Digjitalizimi i shërbimeve/ Ekonomi: Bëmë revolucion, u lëshuan 6.7 milionë dokumente me vulë elektronike
2023-01-21 12:03:17

Ministrja Milva Ekonomi (Foto:RTSh)

Ministrja Milva Ekonomi (Foto:RTSh)

Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi, ndërsa bëri një bilanc të dikasterit që drejton, e vuri theksin te digjitalizimi i shërbimeve për bizneset dhe qytetarët, si dhe te fiskalizimi.

Ministrja Ekonomi tha se në portalin e-Albania janë rreth 2.8 milionë përdorues. Sipas saj, gjatë vitit të kaluar pati 8.5 milionë aplikime për shërbime, u lëshuan  6.7 milionë dokumente me vulë elektronike, si dhe pati 17 milionë transaksione çdo muaj, shkruan “RTSH”.

Ajo theksoi se Shqipëria u rendit në vendin e 19-të në botë për shpejtësinë e shërbimeve digjitale, rregulloret, aftësitë, infrastuktura dhe bizneset.

“AKEP-i në raportin e vet tregon se Shqipëria ka mbulim për 99.9% të territorit duke vendosur 4G në pjesën më të madhe të territorit. Ne zëmë vendin e 8-të në botë”,- tha Ekonomi, ndërsa shtoi se një ndër sukeset e qeverisë gjatë vitit që lamë pas është dhe fiskalizimi. Ministrja theksoi se bizneset që aplikuan në fiskalizim gjatë 2022-shit ishin 111.062 duke çuar në 100% fiskalizimin për biznesin e madh dhe në 93% për biznesin e vogël. 

Ekonomi theksoi ndër të tjera se qeveria ka bërë një revolucion ndërsa u zotua se do të vijohet puna për përmirësimin e shërbimeve digjitale. (Irma)