Ylber Asllanaj, një jetë në skenë në ruajtjen e vlerave të muzikës shqiptare
2023-01-21 13:18:53

Muzikanti i njohur nga Kosova Ylber Asllanaj numëron shumë vite në skenë. Shumë emisione artistike e institucione i lidhim me emrin e tij, sikur edhe “Oxygen”, ansamblin popullor “Shota”, orkestrën “Korona” dhe Radio Televizionin Publik të Kosovës. Ai është udhëheqës artistik i Ansamblit “Shota”, i cili është një nga institucionet e para artistike dhe kulturore në Kosovë, ku ruan dhe zhvillon folklorin, këngët dhe vallet popullore shqiptare. Në një intervistë për Radio Ejani Asllanaj tregon për rrugëtimin e tij artistik, aktivtetet e ansamblit popullor “Shota” si dhe projektet në të ardhmen. 

Ylber Asllanaj me valltarin Rexhep Celiku (Facebook)

Ylber Asllanaj me valltarin Rexhep Celiku (Facebook)

CMG: Ju keni një karrierë të gjatë në lëvrimin e muzikës së mirëfilltë shqiptare, por kur ka nisur ky rrugëtim muzikor?

Ylber Asllanaj: Si gjithë secili muzikant kjo ka nisur që në fëmijëri, por është dhe shumë çështja e e traditës sepse dhe xhaxhai im ka studiuar muzikë, gjyshja ime e ndjerë ka qenë këngëtare shumë e mirë, kështu që unë jam rritur në një familje ku muzika ka qenë pjesë përbërëse e ditës. Natyrisht nga pasioni i madh kam mbaruar shkollën e muzikës në Prishtinë, fakultetin dhe pastaj kam studiuar dhe njëherë në fakultet për degën e dirigjimit. Ndërkohë  kam punuar me ansamblin ku për herë të parë kam filluar në vendlindje me ansamblin në Drenicë, Skenderaj dhe pastaj kur kam ardhur në Prishtinë jam futur me ansamblin akademik të studentëve “Ramiz Sadiku” me ndihmën e kompozitorit të njohur Valon Beqirit. Kam punuar edhe si profesor i shkollës së mesme të muzikës, por dhe në Fakultetin e Arteve si profesor i korit. Ndërkohë që punoj si redaktor i muzikës në Radio Televizionin e Kosovës. Para tetë vitesh dhe tani është viti i nëntë që unë jam drejtues artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Shota”.

CMG: Grupi muzikor “Korona” është nga grupet më të njohur në muzikën popullore shqiptare dhe ju jeni pjesë e këtij grupi. Si ka qenë ecuria e këtij grupi ndër vite?

Muzikanti Ylber Asllanaj (Facebook)

Muzikanti Ylber Asllanaj (Facebook)

Ylber Asllanaj: Sivjet do të festojmë 30 vjetorin e grupit, kështu që 30 vite jemi bashkë. Nevoja dhe pasioni për muzikën, dashuria për muzikën popullore si dhe obligimi moral që ta ruajmë dhe kultivojmë muzikën popullore tradicionale, ne me Valtonin, Mentorin, Fitimin dhe Valbonin atëhere themeluam grupin Korona dhe mundoheshim sadopak të ruajmë, të inçizojmë dhe kultivojmë këngët e bukura popullore shqiptare të të gjitha trevave. Natyrisht ne si të rinj kishim njëfarë dëshire që t’i avancojmë ata pak në aspektin harmonik, ritmik dhe vokal. Kemi kënduar që të gjithë në grup, ndërkohë na është bashkuar dhe këngëtari i njohur i hershëm Nisret Muçiqi.

Gjithashtu kemi bashkëpunuar me pothuajse të gjithë këngëtarët e njohur të muzikës shqiptare, duke filluar me Nisretin dhe të gjithë të muzikës popullore në Kosovë. Kemi inçizuar në atë kohë edhe me Irma Libohovën, Ibrahim Tukiçin e ndjerë, Bujar Qamilin, Kastriot Tushën, Artiola Toskën dhe shumë të tjerë.

CMG: A mendoni se ka ndryshuar shija për muzikën e mirëfilltë që ju keni kultivuar ndër vite?

Ylber Asllanaj (Facebook)

Ylber Asllanaj (Facebook)

Ylber Asllanaj: Në mënyrë absolute po, shija ka ndryshuar por për konceptin tim vlera asnjëherë. Natyrisht që me përparimin e teknologjisë për 30 vite muzika ka pësuar njëfarë ndryshimi. Në mendimin tim shija është ndryshuar pak, por vlerat kanë mbetur gjithmonë të njëjta. Unë e konsideroj akoma që ne jemi një ndër tre-katër popujt në botë që kemi muzikën tradicionale më me vlerë në botë.

CMG: Një nga instrumentat që ju jeni i pasionuar dhe e keni gjithmonë me vete është kitara. Luani në kitarë në çdo aktivitet muzikor?

Ylber Asllanaj: Unë fillimisht instrumentin e parë që kam filluar të luaj ka qenë mandolin, të cilën ma ka dhuruar i ndjeri xhaxhai im, që ka qenë profesor i muzikës dhe pas asaj kam marrë kitarën që kam filluar të luaj në ansamblin akademik të studentëve “Ramiz Sadiku”, ku dhe sot e kësaj dite luaj në kitarë. Është interesant fakti që unë asnjëherë nuk kam studiuar për kitarë klasike në fakultet, por kam studiuar dirigjimin dhe kitara më ka mbetur gjithmonë pasioni im më i madh në muzikë.

