Galaja e Festës së Pranverës 2023 nxit kulturën tradicionale me risi teknologjike
2023-01-22 00:10:45

Galaja e Festës së Pranverës, një shfaqje e përvitshme televizive e organizuar nga Grupi Mediatik i Kinës (CMG), u hap në orën 20:00 të së shtunës sipas orës së Pekinit, në vigjilje të Vitit të Ri Kinez.

Galaja e Festës së Pranverës, përmban një program të larmishëm, që nga këngët e vallet e deri te skeçet dhe numrat akrobatikë.

Skenografia e galasë së sivjetshme përfshiu konceptin "Man Ting Fang" të letërsisë klasike kineze, që do të thotë "lulet çelin plotësisht në mbarë kopshtin."

Galaja e këtij viti kishte përsëri shumë risi teknologjike dhe “herë të para”. P. sh., një transmetim i drejtpërdrejtë me teknologjinë e qartësisë ultra të lartë 8K plus Tingujt e Ngjyrshëm 3D, si edhe një kamera me qartësi ultra të lartë 8K e prodhuar nga vetë Kina u përdorën në këtë shfaqje madhështore. Teknologjia inteligjente e krijuar nga CMG-ja u përdor gjithashtu për të transmetuar në mënyrë të sinkronizuar galanë përkatësisht në versionet e qartësisë së lartë, 4K dhe 8K.

Galaja u transmetua në shumë kanale televizive e radiofonike dhe nëpër platforma mediash të reja brenda Kinës. Nëpërmjet kanaleve televizive në anglishte, spanishte, frëngjishte, arabishte e rusishte, si edhe platformave të mediave të reja në 68 gjuhë të CMG-së, u takua me audiencën botërore bashkë me më shumë se 700 media nga mbi 170 vende e rajone të botës.

Shikimi i Galasë së Festës së Pranverës është një pjesë e domosdoshme e kremtimit të Vitit të Ri Hënor nga populli kinez.

Ai është përfshirë në librin e rekordeve botorëre “Guinness” si programi më i ndjekur në botë që nga fillimi i tij në vitin 1983, me miliarda shikues çdo vit.

Festa e Pranverës këtë vit bie më 22 janar. Ky është Viti i Lepurit në kalendarin hënor kinez me 12 shenja zodiaku.