Ekonomia e sigurt e Kinës garanci për ekonominë botërore
2023-01-19 23:02:23

Ekonomia kineze vazhdon ritmet pozitive të rritjes. Përgjatë vitit 2022 prodhimi i përgjithshëm kombëtar u rrit me 3% dhe kjo tregoi se qëndrueshmëria afatgjatë e kësaj ekonomie, potencialet e mëdha që ajo paraqet dhe optimizmi për ecurinë e konsoliduar të sektorëve të kësaj ekonomie përbëjnë një bazë shumë të rëndësishme që edhe për vitin 2023 kjo ekonomi të përbëjë një motor shumë të rëndësishëm për ekonominë globale. Norma e rritjes 3% për vitin 2022 është një tregues relativisht i mirë krahasuar me ekonomitë e tjera që kanë performuar në përgjithësi më dobët përgjatë kësaj periudhe. 

Statistikat për ekonominë kineze për vitin 2022, publikuar së fundmi, tregojnë se parametrat makroekonomikë të saj shërbejnë si mbështetje për zhvillimet mikroekonomike, një dukuri e rrallë kjo për vendet jo perëndimore. Në vitin 2020 produkti i përgjithshëm kombëtar ishte 100 trilion juanë, në vitin 2021, 110 trilion juanë dhe në vitin që lamë pas 121 milionë juanë, duke bërë që ekonomia kineze të qëndrojë në pozitat e forta të vendit të dytë ndër ekonomitë më të mëdha në botë.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Ky trend i rritjes së qëndrueshme të ekonomisë kineze konfigurohet qartazi edhe pse ekonomia botërore dhe ajo kineze pësuan goditje të forta përgjatë dy – tre viteve të fundit për shkak të katastrofave natyrore, pandemisë dhe konflikteve të natyrave të ndryshme në disa pjesë të globit.

Kjo rritje u mbështet me eficiencë dhe efektivitet nga ndërhyrja e qeverisë me financime të shumta në projektet infrastrukturore dhe në sektorët prodhues, paralelisht me aplikimin e një politike monetare të përshtatshme.

Prodhimi industrial në vitin 2022 u rrit me 3.6% dhe investimet në asete me më shumë se 5%. Paralelisht, janë krijuar më shumë se 12 milionë vende pune, krahasuar me objektivin për vetëm 11 milionë vende pune. Rritja me 5% e të ardhurave për frymë është një tregues i rëndësishëm që tregon qartë përmirësimin e cilësisë së jetës në Kinë.

Konsumi final kontribuoi me 32.8 për qind në zgjerimin e PBB-së në ekonominë kineze në vitin 2022, pavarësisht nga tkurrja me 0.2% e shitjeve me pakicë, kombinuar me një rritje 2% të çmimeve të mallrave të konsumit, duke paraqet një trend optimal të një ekonomie ku produktiviteti dominon në tërësi dhe spikat në veçanti në industritë prodhuese, sektorin e bujqësisë dhe agrobiznesit, etj.

Një mbështetje e fuqishme për këto rezultate të ekonomisë kineze ka dhënë rrjeti infrastrukturor më i avancuar në botë dhe integrimi i internetit industrial në 45 kategori kombëtare ekonomike, kombinuar me krijueshmërinë, inovacionin, aplikimin e standardeve të cilësisë dhe shtimin e numrit të patentave, shpikjeve, markave, etj., që lidhen me pronësinë intelektuale, ku Kina padyshim zë vendin e parë në botë për aplikime dhe regjistrime. Pjesa më e madhe e produkteve dhe shërbimeve të reja të kësaj periudhe lidhen me burimet e reja energjetike, digjitalizimin, tregtinë online, etj., gjë që ka ndikuar në diversifikimin e ekonomisë dhe rritjen e qëndrueshmërisë së saj në tërësi.

Këto zhvillime përbëjnë një bazë shumë të rëndësishme dhe serioze për një ekonomi që kërkon ritme cilësore, zhvillim ekonomik dhe social të qëndrueshëm dhe një qasje të hapjes në ekonominë transnacionale. Kjo spjegon fare mirë faktin se rritja ekonomike 3% e vitit 2022, nëse krahasimi bëhet me vlera absolute dhe jo relative, është disa herë më e madhe se rritja e ekonomisë kineze prej 8 – 10% e para shumë viteve. Kjo është shumë e rëndësishme për faktin se rritja ekonomike me shifra pozitive e Kinës shërben padyshim edhe si një element stabilizues për ekonominë globale, e cila ka shfaqur momente përkeqësimi për shkak të ritmeve të ulëta të rritjes së ekonomive të vendeve të mëdha të zhvilluara.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Optimizimi i ekonomisë kineze duket se vjen nga qasja e aplikimit të menaxhimit shkencor, një ide e hedhur prej vitesh nga Presidenti Xi Jinping, ide që u përforcua edhe në punimet e Kongresit të XX të Partisë Komuniste të Kinës në tetor të vitit 2022. Vetëm me anë të menaxhimit shkencor është bërë e mundur që Kina tashmë të ketë strategji dhe politika zhvillimi për çdo sektor.

