si vrasës serial, personazhi kryesor i romanit, Vladi, shpërfaq edhe aspektin njerëzor, të ndrydhur fort në subkoshiencë.
Shkrimtari Bashkim Hoxha e shpjegon ai vetë tipologjinë personazhit kryesor:
“Një personazh i romanit që është një vrasës me pagesë nuk bën vrasje të martën, se e ka për ters. Atë ditë e kap një dalldi filozofike dhe ndodh diçka më e rëndë sesa një vrasje dhe vetvritet”.
Nga promovimi i librit- foto Bashkim Hoxha
Krijimtaria e viteve të fundit të Bashkim Hoxhës është afruar gjithnjë e më shumë me aktualitetin dhe kjo sipas tij vjen me grumbullimin e përvojave jetësore.
“Është mosha, është përvoja jetësore që vjen në këtë moshë dhe fakti që unë jetoj me problemet e ditës si çdo qytetar tjetër. Nuk bëj letërsi nga studioja, në një lloj mënyre, por e perceptoj letërsinë me problematikat e përditshme në jetën e përditshme, në jetën njerëzore”, thotë autori.
Shkrimtari, dramaturgu, gazetari, intelektuali i njohur Bashkim Hoxha prej dekadash ka dhënë një kontribut të vyer në të gjitha sferat, dimensionet dhe ngjyrat e fjalës dhe të mendimit, duke e çimentuar emrin dhe penën e tij si shkrimtar profesionist dhe krijues i vërtetë.
Shkrimtari Bashkim Hoxha para gazetareve ne diten e promovimit te librit - Facebook Bashkim Hoxha
Bashkim Hoxha është gazetar i njohur, dramaturg, skenarist dhe shkrimtar i njohur. Ai ka fituar disa çmime kombëtare me romanet e tij dhe disa nga librat janë përkthyer në anglisht dhe rumanisht. Bashkim Hoxha është autor i librave “Romancë në ditën e krimit”, “Dëshmitari i Shkretëtirës”, “Hotel Ballkan”, “Mbreti i Vesës”, “Mot i keq për dashuri”, “Njeriu tjetër”, “Një lolo dhe një mbret”, “Unë dhe Mefistofeli” (dramë), “Ftesë për gjyq”, “Këngë dashurie dhe korba”, “Qyteti pa dashuri”, etj.
Bashkim Hoxha ka ftuar disa çmime rajonale dhe kombëtare në fushën e letërsisë. Një nga kontributet e çmuara të tij është edhe gazetaria me tipare të theksuara qytetare dhe sociale. Bashkim Hoxha ka shkuar edhe drama dhe skenare filmash,si filmi “Në çdo stinë”, “një vonesë e vogël”, “Plumba perandorit”, “Zemra që nuk plaken”,etj. Ai ka lindur në Berat në vitin 1954 dhe banon në qytetin e Durrësit.
Romani “Asnjëherë të martën”, wshtw botuar nga Shtëpia Botuese ONUFRI.
Neritana Kraja