Liderë botërorë, zyrtarë e drejtues të organizatave ndërkombëtare i kanë dërguar popullit kinez urime për Vitin e Ri, ndërsa Kina feston Vitin e Lepurit sipas zodiakut kinez.
Sekretarja e Përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) Kristalina Georgieva shprehu urimet e saj më të ngrohta për çdokënd që kremton Vitin e Lepurit, duke thënë se lepuri simbolizon qetësinë, paqen e lulëzimin e duke shpresuar që këto cilësi do të “transmetohen në bashkësinë ndërkombëtare për përballimin bashkërisht të sfidave të përbashkëta dhe për lulëzimin e përbashkët.”
Drejtoresha e përgjithshme e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) Ngozi Okonjo-Iweala u uroi Kinës dhe të gjithë popullit kinez “Gëzuar Vitin e Ri të Lepurit”.
Maimunah Mohd Sharif, drejtorja ekzekutive e Programit të Kombeve të Bashkuara për Vendbanimet Njerëzore (UN-Habitat), i shprehu urimet e saj për Vitin e Ri popullit kinez, duke thënë se vitin e kaluar organizata e saj zhvilloi bashkëpunimin me Kinën dhe se Shangai organizoi Veprimtarinë Globale Kryesore të Ditës Botërore të Qyteteve, që ka pasur rezultate frutdhënëse.
“Në Vitin e Lepurit, unë, në emër të UN-Habitat-it, u shpreh përshëndetjet e mia më të ngrohta popullit kinez dhe miqve të mi kinezë, duke u uruar një Vit të Lepurit me fat, shëndet dhe lumturi,” u shpreh Sharif.
Krahas krerëve të organizatave ndërkombëtare, edhe liderë e zyrtarë botërorë u kanë shprehur urimet e tyre Kinës dhe popullit kinez për Vitin e Lepurit.
Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau i dërgoi urimet e Vitit të Ri popullit kinez, duke i dëshiruar shëndet, lumturi, gëzim dhe paqe në Vitin e Lepurit.
Presidenti i Kosta-Rikës Rodrigo Chaves Robles u uroi gjithashtu popullit kinez dhe popujve të mbarë botës gjithë të mirat në Vitin e Ri Kinez.
Kryeministrja e Moldavisë Natalia Gavrilița i dëshiroi popullit kinez lumturi dhe shëndet në Vitin e Lepurit.
Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabic i uroi të gjithë popullit kinez një vit të lumtur dhe tha se kinezët në mbarë botën mund të dëgjojnë urimet nga miqtë e tyre serbë. Ajo i uroi gjithashtu Kinës të jetë më e lulëzuar dhe më e fortë në vitin 2023.
Ish-kryeministri i Japonisë Yasuo Fukuda i shprehu urimet e tij për Vitin e Ri popullit kinez gjatë pjesëmarrjes në një gala të Festës së Pranverës, të organizuar nga kinezët në Japoni, duke shprehur shpresën se marrëdhëniet kino-japoneze do të zhvillohen të qëndrueshme dhe të dyja vendet do të ruajnë marrëdhëniet miqësore. (Wang Lei/ Artan)