Ermonela Jaho (Foto Rtsh)
Sopranoja e mirënjohur shqiptare, Ermonela Jaho, u vlerësua me Çmimin Ndërkombëtar të Muzikës Klasike për vitin 2023, duke u shpallur kështu “Artistja e Vitit”.
Emri i Jahos bëri jehonë sërish edhe në këtë kompeticion virtuoz, duke spikatur mes emrave më të njohur të muzikës klasike botërore, në të cilin ishin nominuar mbi 350 prodhime artistike të artistëve ndërkombëtarë.
Në faqen zyrtare të Çmimeve Ndërkombëtare të Muzikës Klasike, cituar nga “RTSH”, është i pasqyruar edhe motivacioni me të cilin Ermonela Jaho është shpallur më e vlerësuara, në të cilin shkruhet: “Me bukurinë unike të zërit të saj madhështor, të udhëhequr me vendosmëri drejt shkëlqimit të lavdishëm, Ermonela Jaho mahnit me estetikën e saj të pastër vokale. Por kjo është vetëm njëra anë e artit të madh të këngëtares, tjetra është prezenca elektrizuese teatrale”.
Pak këngëtarë arrijnë një shkallë kaq të lartë të identifikimit me rolet e tyre, me një vërtetësi absolute dhe me një emocion prekës.
Çmimet e këtij kompeticioni muzikor do të ndahen më 21 prill, në një mbrëmje gala që do të mbahet në Poloni, gjatë Forumit Ndërkombëtar të Muzikës. (Irma)