Kryeministri kinez mban simpozium me ekspertët e huaj në Kinë
2023-01-19 15:20:47

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Kryeministri kinez Li Keqiang mbajti të mërkurën në Pekin një simpozium me ekspertë të huaj që punojnë në Kinë.

Kryeministri Li u shprehu urime për Vitin e Ri Kinez ekspertëve të huaj e të afërmve të tyre dhe i falenderoi ata për kontributin e tyre në reformën, hapjen e modernizimin e Kinës dhe për nxitjen e shkëmbimeve e të bashkëpunimit të Kinës me vendet e tjera.

Ai shprehu shpresën se ekspertët e huaj do t'i shfrytëzonin tërësisht epërsitë e tyre dhe do të jepnin më shumë këshilla e sugjerime për punën e qeverisë kineze. Ekspertët nga vende të tilla si Gjermania e Singapori dhanë këshillat e sugjerimet e tyre gjatë simpoziumit.

Kryeministri i Kinës vuri në dukje që ekonomia kineze ndeshet me shumë sfida e vështirësi, por shprehu besimin se, me zbatimin e masave të përmirësuara të parandalimit e kontrollit të COVID-19, ajo do të mëkëmbet me shpejtësi.

Li theksoi se Kina është e vendosur t'i japë përparësi kryesore zhvillimit, të ndjekë me vendosmëri reformën e orientuar nga tregu, të mbrojë më mirë të drejtat e interesat e investitorëve të huaj, të rritë besimin e ndërmarrjeve private dhe të nxisë një mjedis ndërkombëtar biznesi të orientuar nga tregu dhe të bazuar në ligj.

Sipas tij, Kina mbetet e angazhuar ndaj politikës së saj bazë shtetërore të hapjes dhe do ta hapë më tej tregun e vet të brendshëm, duke lehtësuar hyrjen në treg të investimeve të huaja.

Li vuri në dukje se qeveria kineze mirëpret më shumë talente të huaja të vijnë për të punuar në Kinë dhe do të vazhdojë të përmirësojë nivelin e lehtësive dhe shërbimeve për ekspertët e huaj që punojnë në Kinë.