Arvi Çullhaj: Xhudo, sport vetmbrojtës që të jep vetëbesim dhe disiplinë
2023-01-19 20:01:15

Arvi Çullhaj e ka nisur sportin e xhudos që në moshën 14 vjeçare duke u bërë një profesionist i vërtetë në këtë sport. Ai ka marrë pjesë në disa gara kombëtare dhe ndërkombëtare duke u vlerësuar dhe me medalje. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për fillimet e tij në këtë sport, arritjet dhe medaljet e fituara në gara të ndryshme si dhe objektivat për vitin 2023. 

Arvi Cullhaj gjate nje ndeshje (Foto personale)

Arvi Cullhaj gjate nje ndeshje (Foto personale)

CMG: Arvi faleminderit për këtë intervistë në Radio Ejani.

Arvi Çullhaj: Faleminderit shumë për ftesën.

CMG: Si lindi pasioni për sportin e xhdos?

Arvi Çullhaj: Pasioni më shumë lindi nga trajneri jonë Shkurt Çullhaj dhe sportisti Indrit Çullhaj, ata na kanë dhuruar emocione pafund duke i parë nëpër kampionate. Kështu që pse mos ta provonim dhe ne, dhe kur nisa të merresha me këtë sport pashë se çfarë emocioni ishte dhe çdo gjë ndryshe. Unë kam qenë dhe i shëndoshë kur kam nisur xhudon, dhe çdo ndjehej si emocion ky sport sepse nuk kisha provuar akoma sport. Ka qenë vërtetë një emocion i madh dhe e vazhdoj akoma si pasion. 

CMG: Sa vjeç ke qenë kur nisët të merreshit me sportin e xhudos?

Arvi Çullhaj: Unë e kam filluar sportin e xhudos në moshën 14 vjeç, dhe e kam nisur pikërisht kur kam qenë në një dasëm, dhe profesori na pa dhe më pyeti se sa vjeç isha. Unë i thashë 14 vjeç, dhe atëhere kam qenë në një peshë gati 110 kg dhe më është dashur gati gjashtë muaj stërvitje për të ulur kilogramët për të vazhduar pastaj me stërvitje të rregullt çdo ditë. 

Arvi Cullhaj ne nje ndeshje te xhudos (Foto personale)

Arvi Cullhaj ne nje ndeshje te xhudos (Foto personale)

CMG: Sa orë në ditë stërviteni dhe çfarë regjimi mbani?

Arvi Çullhaj: Kjo varet më shumë te kampionatet sepse mund të kemi raste që nuk ka kampionate përpara dhe mund ta ulim duke bërë dy orë stërvitje dy herë në ditë. Ndërsa kur kemi kampionate afër ne mund të bëjmë stërvitje dhe tre herë në ditë, ku mund të shkoi gati katër orë maksimumi. Kurse regjimi është gjithçka, dhe profesorin ne e kemi gjithmonë strikt që na motivon për gjithçka. Ai na thotë që kur mbarojmë stërvitjen duhet të shkojmë në shtëpi për të fjetur, por dhe dietat ndikojnë për të ulur kilogramët. 

CMG: Sporti i xhudos nuk është aq popullor në Shqipëri. Çfarë të motivon që të ecësh përpara në këtë sport?

Arvi Çullhaj: Gjithmonë motivimi ka qenë mbiemri që mbajmë për ta ngritur më lart siç po na e ngren Indriti. Pra është gjithmonë gjaku shqiptar kur ngrejmë flamurin tonë nëpër arena ndërkombëtare, që askush nuk e ka ngritur këtë flamur për sportin e xhudos.

Arvi Cullhaj ne njw gare nderkombetare ne Malin e Zi (Foto personale)

Arvi Cullhaj ne njw gare nderkombetare ne Malin e Zi (Foto personale)

CMG: Të është dashur ndonjëherë të përdorësh teknikat e xhudos për vetmbrojtje në jetën e përditëshme?

Arvi Çullhaj: Nuk është se ka ndodhur sepse të gjithë e dinë që unë merrem me xhudon dhe tërhiqen, ngaqë e dinë se ne jemi të pregatitur për çdo gjë.

CMG: Në cilat gara kombëtare dhe ndërkombëtare keni marrë pjesë dhe medaljet që keni marrë në këto gara?

Arvi Çullhaj: Në garat kombëtare kanë qenë kupa e Shqipërisë dhe kombëtarja, ndërsa ndërkombëtare kanë qenë garat ballkanike në Prilep të Maqedonisë së Veriut kaam marrë vendin e parë, në Pejë sërisht vendi i parë. Ndërsa në kampionatin ballkanik që u zhvillua në Malin e Zi zura vendin e tretë.

CMG: Çfarë emocionesh ke përjetuar kur jeni vlerësuar me vendin e pare, të dytë dhe tretë në këto gara?

