Hungaria dhe Kina emetojnë së bashku pullën për Vitin e Ri Hënor Kinez
2023-01-18 16:25:33

Pulla ne Hungari (Foto Xinhua)

Pulla ne Hungari (Foto Xinhua)

Një pullë postare përkujtimore që shënon Vitin e Ri Hënor Kinez (2023, Viti i Lepurit) u emetua të hënën në Hungari.

Pulla është emetuar nga Muzeu i Pullave të Hungarisë në bashkëpunim me Ambasadën Kineze në Hungari, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik të vendit, Qendrën Kulturore të Kinës në Budapest dhe Postën Hungareze.

Fleta me katër pulla është projektuar nga grafistja Krisztina Maros. Ajo do të shtypet në 20.000 kopje, shkruan “Xinhua”.

Në një sfond të kuq dhe të bardhë, në pulla dallohen lepuj me ngjyra blu dhe të bardhë. Teksti mbi imazhin thotë “Viti i lepurit” në kinezisht dhe hungarisht. Vula gjithashtu përmban simbolet kineze të Yin dhe Yang.

Ceremonia e emetimit u drejtua nga Yang Chao, i ngarkuari i përkohshëm me punë në Ambasadën Kineze në Hungari, Marton Nagy, ministër i Hungarisë për Zhvillimin Ekonomik, Barnabas Balczo, drejtori ekzekutiv i Postës Hungareze, si dhe Jin Hao, drejtor i Qendrës Kulturore të Kinës në Budapest.

Sipas Yang Chao, emetimi i pullave kineze të Zodiakut Hënor është një element i rëndësishëm i shkëmbimeve kulturore dhe të njerëzve midis Kinës dhe Hungarisë. Ajo gjithashtu simbolizon miqësinë e fortë mes dy popujve.

“Qeveria e Hungarisë beson se është jashtëzakonisht e rëndësishme të vazhdohet forcimi i marrëdhënieve të mira ekzistuese me Kinën dhe ne jemi të hapur për bashkëpunim të mëtejshëm”, tha ministri Nagy.

Balczo kujtoi se lepuri është më me fat nga 12 kafshët në Zodiakun Kinez dhe tha se do të dëshironte që kjo të ishte e vërtetë për të dy vendet në vitin 2023.

Pulla e Vitit të Lepurit është pulla e 10-të e Zodiakut Hënor Kinez e emetuar nga Zyra Postare Hungareze. (Elona)