Italia e mbylli vitin 2022 me normë rekord inflacioni
2023-01-19 18:10:56

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Çmimet në Itali u rritën në nivele rekord në vitin 2022. Entiteti i statistikave të qeverisë, ISTAT, njoftoi se për vitin në tërësi, çmimet ishin mesatarisht 8.1 për qind më të larta se një vit më parë, niveli më i lartë në Itali që nga futja e monedhës euro në vitin 1999, bën të ditur “Xinhua”. Në vitin 2021, rritja nga viti në vit ishte vetëm 1.9 për qind.

Rritja e çmimeve ishte edhe më dramatike në fund të vitit: në dhjetor, çmimet ishin 11.6 për qind më të larta se në dhjetor 2021 dhe në dy muajt e mëparshëm rritja nga viti në vit ishte 11.8 për qind.

ISTAT-i bëri të ditur se faktori kryesor që rrit çmimet ishin kostot më të larta të energjisë që rrjedhin nga konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës.

Megjithëse rritja e kostove të energjisë ka pasur një ndikim në të gjithë Bashkimin Evropian dhe më gjerë, problemi është veçanërisht i mprehtë në Itali. Para fillimit të krizës në Ukrainë, vendi ishte shumë i varur nga importet e gazit natyror rus.

Ekonomia italiane është gjithashtu eksportuesi i dytë më i madh i Bashkimit Evropian, por kjo është ndikuar shumë nga kostot më të larta të prodhimit dhe transportit.

Norma e inflacionit për zonën e monedhës euro në dhjetor ishte 9.2 për qind, sipas shifrave paraprake të Eurostat, nga 10.1 për qind në nëntor.

Shoqata kryesore italiane e biznesit “Confesercenti” tha se rritja e çmimeve po godet më së shumti njerëzit më të varfër në Itali, me një përqindje më të madhe të të ardhurave të tyre të përdorura nga kostoja e energjisë dhe produkteve të tjera të ndjeshme ndaj inflacionit. Norma e vlerësuar e inflacionit për familjet e varfra në vend është 16 për qind.

“Pamja për vitin 2023 mbetet e pasigurt, me një ndryshim në normën e inflacionit që do të mbetet mbi 5 për qind”,- bëri të ditur “Confesercenti” të martën, duke vlerësuar se edhe nëse çmimet e energjisë stabilizohen, ato do të jenë deri në 150 për qind më të larta këtë vit se sa ishin në 2009-n. (Elona)