Më shumë bashkëpunim global kërkohet në Davos mes ngadalësimit ekonomik botëror
2023-01-18 09:36:48

Forumi i Davosit (Foto Euronews)

Forumi i Davosit (Foto Euronews)

Bashkëpunimi global duhet të përshpejtohet pasi ekonomia botërore po ngadalësohet ndjeshëm, thanë të pranishmit në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror që filloi të hënën në Davos, ZvicërZëvendëskryeministri i Kinës Liu He mori pjesë dhe mbajti një fjalim në Mbledhjen Vjetore të WEF-së për vitin 2023.

Takimi, me temë “Bashkëpunimi në një botë të fragmentuar”, po mbahet në një kohë kur sfida të ndryshme kërcënojnë rimëkëmbjen ekonomike botërore, si kriza e energjisë, kriza ushqimore, inflacioni i lartë, ndërprerja e zinxhirëve industrialë dhe tërheqja nga globalizimi, thanë zyrtarë dhe studiues të pranishëm në këtë event.

Forcat e shumta politike, ekonomike dhe sociale po krijojnë fragmentim të shtuar në nivel global dhe kombëtar, tha Klaus Schwab, themelues dhe drejtues ekzekutiv i Forumit.

Sipas tij, një nga shkaqet rrënjësore të fragmentimit është në fakt mungesa e bashkëpunimit, qw nga ana tjetër rrit fragmentimin në shoqëri dhe çon edhe më shumë në politikëbërje afatshkurtër dhe egoiste.

Leslie Maasdorp, nënkryetar dhe shef financiar i Bankës së Re për Zhvillim të BRICS (NDB), deklaroi për “Xinhua” se është shumë e rëndësishme të forcohet globalizimi dhe bashkëpunimi global dhe të gjitha vendet duhet të punojnë së bashku për t'u marrë me sfidat me të cilat përballet ekonomia globale.

“Bota ka nevojë për tregtinë globale. Ne duhet ta rindërtojmë botën duke menduar se si t'i zgjidhim problemet tona”,- tha Bob Moritz, kryetar global i “PricewaterhouseCoopers” (PwC).

Raportet e fundit të sondazhit kanë paraqitur një perspektivë të zymtë për ekonominë globale këtë vit.

Edhe pse ka disa arsye për optimizëm, siç është zbutja e presionit inflacionist, shumë aspekte të perspektivës ekonomike globale mbeten të zymta, sipas sondazhit të WEF-së “Chief Economists Outlook” të publikuar të hënën.

Dy të tretat e kryeekonomistëve nga sektori privat dhe publik presin një recesion global në vitin 2023, mbi dy herë më shumë se në sondazhin e mëparshëm në shtator 2022. Megjithatë, pikëpamjet janë të ndryshme, me një të tretën e të anketuarve që konsiderojnë një recesion global si të pamundur këtë vit, thuhet në sondazh. Një shumicë dërrmuese (73 për qind) e drejtorëve ekzekutivë (CEO) të anketuar presin që rritja ekonomike globale të bjerë gjatë 12 muajve të ardhshëm.

Anketa e “PwC Global CEO” zbuloi gjithashtu se 40 për qind e CEO-ve e shohin inflacionin si kërcënimin kryesor global, ndërsa 31 për qind zgjodhën paqëndrueshmërinë makroekonomike dhe 25 për qind zgjodhën konfliktin gjeopolitik.

Grupi i Bankës Botërore bëri të ditur se rritja ekonomike globale parashikohet të ngadalësohet në 1.7 për qind në 2023-shin, 1.3 pikë përqindjeje nën parashikimin e bërë në qershor 2022, duke shënuar ritmin e tretë më të dobët në gati tre dekada.

Sipas sondazhit, rritja globale është ngadalësuar në masën që ekonomia globale është rrezikshëm pranë rënies në recesion. (Elona)