CMG: Flasim për Ansamblin Popullor “Shota” që është një nga institucionet e para artistike dhe kulturore në Kosovë  dhe ju prej vitesh jeni drejtues artistik i këtij ansambli. Cilat kanë qenë aktivitetet artistike që keni organizuar me këtë ansambël ?

Ansambli i Kosoves Shota (Facebook)

Ansambli i Kosoves Shota (Facebook)

Ylber Asllanaj: Kur jam bërë drejtor artistik i ansamblit, pra  kur më kanë ofruar të konkurroja dhe jam pranuar, e kam pasur njëfarë ndjenje të skepticizmit duke e ditur vlerën e ansamblit sepse është e vërtetë që ansambli “Shota” është një prej institucioneve kulturore më të vjetra dhe më të suksesshme të Kosovës. Ka marrë pjesë në qindra festivale dhe pothuajse asnjëherë nuk është kthyer pa njërin nga çmimet e garave. I vetmi ansambël shtetëror i Tiranës ka zënë vendin e parë në Dizhon  dhe ansambli “Shota” në një periudhë ndoshta pak më herët ose ndoshta më vonë e ka zënë vendin e dytë në festivalin më prestigjoz i folklorit në botë. Kjo gjë më ka mbushur dhe ngarkuar me përgjegjësi të jashtëzakonshme, dhe kur kam marrë ta drejtoj ansamblin qëllimi im ka qenë që së paku ta mbaj ansamblin në nivelin të cilin e kam marrë  dhe natyrisht mundohemi që të ecim përpara çdo ditë e më shumë. Unë konsideroj që ansambli ka përparuar në një nivel shumë të lartë dhe është një prej ansambleve ndoshta më të mira, duke respektuar dhe krahasuar me ansamblin popullor në Tiranë dhe ansamblin e këngëve dhe valleve në Maqedoninë e Veriut. Jemi të tre ansamblet, të cilët kultivojmë me seriozitet dhe në mënyrë jashtëzakonisht artistike këngën, vallen dhe kostumografinë tradicionale. Aktivitetet e ansamblit janë kryesisht koncerte, ku në 4-5 vitet e fundit ne kemi filluar të bashkëpunojmë jashtëzakonisht mirë edhe me ansamblin popullor të Tiranës. Pothuajse çdo vit ne kemi së paku dy deri në tre koncerte të përbashkëta me kolegë nga Tirana dhe vazhdojmë të kultivojmë muzikën tradicionale, duke e prezantuar brenda dhe jashtë vendit me shumë sukses.

Ansambli Shota gjate nje performance (Facebook)

Ansambli Shota gjatë një performance (Facebook)

CMG: A keni angazhuar dhe talente të rinj qoftë këngëtarë, valltarë dhe instrumentistë pranë ansamblit popullor “Shota?

Ylber Asllanaj: Edhe pse për arsye institucionale dhe ligjore ka mjaft vështirësi që të inkuadrohen sepse vendet e punës janë të kufizuara në ansambël. Megjithatë ne kemi arritur që të angazhojmë valltarë, instrumentistë dhe këngëtarë të rinj dhe këtë vit presim sepse na ka premtuar ministria që do të punësojmë dhe 10 anëtarë të rinj si instrumentistë dhe këngëtarë të talentuar. Mezi po presim që t’i marrim në gjirin tonë dhe të vazhdojmë të kultivojmë dhe ta mbartim traditën e mirë të ansamblit tek të rinjtë.

CMG: Çfarë muzike lëvroni më tepër tek pjesët muzikore të ansamblit?

Ylber Asllanaj: Qëllimi është që të kultivohet dhe ruhet me fokus në muzikën e trevës kosovare dhe të veriut të Shqipërisë sepse është një fakt interesant që muzika e jugut është shumë e vështirë për instrumentistë dhe muzikantë të tjerë që ta kultivojnë në mënyrë të denjë, ashtu siç e meriton ajo. Prandaj ne më shumë jemi të fokusuar nga Shqipëria e mesme dhe më lart, por me fokus në traditën muzikore, koreografike dhe kostumografike të trevës së Kosovës, duke përfshirë edhe nga pak shqiptarët e Malit të Zi, deri tani dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por tani për fat të mirë dhe atje është krijuar një ansambël i këngëve dhe valleve popullore.

Ansambli Shota në skenë (facebook)

Ansambli Shota në skenë (facebook)

CMG: Para pak kohësh ansambli popullor “Shota” ishte në një festival ndërkombëtar folklorik në Turqi. Si u prit ky ansambël atje?

Ylber Asllanaj: Ishte një nga festivalet e Federatës Botërore të festivaleve të Folklorit (FIDAF), ku ne marrim pjesë shpesh. Këtë herë ishim në Bursa të Turqisë dhe kësaj here jemi vlerësuar me vendin e dytë pas ansamblit të Gjeorgjisë, në konkurrencë prej 20 shteteve. Në Bursa ku ka shumë shqiptarë dhe na kanë pritur jashtëzakonisht mirë dhe publiku ka qenë shumë i dashur. Ne si ansambël kemi qenë shumë të kënaqur me prezantimin tonë dhe me mikëpritjen e tyre.

CMG: Cilat janë objektivat tuaj personale si muzikant si dhe me ansamblin “Shota” për këtë vit?

Ylber Asllanaj: Përsa i përket objektivave të mia natyrisht unë dua që të kontribuoj me sa mundem në muzikë, duke punuar edhe në ansambël, por duke vazhduar të punoj dhe me grupin “Korona”. Unë kam qenë themelues i një prej ansambleve vokale më të mira që kemi pasur Oktetit plus të burrave dhe synojmë të vazhdojmë për të përparuar në nivelin dhe aktivitetin tonë muzikor më tutje.

Intervistoi: Gazmend Agaj