Porti i ri tregtar në Porto Romano, facilitete moderne dhe kapacitete të mëdha
2023-01-19 14:27:33

U prezantua zyrtarisht projekti i Portit të ri Tregtar në Porto Romano dhe detajet i ka dhënë në një intervistë për mediat Drejtori i Autoritetit Portual në Durrës Pirro Vengu. Sipas tij, Porti i Ri Tregtar do të ofrojë facilitete moderne me kapacitete shumë herë më të mëdha.

“Porti i ri tregtar në Porto Romano është në fakt pjesë e një strategjie të qeverisë shqiptare për të ndërtuar facilitetet të reja tregtare, larg zonave të banuara në zona industriale për të bërë jo vetëm terminale të reja portuale, por për të shfrytëzuar dhe hapësirën logjistike në tokë. Ajo që synon qeveria shqiptare të ndërtojë në Porto Romano është të ndërtojë facilitete moderne mbi thellësi shumë herë më të madhe se ajo qe kemi në Portin e Durrësit për të akomoduar anije më të mëdha, ngarkesa më komplekse, duke u përqendruar kryesisht zemra e aktivitetit ekonomik në portet evropiane, që janë kontejnerët. Faza e parë e zhvillimit në Porto Romano do të zgjasë 3 vite dhe do ketë një vlerë investimi rreth 390 milionë euro. Do të sigurojë një basen të ri, një kanal hyrës të ri, kalata të reja portuale për kontejnerët dhe terminal të ri kontejnerësh bashkë me ndërlidhjen me hekurudhën dhe rrugën”, u shpreh Vengu

Strategjia për ndërtimin e këtij porti është afatgjatë sipas  drejtorit Vengu.

“Kjo është një strategji afatgjatë e miratuar që në vitin 2020 nga qeveria shqiptare dhe ka nisur të zbatohet dhe në Vlorë, me një port të ri tregtar në Triport. Pra aktiviteti tregtar dhe komercial dhe i pasagjerëve në Vlorë është transferuar në Triport dhe Vlora, porti i qytetit, porti historik ridimensionohet për arsye turistike, jahtesh dhe zhvillimi të një niveli të lartë të turizmit elitar. E njëjta gjë po ndodh edhe në Durrës. Janë dy projekte që janë anë të së njëjtës medalje dhe është pikërisht pse të dy projektet po administrohen nën ombrellën e një autoriteti portual. Duhet të kuptojmë që dy projektet në Durrës qoftë porti  i ri tregtar apo dhe turistik do të administrohen nga i njëjti autoritet, që është Autoriteti Portual Durrës. Duken dy porte por shkojmë drejt një modeli të ri, jo një autoritet me një port, por një autoritet me dy porte të specializuara.”-shprehet Vengu.

Si lindi nevoja për ta zhvendosur portin tregtar nga vendi aktual në Porto Romano?

“Disa prej arsyeve që kanë çuar qeverinë drejt kësaj strategjie për ta zhvendosur aktivitetin tregtar janë nevojat për sa i përket sigurisë portuale, për mjedisin. Duhet ditur që aktiviteti portual është një aktivitet me kapacitet që ndot ambientin dhe na duhen facilitete me infrastrukturë të re moderne që janë më të gjelbërta, më të përditësuara dhe rinovuara se ato që kemi aktualisht në Portin e Durrësit. Porti i ri tregtar në Porto Romano ka kapacitete përpunimi shumëfish më të mëdha më thellësi më të madhe, akomodim anijesh më të mëdha. Kemi një trefishim të kapaciteteve në raport me kapacitetet aktuale për kontejnerët në Durrës. Pra kjo është një shifër interesante për t’u mbajtur mend dhe kemi edhe potencialet e zhvillimit në tokë. Aktualisht Porti i Durrësit është i rrethuar nga qyteti. Shpesh herë qyteti pengon portin në zhvillimin e ndërsjellë, duke i krijuar shumë problematika që nga mjedisi por edhe trafiku, siguria, dhe të gjithë elementët që përbëjnë një port me standarde evropiane. Në Porto Romano kemi një hapësirë pothuajse të pafundme për zhvillim, kemi disa qindra hektarë tokë që do vihen në dispozicion të projektit dhe këto përbëjnë mundësi për terminale logjistike, mundësi akomodimi për veprimtari prodhuese, që sot nuk i akomodojmë në portin aktual. Duhet të kuptojmë që një port i ri tregtar nuk është vetëm një mundësi për të ngarkuar dhe shkarkuar mallra. Është një mundësi për të qenë tërheqës për sa i përket aktivitetit logjistik që ne nuk e ofrojmë dot. “-tha Vengu.

