Foto nga VCG
Popullsia e Gjermanisë u rrit në një numër rekord të të gjitha kohërave prej të paktën 84.3 milionë banorësh në fund të vitit 2022, për shkak të emigracionit rekord neto.
Sipas një raporti të ri të Zyrës Federale të Statistikave (Destatis), 1.45 milionë njerëz më shumë u shpërngulën në Gjermani sesa u larguan nga vendi, citon “Xinhua”. Emigracioni neto ishte më shumë se katër herë më i lartë se një vit më parë dhe qëndroi në nivelin më të lartë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1950.
“Shifrat e reja tregojnë se emigrimi i jashtëm është i rëndësishëm për zhvillimin e popullsisë në Gjermani”,- tha për “Xinhua” Sebastian Kluesener, drejtor kërkimi në Institutin Federal për Kërkimin e Popullsisë (BiB).
Ndërkohë, “Destatis” nënvizoi se pa emigracionin neto, popullsia tashmë do të ishte zvogëluar që nga viti 1972, pasi që nga ajo kohë kanë vdekur më shumë njerëz sesa kanë lindur çdo vit.
Rritja e emigracionit në Gjermani në vitet e fundit është kryesisht për shkak të luftës dhe dhunës në Siri, Afganistan dhe Irak, si dhe konfliktin Rusi-Ukrainë kohët e fundit, tha “Destatis”. Emigrimi i vazhdueshëm është vërejtur edhe nga Rumania, Bullgaria dhe Polonia.
Në mesin e vitit 2022, ekonomisë më të madhe të Evropës i mungonin më shumë se gjysmë milioni punëtorë të kualifikuar në të gjitha grupet profesionale, sipas Institutit Ekonomik Gjerman. Sektori social dhe ai shëndetësor ishin më të prekurit. Prandaj, qeveria gjermane përditësoi Aktin e Emigracionit të Aftësuar të vendit në mënyrë që të përshpejtonte rekrutimin e punëtorëve të kualifikuar nga vendet joanëtare të BE-së. (Irma)