Arvi Çullhaj: Çdo kampionat ka ato ndjesitë e veta si dhe emocionet e veta sepse ka dhe uljet apo ngritjet e veta. Pra ne japim maksimumin derisa ndeshjen ta shtyjmë deri në fund. Kur mund të humbësh është demoralizim, por që gjithmonë ne kemi profesorin tonë nga mbrapa që na përkrah dhe motivon përsëri që të ngrihemi akoma dhe më fort për të kapur atë medalje. Unë kur dola në kampionatin ballkanik në vendin e tretë ishte një super emocion sepse ishte medalja ime e parë në një kompeticion të tillë dhe nga ngriti shumë lart. Ishte një emocion tepër i madh kur pashë profesorin sepse kam bërë gati pesë luftëra, ku katër i fitova dhe një në fund e kam humbur. Kur mora medaljen e vendit të tretë zemra më rrihte aq shpejt saqë shkova me vrap për ta përqafuar profesorin, aq emocion i madh ishte.

Arvi Cullhaj duke performuar ne ne ndeshje te xhudos (Foto personale)

Arvi Cullhaj duke performuar ne ne ndeshje te xhudos (Foto personale)

CMG: Kush ju trajnon në këtë sport, por dhe që ju këshillon gjatë këtyre garave?

Arvi Çullhaj: Profesori jonë quhet Shkurt Çullhaj dhe ai është trajneri i kombëtares së xhudos, është një nga trajnerët që mund të them në jetën time nuk kam për ta harruar kurrë çdo gjë që ai ka bërë për ne, na ka ngritur dhe rritur vetë duke pasur durimin që të merret me ne që në fillimet e para në këtë sport. Falë atij ne jemi të gjithë këtu ku jemi sot.

CMG: Në cilën moshë është më mirë të niset sporti i xhudos?

Arvi Çullhaj: Mosha më e vogël në xhudo ka qenë tre vjeç. Kam një rast konkret të një 4 vjeçari, ku profesori iku në Tokio bashkë me Indritin dhe mua më la palestrën për ta mbajtur dy javë. Ishte një fëmijë shumë ngatërrestar dhe unë e mbajta duke e stërvitur. Kur erdhi prindi duke e parë na pyeti se çfarë i kishim bërë fëmijës sepse në fillim të xhudos ai i hidhte rrobat jo në vendin e caktuar, ndërsa tani që ka nisur xhudon me stërvitje për ditë ai kur vjen në shtëpi i palos rrobat dhe i vendos në vendin e duhur. Unë u habita që në moshën 4 vjeçare me gjithë atë disiplinë. Unë mendoj se disiplina është e para në sportin e xhudos, që të jep edukatën dhe fjala e profesorit te palestra jonë është ligj.

CMG: Çfarë duhet të kenë parasysh ata që duan të nisin sportin e xhudos?

Arvi Çullhaj: Unë ju rekomandoj njerëzve të merren me xhudon. Në radhë të parë shëndeti është gjithçka për njeriun, pastaj vjen sporti. Xhudo është një sport shumë vetmbrojtës ku të jep vetëbesim, disiplinë dhe kontrollin e vetes. Unë siç e përmenda më lart kam qenë gati 110 kg dhe vetëm nga sporti kam shkuar 76 kg. Unë i rekomandoj të gjithëve të merren me sport, si ato që janë mbi peshë por dhe të tjerëve sepse është disiplinë dhe kulturë për njeriun.

Arvi Cullhaj (Foto personale)

Arvi Cullhaj (Foto personale)

CMG: Çfarë emocioni keni përjetuar në garat ndërkombëtare kur keni marrë medalje dhe keni ngritur flamurin shqiptar?

Arvi Çullhaj: Ka qenë një emocion komplet ndryshe. Unë kisha emocione këtu te kombtarja dhe kupa e Shqipërisë, por në ballkanik është tepër e madhe sepse ishte medalja ime e parë zyrtare në ballkanik se kanë qenë katër ndeshje me pjesëmarrje nga Bullgaria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Pra ishte krejt ndryshe ku shihja profesorin që më shihte me krenari, dhe ishin vërtetë emocione që nuk i kisha provuar ndonjëherë.

CMG: Jeni i kënaqur me arritjet tuaja të deritanishme në këtë sport?

Arvi Çullhaj: Ne kemi synimet tona që ti arrijmë, por deri tani jemi në atë proçes që të kemi arritje më të mëdha sepse jemi duke u stërvitur.

CMG: Cilat janë objektivat tuaja për këtë vit në xhudo?

Arvi Çullhaj: Ne këtë vit kemi shumë kapionate para, ku është kupa e Europës që do zhvillohet tani afër në shkurt dhe do të ikim me profesorin dhe Indritin. Gjithashtu do ikim dhe në Turqi, pra kemi shumë kampionate para dhe shpresojmë që të marrim dhe një medalje, që të jemi pretendent për lojrat olipmike 2024.

Arvi Cullhaj ne interviste per CMG

Arvi Cullhaj ne interviste per CMG

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Arvi Çullhaj: Përshëndes të gjithë ata që më duan të mirën dhe më mbështesin për arrtitjet që do kem këtë vit. 

Intervistoi: Gazmend Agaj