Sipas të dhënave të ekonomisë kombëtare në vitin 2022, të publikuara të martën nga Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës, PBB-ja e Kinës i kaloi 121 trilionë juanët, duke u rritur 3 për qind në krahasim me vitin 2021, llogaritur në bazë të çmimeve të pandryshuara. Kjo është një tjetër ngritje e madhe e vëllimit të përgjithshëm të ekonomisë kineze, pas rritjes në vitet 2020 e 2021, përkatësisht në 100 trilionë dhe 110 trilionë juanë.
Kjo rritje nuk u realizua lehtësisht në sfondin e shumë faktorëve negativë, si situata e turbullt gjeopolitike, shtimi i rreziqeve për rënien e ekonomisë botërore, gjendja e ndërlikuar e epidemisë në vend etj. Sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), rritja e PBB-së të ShBA-së dhe të Japonisë nuk do ta kalojë 2 për qind në vitin 2022. Ndërkohë, Gjermania publikoi parashikimin e rritjes prej 1.9 për qind. Në sferë globale, rritja e ekonomisë kineze prej 3 për qind do të jetë më e lartë se treguesit e shumicës së ekonomive kryesore të botës, duke shfaqur qëndresë të madhe dhe gjallëri të fortë, komentoi Grupi Mediatik i Kinës (CMG) në një artikull.
foto nga CMG
Në përgjithësi, ekonomia kineze përparoi në mënyrë të qëndrueshme në vitin 2022. Nga njëra anë, ajo realizoi rritjen e arsyeshme duke ruajtur qëndrueshmërinë e përgjithshme në punësim dhe çmime. Vitin e kaluar u shtuan 12 milionë persona të punësuar në qytet, duke kapërcyer objektivin prej 11 milionë vendesh të reja pune urbane. Njëkohësisht, kur ekonomitë e tjera kryesore u përballën me inflacionin, çmimet e konsumit në Kinë u ngritën vetëm 2 për qind në mbarë vitin. Vjet, investimet në pasuri fikse u shtuan në mënyrë të qëndrueshme dhe ndër to, investimet në infrastrukturë dhe manifakturë patën rritje mbi 9 për qind. Nga këto të dhëna del se ekonomia kineze ka qëndresë të lartë, potencial të madh e gjallëri të plotë dhe se prirja e mirë e gjendjes së përgjithshme të ekonomisë kineze nuk ka ndryshuar.
Nga ana tjetër, Kina ka pasur zhvillim me cilësi të lartë. Me zbatimin e thellë të strategjisë së zhvillimit me novacionin si forcë lëvizëse, risitë kanë luajtur një rol gjithnjë e më të madh në drejtimin e ekonomisë kineze. Vlera e shtuar e sektorit të manifakturës me teknologji të lartë në përmasë të madhe pati një rritje më të lartë se niveli tërësor i manifakturës në përmasë të madhe, ndërkohë që edhe investimet në industrinë e teknologjisë së lartë u rritën më shpejtë se investimet në përgjithësi. Kjo tregon përfitimet e sjella nga industria e teknologjive të reja dhe të larta.
Po më 2022, vëllimi i shitjes me pakicë të mallrave fizike ndërmjet internetit zuri 27.2 për qind të vëllimit të përgjithshëm të shitjes me pakicë të artikujve të konsumit, 2.7 pikë përqindjeje më shumë në krahasim me vitin 2021, çka mishëron ndryshimin e jetës së kinezëve të sjellë nga ekonomia digjitale.
Me hyrjen në fazën e re të masave të kontrollit të epidemisë në Kinë, po shtohet gjallëria ekonomike, komenton CMG-ja. Aktualisht kanë rifilluar funksionimin mbi 80 për qind e linjave të brendshme ajrore në vend. Gazeta amerikane “The Washington Post” u shpreh: “Shenjat tregojnë se ekonomia kineze është në gjallërim e sipër. Në qytetet e mëdha fluksi i udhëtarëve në metro u kthye në nivelin normal. Konsumatorët që kanë kursyer, kanë potencial për konsum”.
foto nga CMG
Në Konferencën Qendrore për Punën Ekonomike, të zhvilluar në fund të vitit të kaluar, u shpall qartazi se do të nxitet përmirësimi i funksionimit të përgjithshëm të ekonomisë, do të vijojë të ndiqet parimi i qëndrueshmërisë dhe do të realizohet përparimi në mënyrë të qëndrueshme. Kolumnisti i revistës amerikane “Barron's” Reshma Kapadia është i mendimit se, duke u mbështetur te politikat përkatëse të qeverisë kineze, Kina ka mundësi të bëhet e vetmja ekonomi kryesore që do të realizojë rritje të konsiderueshme të fitimeve të ndërmarrjeve dhe PBB-së në vitin 2023, ndërkohë që “rritja e ekonomisë kineze është një lajm i mirë për mbarë globin.” Edhe presidentja e FMN-së Kristalina Georgieva tha ditët e fundit se ekonomia kineze ka mundësi të madhe të bëhet faktori më i rëndësishëm për nxitjen e rritjes së ekonomisë globale në vitin 2023.
Aktualisht, shumë ndërmarrje të huaja në Kinë e kanë treguar optimizmin e tyre për ekonominë kineze me veprime konkrete. Grupi gjerman “Bosch” planifikon të lokalizojë në Kinë teknologjitë e përparuara të nivelit botëror dhe të vazhdojë të shtojë investimet në tregun kinez. Irina Ananyeva, zëdhënësja e kësaj kompanie shprehu besimin e plotë për perspektivën e tregut kinez, sepse “Kina, si tregu më i madh i automjeteve në botë, ka plot gjallëri dhe elasticitet.”
Pavijoni i “Bosch”-it në Ekspozitën e 5-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës në Shangai, në nëntor 2022/ foto nga VCG
Pavarësisht nga ndryshimi i ndërlikuar i mjedisit ndërkombëtar dhe mungesa e forcës nxitëse të ekonomisë globale, Kina ka besim që do të realizojë përmirësimin tërësor të ekonomisë në vitin e ri, duke u mbështetur te baza e fortë materiale, tregu kolosal, përfitimet nga thellimi i reformës e hapjes dhe përvoja e pasur në makrokontroll.
“Kina është ende historia e rritjes më të lartë në botë,” e përfundon komentin e vet CMG-ja, duke iu referuar fjalëve të investitorit të njohur ndërkombëtar Lars Tvede gjatë një interviste ditët e fundit. (Wang Lei/ Artan)