Marrëveshja për heqjen e vizave, ambasadori Zhou Ding: Ngjarje monumentale në marrëdhëniet kino-shqiptare
2023-01-18 11:00:25

Ambasadori i Kines me zv. e Jashtme (Foto Facebook Ambasada e Kines)

Ambasadori i Kines me zv. e Jashtme (Foto Facebook Ambasada e Kines)

Përfaqësuesit e qeverive të Shqipërisë dhe Kinës nënshkruan në Tiranë marrëveshjen për heqjen e ndërsjellë të vizave për zyrtarët dhe qytetarët.

Ambasadori i Kinës në Shqipëri, Zhou Ding, në një postim në “Facebook”, e quan nder që, në emër të qeverisë kineze, firmosi marrëveshjen me zëvendësministren shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino.

“Në vitin 2018, qeveria shqiptare në mënyrë të njëanshme zbatoi politikën e heqjes së vizave për shtetasit kinezë gjatë sezonit turistik dhe në fund të vitit 2019, ajo filloi heqjen e vizave gjatë gjithë vitit për shtetasit kinezë. Që atëherë, të dyja palët kanë komunikuar mbi nënshkrimin e “Marrëveshjes për heqjen reciproke të vizave”. Në tetor të vitit 2021, këshilltari i atëhershëm i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i atëhershëm i Kinës, Wang Yi, pati një vizitë të suksesshme në Shqipëri, duke i dhënë impulse të reja thellimit të shkëmbimeve dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fusha të ndryshme. Gjatë vitit të kaluar, ekipet kineze dhe shqiptare kanë punuar së bashku për ta realizuar më në fund nënshkrimin e “Marrëveshjes për heqjen reciproke të vizave”, -shkruan ambasadori.

Sipas ambasadorit Zhou, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një dhuratë e madhe për popullin shqiptar në fillim të vitit të ri 2023, që do të thotë se Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë, me një popullsi prej 1.4 miliardë banorësh, ka hapur dyert e saj për Shqipërinë.

“Ky është gjithashtu një tjetër mishërim i gjallë i miqësisë tradicionale ndërmjet Kinës e Shqipërisë dhe një ngjarje monumentale në marrëdhëniet kino-shqiptare”,- tha ai, duke shprehur besimin se hyrja në fuqi e marrëveshjes do të nxisë në mënyrë efektive shkëmbimet dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fushat e ekonomisë, tregtisë, turizmit, kulturës e arsimit dhe do të thellojë më tej miqësinë ndërmjet dy popujve.

Ambasadori me z.ministren (Foto Ambasadori Facebook)

Ambasadori me z.ministren (Foto Ambasadori Facebook)

Marrëveshja për heqjen reciproke të vizave ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë përcakton se shtetasit e të dy vendeve përjashtohen nga aplikimet për vizë (duke përjashtuar studimin, punën, qëndrimin etj.) nëse qëndrojnë në vendin tjetër për jo më shumë se 90 ditë çdo 180 ditë nga data e hyrjes. Marrëveshja hyn në fuqi pasi palët të kenë përfunduar procedurat e brendshme ligjore të nevojshme për hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje. (Elona)