Institucionet më të rëndësishme në shkallë botërore që publikojnë të dhëna ekonomike dhe financiare si Bloomberg, Morgan Stanley, etj., vlerësojnë se në vitin 2023 ekonomia e Kinës parashikohet të zgjerohet me minimalisht 4.8 % dhe maksimalisht 5.7%, kur pritet që ekonomia e SHBA-ve të ketë një rritje të vogël dhe ekonomia e eurozonës të tkurret, kjo ka bërë që edhe aksionet e kompanive kineze në bursat ndërkombëtare të përmirësojnë pozicionin dhe të vlerësohen edhe më shumë, kryesisht kompani që operojnë në sektorët e mallrave të konsumit, internetit, farmaceutikës, pajisjeve mjekësore, transportit, mallrave kapitale dhe materialeve, etj.

Padyshim që kjo situatë e mirë dhe e qëndrueshme e ekonomisë kineze ka një ndikim pozitiv në shtimin e investimeve të huaja. Janë me dhjetëra kompani të rëndësishme që zotërojnë apo krijojnë burime financiare që tashmë e shikojnë Kinën si një territor unik me perspektivë të qartë për investime, duke patur parasysh që kuadri rregullator në Kinë është i plotë dhe në përmirësim të vazhdueshëm në lidhje me këtë.  

Ajo që është më e rëndësishme është fakti se një ndikim shumë të madh në zhvillimet ekonomike ka edhe efekti psikologjik dhe besimi në të ardhmen. Sipas një sondazhi të kryer së fundmi me ndërmarrje të vogla dhe të mesme që operojnë në zonën e Gjirit të Madh të Kinës (Guangdong-Hong Kong-Macao), pritshmëria që operatorët ekonomikë të kësaj zone të investojnë në periudhën afatgjatë është e lartë. Më shumë se 65% e këtyre kompanive mendojnë se rritja ekonomike afatgjatë të jetë e barabartë ose më e fortë se rritja e historike, duke shprehur entuziazëm për programet mbështetëse qeveritare që ata presin të zbatohen sa më shpejt. Mjaft interesant paraqitet fakti se më shumë se 50% e këtyre firmave me bazë në kontinent thanë se ka të ngjarë të zgjerohen në Hong Kong ose Makao, dhe gati 75% e SME-ve me bazë në Hong Kong presin të zgjerohen në Kinën kontinentale, pasi lehtësimi i masave kufizuese për shkak të pandemisë ndikon në planet e zgjerimit të këtyre sipërmarrjeve.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Duke patur parasysh zhvillimet e viteve të fundit dhe specifikisht ecurinë ekonomike përgjatë vitit 2022, Kina do ecë pa u ndalur në rrugën e saj të zhvillimi i ekonomisë me dy sfera, atë të brendshme dhe atë të jashtme, duke mbështetur edhe në vitin 2023 ekonominë botërore në rrugën e zhvillimeve pozitive dhe përpjekjeve për prosperitet të përbashkët. 

Kina, në vitin 2023 do të kryejë regjistrimin e pestë ekonomik kombëtar, për të vlerësuar zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Këshillit të Shtetit thekson respektimin e cilësisë së të dhënave, duke synuar që të dhënat e regjistrimit të jenë të vërteta, të sakta, të plota dhe të besueshme. Kjo është një qasje moderne e domosdoshme për të tërë, për një menaxhim shkencor të zhvillimit të vendit.

Hapja e tregjeve dhe potenciali i madh tregtar, çlirimi i energjive zhvilluese dhe reformat në të tëra fushat, rregulluar në nivel makroekonomik nga një qeverisje e kujdesshme dhe largpamëse dhe reagimi i optimizuar ndaj epidemisë, do bëjnë që tregu kinez të jetë më fleksibël ndaj luhatjeve të kërkesës dhe ofertës së brendshme dhe asaj ndërkombëtare për mallra dhe shërbime, duke sjellë edhe për vitin 2023 një frymëmarrje edhe më të shëndetshme për ekonominë e Kinës, atë rajonale dhe atë botërore.