Foto nga VCG
Vitet e fundit është rritur vazhdimisht entuziazmi i mësimit të kinezishtes në Lindjen e Mesme. Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Egjipti, Tunizia etj. e kanë pranuar kinezishten në sistemin e arsimit të tyre kombëtar, ndërsa 16 vende të Lindjes së Mesme kanë krijuar fakultete të kinezishtes në shkollat e larta. Shumë mësues kinezë po punojnë jashtë vendit për mësimdhënien e kinezishtes, ndër ta profesori i Institutit të Shkencave Klasike e Shoqërore të Universitetit “Hamad Bin Khalifa” të Katarit, Zhao Jian.
Që nga viti 2015, Universiteti “Hamad Bin Khalifa” ka hapur kursin e kinezishtes, duke përfshirën dy klasa për fëmijët dhe për të rriturit. Profesori Zhao Jian shprehet: “Në klasën tonë për të vegjëlit mësojnë kryesisht fëmijë të kinezëve të ardhur nga Kina, Singapori, Malajzia etj. Familjet e këtyre fëmijëve i kushtojnë shumë rëndësi arsimit të kinezishtes për ta. Në klasën për të rriturit, gjysma e studentëve janë banorë të Katarit dhe pjesa tjetër të huaj që punojnë në këtë vend. Këta studentë kanë interes për kulturën kineze dhe shpresojnë ta njohin Kinën përmes mësimit të kinezishtes.”
Mjaft kinezë në Katar e falënderojnë shumë profesorin Zhao dhe kolegët e tij për mësimdhënien e kinezishtes në këtë vend. Kinezi Su Yingbiao ka jetuar në Katar për 15 vite dhe vajza e tij mbush 6 vjeç këtë vit. Su Yingbiao e përkrah shumë vajzën në mësimin e kinezishtes, sepse mësimi jo vetëm mund ta ndihmojë për të njohur kulturën tradicionale kineze, por edhe të krijojë më shumë mundësi për të ardhmen. Su Yingbiao thotë: “Është e nevojshme hapja e kursit të gjuhës amtare, ku fëmijët tanë jashtë vendit mund të mësojnë së bashku kinezishten. Ky kurs mund t’i ndihmojë fëmijët ta njohin kulturën kineze dhe do të jetë në favor të punës së tyre në të ardhmen, sepse lidhjet mes Kinës dhe vendeve të tjera janë bërë më të ngushta.”
Krahas fëmijëve të kinezëve jashtë vendit, shumë banorë të Katarit dhe të huaj në këtë vend kanë entuziazëm të madh për mësimin e kinezishtes. Sfondi i këtij entuziazmi është shtimi i pandërprerë i shkëmbimeve e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar e njerëzor mes Katarit e vendeve përreth dhe Kinës. Për të rinjtë e Katarit, mësimi i kinezishtes jo vetëm do të nxitë shkëmbimet mes dy vendeve, por edhe do t’u sjellë atyre mundësi në punë. 15-vjeçarja e Katarit Fathima Mohammad tregon: “Kam interes të madh për kulturën kineze, kam mësuar kinezishten për 5 vite me radhë. Jam e bindur se në të ardhmen Kina do të jetë më e lulëzuar dhe e fuqishme. Katari dhe Kina do të vendosin marrëdhënie më të ngushta në fushën politike, ekonomike etj., ndaj dëshiroj të jap kontributin tim në këtë fushë. Shpresoj që ta vizitoj Kinën në të ardhmen, kjo është ëndrra ime.”
Ahmed Ah Ali është një biznesmen nga Katari që merret me tregtinë e import-eksportit mes Katarit e Kinës. Në vitin 2019, ai vizitoi qytete si Guangzhou e Foshan të Kinës, kultura e lashtë e të cilave, populli entuziast dhe ushqimet e shijshme i kanë lënë përshtypje shumë të thella. Kjo vizitë ngjalli gjithashtu dëshirën e tij për kulturën e gjuhën kineze dhe vitin e kaluar, ai filloi të mësojë kinezishten. Ahmed Ah Ali shpreson që këtë vit të vizitojë përsëri Kinën për të forcuar bashkëpunimin ekonomiko-tregtar me kompani kineze. (Fani)