Foto: youth.cn
Fluksi i udhëtimit 40-ditor për Festën e Pranverës, e njohur si “chunyun” në kinezisht, është zakonisht një periudhë me kërkesa tepër të larta transporti, pasi shumë njerëz udhëtojnë anembanë vendit për t'iu ribashkuar familjeve me rastin e Vitit të Ri Hënor, ose Festës së Pranverës, e cila bie më 22 janar të këtij viti.
Gjatë kulmit të udhëtimeve për Festën e Pranverës, fluksi i pasagjerëve është shumë i madh, sikurse edhe konsumi i ujit në tren që rritet po kaq shumë gjithashtu. Kupat me ujin e nxehtë që pijnë pasagjerët në tren përgjatë udhëtimit ua ngrohin trupin, por pas këtij filxhani me ujë, çfarë zbulojnë mjeshtrit që punojnë në stacionet hekurudhore?
"I raportoj dhomës së radios se furnizimi me ujë për trenin e pasagjerëve K799 ka përfunduar." "E mora, kuptova!" Gjatë fluksit të udhëtimeve për Festën e Pranverës, Zhong Wei, i ngarkuar për mbarëvajtjen e pasagjerëve në stacionin hekurudhor Wuchang, përdor radion e vogël të dorës për të konfirmuar mbarimin e procesit të furnizimit me ujë. Ky është edhe vagoni i 28-të i furnizuar me ujë nga Zhong Wei vetëm gjatë ditës së sotme.
Stacioni Wuchang ndodhet në seksionin e mesëm të linjës Pekin-Guangzhou, në kryqëzimin e linjës Pekin-Guangzhou, si dhe ato Wuhan- Jiujiang dhe Wuhan-Danjiangkou. Është një stacion i rëndësishëm për furnizimin me ujë të trenave. Gjatë fluksit të udhëtimit për Festën e Pranverës, stacioni Wuchang është përgjegjës për rimbushjen me ujë të 10 trenave për pasagjerë që nisen nga Wuhani dhe 156 të tjerëve që kalojnë përgjatë këtij qyteti çdo ditë. Llogaritur mesatarisht, çdo punëtor për furnizimin e ujit duhet të përgjigjet për 40 vagonë të 10 trenave, duke “udhëtuar” 3 kilometra gjatë një turni ditor. Ndërsa gjatë natës ritmi është më i lartë, pasi duhen mbushur 64 vagonë të 16 trenave dhe ecur 5 kilometra.
Foto: youth.cn
Para furnizimit, Qianwei dhe kolegët e tij duhet të përcaktojnë planin ditor, të bëhen gati me veshjet mbrojtëse, dorezat, helmetat e sigurisë, telekomandat etj., për t’u nisur pastaj drejt vendit të punës. Sapo treni futet në stacion, ata nisin sa hap e mbyll sytë të gjitha proceset, që nga futja e tubacionit, mbushja, heqja e tubacionit të furnizimit, vendosja e tij në vendin e caktuar…gjithçka duhet të mbarojë brenda pak minutash, për aq sa kohë treni do të qëndrojë në stacion. Vetëm kështu mund të garantohet që pasagjerët dhe vagoni i ngrënies të kenë ujë të bollshëm.
Kur treni furnizohet, ndodh shpesh që uji t’i spërkasë drejtpërdrejt rrobat e punëtorëve. Në mot të ftohtë, ai do të ngrijë brenda pak çastesh, duke i kthyer uniformat e punonjësve brenda një kohe të shkurtër në një "armaturë akulli". Për këta punëtorë detyra bëhet edhe më e vështirë.
Kur treni mbushet me ujë, është e nevojshme të mbyllet në kohë valvula për të shmangur humbjen e burimeve ujore, gjithashtu për të siguruar që toka të mos ngrijë dhe të sigurohet mbrojtja personale e punëtorëve. Çdo mjeshtri gjatë dimrit i është bërë zakon kontrolli i ujit të mbetur në tubin e mbushjes, për t’u siguruar që çdo herë pas përfundimit të procesit, uji i mbetur në tub të pastrohet, duke parandaluar kështu ngrirjen dhe bllokimin e tubacionit.
Zhong Wei dhe kolegët e tij janë përgjegjës për furnizimin me ujë të 4 vagonave çdo herë mesatarisht, ku secili prej tyre është rreth 26.6 metra i gjatë. Çdo operacion mbushjeje është një garë me kohën. Pesha e kokës së tubacionit metalik, plus trupi i tubacionit, janë rreth 10 kilogramë dhe operacionet e përsëritura konsumojnë shumë forcë fizike. Në vetëm disa minuta, Zhong Wei, i cili shpesh shkon dhe kthehet mes vagonëve për të punuar, duke "vrapuar para e mbrapa", e bëjnë të pikojë djersë.
Foto: youth.cn
Në platformë kishte shumë njerëz dhe në kanalin në anën tjetër të trenit, Zhong Wei dhe kolegët e tij tërhoqën edhe një herë tubin e gjatë dhe të rëndë të furnizimit për të shtuar ujë për pasagjerët. Në çdo lidhje, çdo sekondë ka rëndësi. Gjatë fluksit të udhëtimeve për Festën e Pranverës, filxhani me ujë të valuar në duart e pasagjerëve u jep atyre një ndjesi të ngrohtë, në duar por edhe në trup, në fakt gjithçka pasqyron punën e palodhur të punonjësve që përgjigjen për furnizimin me ujë.
"Gjatë kulmit të udhëtimeve për Festën e Pranverës, ka punonjës të panumërt në prapaskenë si Zhong Wei. Ata janë të përkushtuar për t’i shërbyer trenave të pasagjerëve që udhëtojnë nga jugu në veri." - thotë Wang Cheng, zëvendësdrejtor i Sektorit të Transportit të Pasagjerëve në Wuchang. (Çang Çuo)