Ministrja Balluku: Gjatë 2022 u hapën 56 kantiere në infrastrukturë
2023-01-18 17:10:55

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka bërë një bilanc të punës për vitin që kaloi përpara se të prezantonte objktivat për vitin 2023. Balluku ka përmendur Kardhiq-Delvinë; bypass-in e Vlorës etj. Sipas saj aksi Kardhiq-Delvinë ka luajtur një rol shumë të mirë për të lidhur Gjirokastrën si një zonë turistike me zonën e Sarandës.

Aksi Kardhiq-Delvinë (Foto Albanian Daily News)

Aksi Kardhiq-Delvinë (Foto Albanian Daily News)

“Gjatë vitit 2022 kemi patur 56 kantiere të hapura për 310.38 kilometra, gjatë këtij viti nga këto kantiere të hapura kemi dorëzuar 22 prej tyre të cilët ekuivalojnë në 68.31 kilometra dhe deri në vitin 2024 ne planifikojmë të përfundojmë 34 kantiere me një gjatësi totale 242 kilometra. Unë do i përmend edhe pse ndoshta i kemi thënë shpesh në hapjet e rrugëve, se ne nuk i quajmë  dhe nuk bëjmë inaugurime, por ky ka qenë një vit i shënuar për sa i përket hapjes së rrugës Kardhiq-Delvinë në fillim të sezonit veror kur me të vërtetë nuk pritej që një kontratë të realizohej dy muaj para afatit, duke qenë se kontrata të tilla marrin më shumë kohë, por kemi qenë në kushte të tjera në këtë rrugë, duke qenë se edhe formacioni i tunelit të Kardhiqit na ka ndihmuar, kështu që e kemi dorëzuar nga fundi i gushtit që duhet   ta dorëzonim e  kemi dorëzuar në qershor. Aksi Kardhiq-Delvinë ka luajtur një rol shumë të mirë për të lidhur Gjirokastrën si një zonë turistike me zonën e Sarandës. Gjithashtu kemi arritur të hapim bypass-in e Vlorës, një rrugë që ka shfryrë të gjithë trafikun në zonën e Rradhimës duke na dhënë mundësi që të kemi një projekt dhe një plan të bukur  për radhimin si një vazhdim i lungomares dhe duke e kaluar të gjithë trafikun që e kalonte Vlorën jo si një pikë ndalese, por si pikë kalimi për të shkuar në Jug.”- tha ministrja.

Sipas Ballukut, një segment që pritet të zgjidhë shumë ngarkesën në trafik është aksi aksit Thumanë-Kashar.

“Një segment shumë i rëndësishëm i cili do të zgjidhë dy problematika shumë të mëdha atë të ngarkesës së rrugës së Fushë Krujës, ku ne e dimë shumë mirë gjatë verës apo në ditë festash se si është situata aty, por edhe nyjen lidhëse përfundimtare të  autostradave që vinë nga Durrësi, nga  lindja dhe nga Veriu  në aeroportin ndërkombëtarë të Rinasit, i cili ka arritur 5.2 milionë pasagjerë.   Askush nuk mund të ankohet për trafikun në ditë festash apo në ditë të tjera pasi këta pasagjerë të gjithë duhet t’i drejtohen kryeqytetit Durrësit apo veriut me automjetet e tyre, kështu që është normale që ky numër, ekzaltues për aviacionin civil, krijon problematika për infrastrukturën rrugore, por kjo do  të zgjidhet përmes aksit Thumanë-Kasharë. Ndërkohë tre segmente të tjera janë shpallur për garën e Korridorit Adriatiko-Jonian, duke i dhënë kështu mundësinë që tashmë të kemi një kontratë të lidhur për segmentin nga bypassi i Fierit deri në Lekaj dhe dy kontrata të tjera që është Lekaj – Kashar, një gjurmë totalisht e re, do jetë komplekse  me thënë të drejtën,  me disa ura dhe tunele, pasi kalon nga një rrugë e vjetër e ushtrisë në  zonën e Pezës, por do të shkurtoj ndjeshëm aksesin për të dalë direkt në autostradën e Fierit” theksoi Balluku

Një tjetër arterie e rëndësishme, e evidentuar nga ministrja Balluku është segmenti Thumanë – Milot.

Ministrja Belinda Balluku (Foto Facebook)

Ministrja Belinda Balluku (Foto Facebook)

“Ky është segment më i lehtë  duke qenë se gjurma ekzistuese është në kushte shumë të mira, por ju nuk duhet të harroni një fakt, të gjitha rrugët koncesionare në republikën e Shqipërisë ka një detyrim ligjor të shprehur, të vendosur në kontratë dhe të bërë publike për të gjithë. Çdo rrugë do të shoqërohet me një rrugë të kategorisë C, pra me një rrugë e cila do të jetë pa pagesë dhe do të jetë në kushte optimale ashtu si do të jetë edhe vetë rruga koncesionare, për t’ju dhënë mundësinë  qytetarëve  që të zgjedhin nëse ata nuk duan të kalojnë nga autostradat e  shpejtësisë me pagesë. Aksi i fundit që do të lidhë Murriqanin me Milotin, por gjatë këtij viti ne kemi parashikuar që gjatë këtij viti Autoriteti Rrugor Shqiptar është duke marrë të gjitha masat për të hapur edhe aksin Milot-Balldren,  duke qenë se  ka qenë një kontratë e parashikuar në vitin 2018. Por për shkak të pandemisë dhe të gjithë historive jo të këndshme që ndoqëm, krizën ekonomike etj, nuk arriti të financohej.”- shtoi ministrja.

Korridori 8 është një nga projektet më të rëndësishmë , për të cilin qeveria thotë që është arritur që Korridori i 8 të jetë pjesë e net-core e Bashkimit Europian.

“Kemi nisur punimet për një segment shumë të rëndësishëm, ai është kantieri më i rëndësishëm për republikën e Shqipërisë, flasim për Korridorin e 8.  Më në fund pas një lobimi dhe një pune në bashkëpunim me qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe qeverinë bullgare me një mbështetje nga qeveria italiane kemi arritur t’ia dalim që Korridori i 8 të përfshihet apo të jetë pjesë e net-core e Bashkimit Europian. Përfitimet që vijnë nga kjo, është se ky korridor do të konsiderohet si pjesë e investimeve të Bashkimit Europian, jo vetëm për sa i përket akseve rrugore, por kryesisht me rëndësi është investimi i hekurudhave, duke qenë se hekurudhat ne i kemi lënë si pjesë e investimeve të Bashkimit Europian.”- u shpreh ministrja Balluku gjatë bilancit të vitit 2022 dhe objektivat për vitin 2023.

Punimet për aksin Thumanë-Kashar (Foto ATSH)

Punimet për aksin Thumanë-Kashar (Foto ATSH)