Në prag të Vitit të Ri Kinez, një shfaqje dritash nga Grupi Mediatik i Kinës do të jepet të premten dhe të shtunën në ndërtesën më të lartë të botës, Kullën “Burj Khalifa” të Dubait, duke i dërguar botës urime nga Kina.
Kulla “Burj Khalifa”, në qendër të qytetit Dubai, është 828 metra e gjatë. E gjithë kulla përbën ekranin më të madh LED në botë. Shfaqja e dritave e CMG-së do të integrojë elementet e pasura kineze me teknologjinë e lartë, dhe do të realizojë efekte speciale 3D pa syze nëpërmjet projeksionit të dritave me rezolucion 8K, duke i sjellë botës një shfaqje shumëngjyrëshe me dritëhije.
Kjo shfaqje dritash përbëhet nga tre kapituj. Kapitulli i parë është me temën e dhjetëvjetorit të nismës “Një brez, një rrugë”. Nëpërmjet produktit të rëndësishëm të Rrugës së lashtë të Mëndafshit, çajit kinez, shfaqet miqësia midis Kinës e botës arabe dhe rezultatet e frytshme të bashkëpunimit kino-arab në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë”.
Kapitulli i dytë ka si temë Lojërat e 31-ta Universitare Botërore në Chengdu. Dy panda simpatike ecin nëpër elementet e qytetit Chengdu duke i dërguar ftesë botës.
Kapitulli i tretë lidhet me Festën e Pranverës dhe Galanë e Festës së Pranverës të CMG-së 2023. Ky kapitull i shfaqjes do të përfshijë sfondin e kuq, elemente tradicionale kineze, muzikë festive dhe logon kryesore e maskotin e galasë “Tuyuanyuan”, duke krijuar atmosferën e gëzuar festive. CMG-ja do t’u japë miqve brenda dhe jashtë Kinës urime për Vitin e Ri Kinez.
Si festa më e rëndësishme e Kinës, Festa e Pranverës po tërheq vëmendjen e botës me hijeshinë e saj. CMG-ja ka zhvilluar bashkëpunim me Grupin “Burj Khalifa” për katër vjet me radhë për shfaqjen e dritave me temën e Vitit të Ri Kinez. Platformat e ndryshme të CMG-së do t’ju japin më shumë informacion rreth shfaqjes. (Li Huailiang/Artan)