Ambasadori Zhou Ding viziton komunitetin kinez në Tiranë
2023-01-20 16:27:10

Të mërkurën, ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding vizitoi komunitetin e bashkatdhetarëve kinezë që jetojnë në Tiranë, duke u shprehur atyre urime me rastin e Festës së Pranverës, duke u dhënë dhurata dhe duke biseduar me ta.

Ambasadori Zhou Ding u shpreh në bisedë se në vitin 2022, Komiteti Qendror i PKK-së me Xi Jinping-un në krye bashkërendoi parandalimin e kontrollin e pandemisë me zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe e udhëhoqi popullin kinez të kombësive të ndryshme të kapërcejë vështirësitë, duke realizuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe duke sjellë përmirësimin e pandërprerë të mirëqenies së popullit. Kongresi i 20-të Kombëtar i PKK-së ka hartuar planin e kthimit të Kinës në një vend modern socialist dhe të realizimit të rilindjes së kombit kinez nëpërmjet modernizimit. Ky plan jo vetëm përcakton drejtimin e zhvillimit të Kinës në të ardhmen, por edhe do të promovojë shkëmbimet miqësore e bashkëpunimin ndërmjet Kinës dhe vendeve të ndryshme të botës, duke përfshirë Shqipërinë.

Ambasadori kinez tha se në vitin 2022, marrëdhëniet kino-shqiptare kanë ruajtur prirjen e zhvillimit të shëndetshëm dhe bashkëpunimi dypalësh në fushat ekonomiko-tregtare, arsimore, turistike etj. ka pasur përparime. Në 11-mujorin e parë të vitit të kaluar, vëllimi i tregtisë ndërmjet Kinës e Shqipërisë u rrit 15.24 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2021, dhe Kina vazhdoi ta ruajë statusin e partneres kryesore tregtare e të investimeve të Shqipërisë. Para dy ditëve, Kina dhe Shqipëria nënshkruan marrëveshjen e heqjes receproke të vizave, gjë që do të promovojë më tej shkëmbimet njerëzore e bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat. Përfaqësuesi i diplomacisë kineze në Shqipëri shprehu bindjen se, me nxitjen e nismës "Një brez, një rrugë" dhe të mekanizmit të "Bashkëpunimit Kinë-Vendet e Europës Qendrore e Lindore", marrëdhëniet kino-shqiptare do të zhvillohen pandërprerë.

Përfaqësuesit e komunitetit kinez në Shqipëri e falënderuan ambasadorin Zhou Ding për urimet e përshëndetjet e ngrohta me rastin e Festës së Pranverës dhe u shprehën se në vitin 2022, atdheu pati rezultate të dukshme në zhvillimin ekonomik e shoqëror. Kinezët jashtë vendit janë të kënaqur për zhvillimin e sukseshëm të Kongresit të 20-të Kombëtar. Në vitin 2023, ata do të punojnë me zell për të dhënë kontributin e vet për zhvillimin e atdheut dhe thellimin e miqësisë kino-shqiptare. (Fani)