Shqipëria hap zyrtarisht ambasadën në Kiev
2023-01-20 18:16:48

Shqipëria do të ketë zyrtarisht ambasadën e saj në Kiev të Ukrainës. Ky vendim ishte paralajmëruar më herët nga Ministria e Jashtme, ndërsa Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin, i cili hyn në fuqi menjëherë.

Shpenzimet e Ambasadës Shqiptare në Kiev do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Jashtme për vitin 2023, shkruan “RTSH”.

Shqipëria kishte në Kiev vetëm një mision të posaçëm, që tashmë është mbyllur me vendim qeverie, duke futur në fuqi ngritjen e Ambasadës së parë Shqiptare në Ukrainë.

Më herët ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, tha se hapja e ambasadës shqiptare në Kiev do të bëhej në kuadër të 30-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë vendosur më 13 janar 1993, ndërsa Ukraina ka hapur ambasadën e saj në Tiranë në shtator të vitit 2020. Ambasador i saj është emëruar Volodimir Shkurov, i cili është ende në detyrë. (Irma)