Brexit zvogëloi fuqinë punëtore në Mbretërinë e Bashkuar me 1%
2023-01-19 18:09:02

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Brexit i ka kushtuar Britanisë së Madhe 1 për qind të fuqisë së tij punëtore, duke shkaktuar një krizë rekrutimi dhe duke nxitur rritjen e pagave në një kohë kur vendi po përpiqet të zbusë inflacionin.

Për shumë vite, liria e lëvizjes i dha ekonomisë britanike një furnizim të lirë të fuqisë punëtore të BE-së, por me përfundimin e marrëveshjes së Brexit-it, tregu i punës tani po ndihet i shtrënguar, me rreth 330.000 punëtorë më pak në dispozicion, bën të ditur “China Daily”.

Një studim nga Qendra e pavarur për Reformën Evropiane nxori në pah shifrat e luhatshme dhe ndryshimin e fytyrës së tregut britanik të punës, i cili është transformuar dhe varfëruar.

Deri në qershor të vitit 2022, kishte pasur një rritje prej 130.000 punëtorësh jo nga BE-ja në krahasim me një situatë ku kontrollet e emigracionit pas Brexit ishin të pandryshuara, por kjo u kompensua nga 460.000 punëtorë më pak të BE-së. Një raport në “Construction News” botuar në janar 2021 tregoi se numri i punëtorëve të lindur në vendet e BE-së në industri ra me më shumë se 25 për qind nga tremujori i tretë i 2019-s në tremujorin e tretë të 2020-s, një situatë që më pas u përkeqësua gjatë pandemisë.

Një goditje shkatërruese i është dhënë edhe bujqësisë. Në vitin 2017, Unioni Kombëtar i Fermerëve bëri të ditur në Parlament se pothuajse të gjithë 70.000 punonjësit sezonalë të vjeljes së frutave dhe perimeve të punësuar në Mbretërinë e Bashkuar ishin nga Evropa Lindore dhe në vitin 2018 Komiteti Këshillimor i Emigracionit njoftoi se 99 për qind e punëtorëve sezonalë të bujqësisë ishin nga BE-ja.

“Kufizimi i lëvizjes së lirë ka pasur një ndikim shkatërrues, por jo vetëm në hortikulturë apo bujqësi, pothuajse në çdo sektor ku njerëzit vijnë nga jashtë”, - tha fermeri i perimeve Julian Marks për faqen e internetit të “Euronews” në tetor 2021. (Elona)