Foto nga VCG
Në një ceremoni ndërkombëtare të martën, Kopenhaga, kryeqyteti i Danimarkës, mori zyrtarisht titullin Kryeqyteti Botëror i Arkitekturës 2023 i UNESCO-s me rekomandimin e Unionit Ndërkombëtar të Arkitektëve (UIA).
Ceremonia u hap nga lartësia e tij mbretërore, princi i Kurorës Frederik, mbrojtësi i vitit të Kryeqytetit Botëror të Arkitekturës.
Gjatë gjithë vitit 2023, Kopenhaga pritet të organizojë mbi 300 evente dhe ekspozita të lidhura me arkitekturën me temën gjithëpërfshirëse “E ardhmja e qëndrueshme - Mos lini askënd prapa”, bën të ditur “Xinhua”. Një nga pikat kryesore do të jetë Kongresi Botëror i Arkitektëve UIA 2023 në korrik, ku pritet të marrin pjesë më shumë se 10.000 profesionistë.
Kryetarja e bashkisë së qytetit, Sophie Andersen, tha se e konsideron një mundësi unike për të shfaqur zgjedhjet daneze në arkitekturë, zhvillimin urban dhe qëndrueshmërinë, si dhe një rast të rëndësishëm për dialog mbi zhvillimin e ardhshëm të kryeqytetit.
“Nëse Kopenhaga do të vazhdojë të jetë ndër qytetet më të mira në botë, ne duhet të përballojmë së bashku sfidat e mëdha të kohës, si ndryshimi i klimës, rritja e nivelit të ujit, mungesa e banesave”,- tha Andersen.
Çdo tre vjet, qyteti i caktuar si Kryeqyteti Botëror i Arkitekturës shndërrohet në një forum ndërkombëtar për diskutime mbi çështjet bashkëkohore të dizajnit urban dhe arkitekturës. Kopenhaga e mori pishtarin e Kryeqytetit Botëror të Arkitekturës nga Rio de Zhaneiro, Brazil. (Elona)