Pjesë e projektit të Portit të ri Tregtar në Porto Romano janë edhe dy terminalet logjistike.

“Për sa i përket logjistikës intermodale me hekurudhën, pra transportimi nga një rrugë detare në një rrugë hekurudhore. Transportimi për sa i përket magazinimit të kontejnerëve të mallrave dhe gjithë rrjetin rrugor dhe hekurudhor që po përpiqemi të ndërtojmë me mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe partnerëve tanë në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut. Një komponent i rëndësishëm i Porto Romanos dhe pjesë përbërëse e investimit janë dhe dy terminalet logjistike, portet e thata në Strugë dhe Prishtinë. Janë dy komponentë shumë të rëndësishëm që e bëjnë edhe më të dobishëm këtë investim në Porto Romano. “-theksoi Pirro Vengu.

Aktualisht sipas të dhënave, 30% e mallrave që përpunohen në Portin e Durrësit janë ose në drejtim të Kosovës ose vijnë për eksport nga Kosova drejt vendeve të tjera

“Aktualisht nëse gjykojmë në terma klientësh të portit, Porti i Durrësit ka dy klientë kryesor që është Tirana dhe Prishtina. Pra mallrat që përpunohen në Portin e Durrësit qoftë në import apo eksport kanë si partnerë kryesorë apo destinacion kryesor Tiranën dhe aktivitetin industrial ekonomik në Tiranë dhe Prishtinë. Në një raport aktualisht 70% dhe 30%. 30% e mallrave që përpunohen në Portin e Durrësit janë ose në drejtim të Kosovës ose vijnë për eksport nga Kosova drejt vendeve të tjera. E gjithë industria detare do thoja unë, jo vetëm ajo logjistike në Kosovë dhe në Maqedoninë e veriut, por gjithë industria detare, e logjistikës, rrugore, hekurudhore e ka mirëpritur si lajm. Është një lajm që pritet prej vitesh. Kjo është një strategji afatgjatë e qeverisë. Ka vite dhe dekada që përmendet Porto Romano si zonë portuale dhe industriale dhe ka ardhur momenti të bëhet realitet. “- tha drejtori i Autoritetit Portual Durrës.

Ai vlerëson fokusin e qeverisë në investimet në infrastrukturë, porte e aeroporte.

“Po jap vetëm një indicie për sa i përket vlerës së investimit. Duhet të kemi parasysh që për sa i përket të gjitha investimeve që mund të kenë bërë qeveritë të ndryshme në këto 32 vjet në infrastrukturën portuale dhe detare kanë bërë vetëm 1 të 4 e kësaj vlere. Ndërkohë qeveria ka ecur me hekurudhën me aeroportet, me rrugët. Pra kemi një infrastrukturë tokësore dhe ajrore që po fillon të jetë e qenësishme. Ka ardhur momenti që sforcoja financiare dhe projektuese dhe zhvilluese të shkojë drejt porteve, të cilat janë pikat hyrëse në fakt që i bëjnë këto arterie rrugore dhe hekurudhore dhe eficente.“-  u shpreh drejtori i Autoritetit Portual Durrës Pirro Vengu në intervistën për mediet.