Këngëtarja e re Ergita Bahja është 18 vjeç, por dalja e saj e parë në skenë ka qenë në moshën 5 vjeç e gjysmë. Që nga ai moment e deri më sot, muzika për të është pjesë e pandarë e jetës. Krahas muzikës ajo ka pasion edhe pikturën. Ka kënduar në skenat e qyteteve të ndryshme brenda vendit si “Argjiro -Fest” në Gjirokastër, “Bilbilat e Adriatikut” në Durrës, “Jehona e Kaltërsisë” në Tiranë, “Festivali i këngës për fëmijë” në Fier, etj. Për herë të parë me një këngë origjinale ajo është prezantuar në spektaklin muzikor “Jeho” në vitin 2020. Një vit më pas në 2021 Ergita Bahja, vajza e kompozitorit Saimir Bahja, ka qenë pjesëmarrëse në rubrikën “Mam, po ti!” në programin “E diela shqiptare”, ku ka arritur të jetë në gjysmëfinale. Ergita Bahja ishte pjesëmarrëse së fundi në Kënga Magjike 2022. Kënga titullohet “Përgjithmonë” me muzikë dhe produksion të kompozitorit Gent Myftaraj, si dhe tekst të Sebastiana Breçanit. Ergita është mjaft aktive në rrjetet sociale me publikimin e covera-ve të ndryshëm në profilet e saj sociale. Në intervistë për Radio Ejani ajo tregon për fillimet në muzikë dhe planet në vazhdim.
CMG: Si ka nisur pasioni yt për muzikën?
Ergita Bahja: Pasioni im për muzikën ka nisur në moshën 5 vjeç e gjysmë, një moshë kjo relativisht e vogël për të kuptuar rëndësinë e vërtetë të muzikës, por duke u rritur kuptova që ajo është vetë jeta për mua, është njëjtë si ajri.
CMG: Cili ishte personi që insistoi se ti mund të bëheshe një këngëtare e mirë?
Ergita Bahja: Mësuese Gita ka qenë personi që ka insistuar më shumë që unë të merresha me këngën. Ajo nguli këmbë aq fort që unë të merrja pjesë në festivalin e këngës për fëmijë, sa që bindi edhe babin tim, i cili ishte shumë skeptik nëse unë do të qëndroja në skenë në një moshë aq të vogël. Por në të vërtetë ja dola.
CMG: Cila ishte kënga e parë që ke interpretuar në një skenë?
Ergita Bahja: Këngën e parë e kam interpretuar në festivalin e këngës për fëmijë. Ka qenë një këngë e kompozuar nga babai im dhe ka pasur këto vargje:” A më shihni mua ku jam sot, në këtë skenë kam dal të këndojë…” etj. Nuk e kujtoj të gjithën, por këto kanë qenë vargjet e para të këngës që më kanë mbetur në mendje dhe nga ai moment muzika u bë pjesë e pandarë e imja.
CMG: Si vazhdoi rrugëtimi yt?
Ergita Bahja: Kam kënduar në festivale të ndryshme brenda vendit si: “Argjiro fest” në Gjirokastër, “Bilbilat e Adriatikut” në Durrës, “Jehona e kaltërsisë” në Tiranë, “Festivali i këngës për fëmijë” në Fier, e shumë e shumë të tjerë ku kam marrë çmime të ndryshme, si çmimet e treta, të dyta apo edhe të para.
CMG: Me kë ke punuar më së shumti?
Ergita Bahja: Në fakt unë mentor kam babain tim. Ai është artist dhe më kritikon pafund, më shumë më kritikon sesa më lavdëron, por mendoj se kjo është gjë shumë e mirë sepse vërtet në këtë mënyrë shoh përmirësim dita- ditës edhe më tepër.
CMG: Ti ke qenë pjesë e konkursit të talentëve të rinj "Mam po ti". Si ishte për ty ajo eksperiencë?
Ergita Bahja: Po, kam qenë pjesë e rubrikës “Mam po ti”, ishte një eksperiencë shumë e mirë për mua. Më ka falur një kujtim shumë të bukur dhe të pazëvendëshueshëm me mamin dhe babin gjithashtu edhe pse formati mbante atë titull, pjesë e kujtimeve aty është edhe babi. Kam vërtet shumë kujtime të bukura aty, kam krijuar miqësi të ndryshme, me të cilët mbaj ende kontakte. Gjithashtu kam njohur artistë të mëdhenj dhe shumë të njohur të vendit tonë si; Ardit Gjebrea, Rovena Dilo, Rosela Gjylbegu dhe njëkohësisht kam marrë këshilla shumë të vlefshme prej tyre, që çdokush do të donte t’i merrte. Edhe pse ka mbaruar ky spektakël, unë i rikthehem fotove herë pas here dhe e kujtoj me shumë mall çdo moment aty.
CMG: Pas këtij konkursi ti more pjesë në festivalin "Kënga Magjike". Çfarë fitove nga ky festival?
Ergita Bahja: Më pas vjen “Kënga Magjike” që ka qenë një vendim midis meje dhe babit tim, të cilën e kam shijuar shumë. Aty kam fituar një çmim vërtet shumë të madh, kam fituar dashurinë e publikut. Kënga është mirëpritur shumë nga ata, feedback-u ka qenë shumë pozitiv dhe unë i falenderoj pafundësisht për dashurinë e tyre, suportin , çdo koment, video e çdo mesazh sepse sa herë i lexoj vërtet që lumturohem pamasë. Gjithashtu dua të falenderoj shumë edhe kompozitorin e këngës sime “Përgjithmonë” Gent Myftaraj që më ka dhuruar këtë këngë që e dua me gjithë forcën e shpirtit tim, si dhe teksti i shkruar nga Sebastijan Breçani, kishte vargje aq të bukura.
CMG: Të kam ndjekur “live” që poston covera të ndryshme nga këngët e njohura shqiptare. Si e sheh orientimin tënd në të ardhmen, në cilën rrymë muzikore?
Ergita Bahja: Po në fakt kam postuar shumë covera, por këto kohët e fundit pak më rrallë, i kam lënë pak pas dore. Orientimin tim e shoh në të ardhmen tek baladat, këngët “pop” sepse këtu e shoh veten më mirë, por siç është shprehja “kurrë mos thuaj kurrë” ndoshta mund edhe të eksperimentoj.
CMG: Momentalisht cili është angazhimi yt?
Ergita Bahja: Angazhimi im kryesor momentalisht është shkolla. Unë këtë vit jam maturante dhe shkolla do të jetë gjithmonë prioriteti im. Sigurisht që pas saj vjen muzika, që ka një vend shumë të veçantë tek unë.
CMG: Cili është synimi yt për të arritur?
Ergita Bahja: Për momentin synimi im është angazhim me shkollën. Meqënëse jam maturante synimi im është universiteti, por muzikën nuk do ta lë asnjëherë, kjo gjë është e sigurt. Dëshira është shumë e madhe që unë të kem në repertorin tim këngë të mira dhe të reja. Shpresoj që të ecë me hapa të vegjël, por të sigurt.
Intervistoi: Sava Lena