Liu He-Yellen, bisedime “të sinqerta” mbi përgjigjen e përbashkët ndaj sfidave
2023-01-19 15:24:48

Zëvendëskryeministri kinez Liu He pati një bisedë të sinqertë me sekretaren e Thesarit të ShBA-së Janet Yellen rreth çështjeve makroekonomike e financiare gjatë takimit të tyre në Zyrih të Zvicrës të mërkurën.

Kjo shënon takimin e tyre të parë ballë për ballë, pas tre takimeve virtuale që nga qershori 2021, duke pasuar konsensusin e rëndësishëm të arritur nga dy krerët e shtetit në Bali të Indonezisë.

Të dy palët pranuan se forcimi i komunikimit dhe koordinimit të politikave makroekonomike dhe reagimi i përbashkët ndaj sfidave janë me dobi për Kinën, Shtetet e Bashkuara dhe të gjithë botën, teksa rimëkëmbja ekonomike globale është në një moment kritik.

Duke e quajtur bisedën "pragmatike dhe konstruktive," të dy palët diskutuan mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në sektorët makroekonomike dhe financiarë.

Ata e pranuan rëndësinë e bashkëpunimit të qëndrueshëm financiar dhe ranë dakord të forcojnë bashkëpunimin dypalësh e shumëpalësh.

Të dy palët ishin në një mendje gjithashtu që të vazhdojnë të mbështesin zhvillimin e gjelbër dhe me lëshim të ulët të karbonit dhe transformimin ekonomik të tregjeve të reja dhe të vendeve në zhvillim.

Liu He shprehu mirëpritjen për vizitën e Yellen-it në Kinë në një kohë të përshtatshme këtë vit. Të dy palët ranë dakord që ekipet ekonomike dhe tregtare të Kinës dhe ShBA-së të mbajnë komunikimin në të gjitha nivelet.