Shefi i OPEC-ut: Shumë i sigurt për ekonominë e Kinës
2023-01-20 17:12:58

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) u shpreh shumë i sigurt për ekonominë e Kinës.

Gjatë një interviste për “Xinhua”, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror (WEF), i pyetur për rihapjen e Kinës pas Covid-19, Haitham Al Ghais deklaroi se kjo do të thotë shumë për ekonominë globale, për energjinë dhe për tregtinë midis Kinës dhe pjesës tjetër të botës. Sipas tij, kjo ka një ndikim tepër të rëndësishëm.

“Duke jetuar në Kinë për gati katër vjet kam besim te ky vend. Gjithmonë kam pasur besim në ringritjen e ekonomisë kineze”,- theksoi ai.

Kuvajtiani Al Ghais mori postin e sekretarit të përgjithshëm të OPEC-ut në gusht, duke pasuar shefin e ndjerë Mohammad Barkindo, i cili ndërroi jetë në korrik të vitit të kaluar.

Kina raportoi rritje të qëndrueshme ekonomike në vitin 2022, pavarësisht presioneve, duke përfshirë ringjalljen e Covid-19 dhe një mjedis të jashtëm të komplikuar, me produktin e saj të brendshëm bruto (PBB) që arrin nivele të larta.

Ekonomia u rrit me 3 për qind në baza vjetore në një nivel rekord prej 121 trilionë juanë (18 trilionë dollarë amerikanë) në vitin 2022, bëri të ditur këtë javë Zyra Kombëtare e Statistikave në Kinë (NBS).

“Ne kemi shumë besim tek ekonomia kineze, te forca e lidershipit, te qeveria dhe populli i Kinës. OPEC-u dhe Kina kanë pasur një marrëdhënie të gjatë dhe një dialog të fortë, të cilin ne si dhe vendet tona anëtare e kemi shijuar gjatë kaq shumë viteve”,- tha shefi i OPEC-ut, duke theksuar rëndësinë e tranzicionit të energjisë së gjelbër në Kinë.

“Ne jemi jashtëzakonisht krenarë për hapat e ndërmarrë nga qeveria kineze për të promovuar energjinë e rinovueshme si pjesë e përzierjes së energjisë që kërkohet për Kinën për të nxitur zhvillimin e saj të vazhdueshëm dhe rritjen ekonomike”- tha ai.

Shefi i OPEC tha se bota do të kërkojë të gjitha burimet e energjisë, e cila përshtatet në përputhje me tranzicionin kinez të energjisë së gjelbër, ku do të kërkohen të gjitha burimet e energjisë. Ai përshëndeti objektivat ambicioze të Kinës që janë përcaktuar nga udhëheqja si neutrale ndaj karbonit.

Më 21 shtator 2020, Kina njoftoi në sesionin e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) se synon të ketë kulmin e emetimeve të CO2-shit përpara vitit 2030 dhe të arrijë neutralitetin e karbonit përpara vitit 2060. (Irma)