Forumi i Davosit, Rama: Sulmet kibernetike, më të këqija se pandemitë
2023-01-19 17:45:56

Mbrojtja kibernetike ka qenë kryefjala e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, i cili po mbahet në Zvicër. Vënia e theksit në këtë temë nga kreu i qeverisë ka marrë shkas nga sulmi kibernetik që Irani ndërmori ndaj Shqipërisë.

Rama u shpreh para të pranishmëve në forum se Shqipëria ia doli që t’i bënte ballë sulmit, duke pasur parasysh se qëllimi i keqbërësve ishte ta shkatërronte tërësisht sistemin e shërbimeve digjitale të Shqipërisë, citon “RTSH”.

“Ne e dimë shumë mirë që kapaciteti i atyre që bëjnë këto sulme është shumë i madh. Nuk njoh një vend që nuk e ka përjetuar një situatë të tillë dhe ndonjëherë edhe me dëme të mëdha. Të flasësh për përgjegjësi është shumë e lehtë, por ne do ta adresojmë problemin në sofistikimin e mbrojtjes. Mendoj se ne rezistuam shumë mirë, në krahasim me targetin që kishin sulmuesit. Qëllimi i tyre ishte ta fshinin totalisht sistemin tonë digjital dhe të na rikthenin tek epoka e letrës. Kjo nuk ndodhi dhe ne ia dolëm”,- nënvizoi kryeministri.

Kreu i qeverisë shqiptare ka ofruar edhe një tablo të përpjekjeve të Shqipërisë drejt digjitalizimit, duke e quajtur këtë një histori suksesi. Sipas tij, Shqipëria gjeti te digjitalizimi një bekim të madh, pasi mundësia e tij për të ndryshuar është shumë e nevojshme për vendet në zhvillim.

Kryeministri Rama tha se ndërtimi i mburojës kibernetike kërkon kohë dhe mbi të gjitha shumë fonde, por është e domosdoshme, pasi ky sulm kibernetik mund të kalonte kostot edhe të ekonomive të SHBA-ve dhe të Kinës.

Sulmet kibernetike, sipas Ramës, janë më keq se pandemia. (Elona)