Nga Pekini, Edmond Laçi
Autori Edmond Laçi në CBD të distriktit Chaoyang, Pekin, 22 janar 2023
Mëngjesi i 22 janarit në Pekin i ngjan skenarit të një filmi apokaliptik. Rrugët e metropolit gjigand prej 22 milion banorësh janë pothuajse të boshatisura, ndërsa “mysafiri” i vetëm që vjen si me porosi nga qielli, është pikërisht Dielli. Edhe pse gjatë natës temperatura zbriti në minus 7 gradë Celsius dhe në disa zona perëndimore dhe veriore të kryeqytetit ra dëborë, në Pekin dhe në mbarë Kinën sot është jo vetëm dita e parë e vitit të ri, por edhe edhe dita e parë e Pranverës. Pas tre vitesh bllokimi për shkak të Covid-19, udhëtimi i Festës së Pranverës që njihet edhe si "lëvizja më e madhe e njerëzve në botë", këtë herë më shumë se kurrë duket se ka zbrazur qytetet e stërmëdha kineze. Pavarësisht thirrjes për vetëpërmbajtje nga autoritetet, vetëm në në 12 ditët para Festës së Pranverës (7-18 janar), hekurudhat, autostradat, rrugët ujore dhe aviacioni civil i Kinës kanë zhvendosur gjithsej 480 milionë pasagjerë. Megjitatë “eksodi” i vërtetë ka nisur dje në ditën e parë të pushimeve njëjavore, kur qindra e qindra milionë kinezë të tjerë janë nisur për të festuar pranë vendlindjes dhe familjeve të tyre, sidomos në zonat rurale.
Fluksi i udhëtarëve në stacion të trenit(Foto:VCG)
Prej natës së gjatë festive, por edhe eksodit të madh, sot në Pekin ke shansin e rrallë të ecësh apo të bësh një fotografi në mes të bulevardit qendror. Ndonjë taksi e rrallë apo autobus që udhëton pa asnjë pasagjer, shërbejnë për të kujtuar se nuk je përballë një fotoje stërmadhe të kryeqytetit. Ndërsa shumica e dyqaneve, bareve dhe restoranteve kanë lënë pas dyerve të mbyllura dhe fasadave kryesore vetëm maskotën e bukur të lepurit dhe një njoftim të shkurtër për hapjen e tyre në datën 28 janar. Festa e Pranverës për kinezët, por edhe një të katërtën e popullsisë botërore në Lindjen e largët, duke përfshirë Indonezinë, Filipinet, Vietnamin, dy Koretë, Malajzinë, Singaporin dhe Brunein, është e shenjtë.
Pamje nga Gala-ja e Festës së Pranverës (Foto:CMG)
Në fakt kremtimet në Kinë për Vitin e Ri Hënor nisën që mbrëmë, në orën 20.00 me atë të Pekinit, me shfaqjen e përvitshme televizive, të shumëpritur nga kinezët në të gjithë globin. Edhe këtë vit Grupi Mediatik i Kinës (CMG) s’mund të prezantohej pa një “herë të parë”, duke sjellë risi teknologjike si transmetimi i drejtpërdrejtë me teknologjinë e qartësisë ultra të lartë 8K, plus Tingujt e Ngjyrshëm 3D. Gala-ja përveç kinezishtes u transmetua edhe në 68 gjuhë të tjera, në më shumë se 700 media nga mbi 170 vende e rajone të botës. Jo më kot ky program është përfshirë në librin e rekordeve botërore “Guinness” si më i ndjekuri në botë që nga fillimi i tij në vitin 1983, me miliarda shikues çdo vit.
Mjekët vizitojnë nëpër familjet fshatare për të ofruar ndihma mjekësore anti-epidemike(Foto:VCG)
Ky vit është viti i lepurit, një simbol i qetësisë, elegancës dhe fatit. Dhe pikërisht këtë të fundit duket se kinezët e dëshirojnë më shumë këtë fillimviti, sidomos në shëndet. Edhe pse në pjesën më të madhe të vendit piku i infektimeve nga Covid–19 duket se tashmë ka kaluar, eksodi i madh i këtyre ditëve, i ka detyruar autoritetet të përgatiten për një valë të re infektimesh, sidomos në zonat rurale. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se janë shpërndarë më shumë se 57 milionë pako shëndetësore në këto zona, kryesisht për grupe të tilla si të moshuarit, fëmijët, njerëzit me sëmundje kronike ose në kushte të dobëta fizike, invalidët dhe gratë shtatzëna. Gjithsesi që nga 23 dhjetori i vitit të kaluar infeksionet kanë ardhur në rënie të vazhdueshme, deri në -94 për qind të arritur më 17 janar. Numri i pacientëve që iu drejtuan reparteve të urgjencës gjithashtu ra (-44 për qind), ndërsa situata në spitale u përcaktua afër normales, ku vetëm 0.5 për qind e pacientëve raportohet të shtrohen në spital për shkak të Covid.
Turistët në qytetin Datong të provincës Shanxi, 20 janar 2023(Foto:VCG)
Festimet për Vitin e Ri Hënor përfundojnë me Festën e Fenerëve që, sipas legjendës, i ka rrënjët në mitin e një përbindëshi që çdo 12 muaj dilte nga vendi i tij i fshehur për t’i bërë keq qenieve njerëzore. Këtë vit, kinezët me dekorimet e tyre të kuqe, vallëzimin e luanit, dritat e fenerëve dhe zhurmat e forta, më tepër se përbindëshin Nian, do kërkojnë të largojnë përfundimisht Covid-19.