Historiku i ahengut shkodran
2023-01-18 17:06:41

Repertori i këngës qytetare shkodrane është shumë i pasur dhe i larmishëm. Një rol të rëndësishëm në këtë repertor kanë luajtur këngët e ahengut shkodran, të cilat kanë shoqëruar dhe vazhdojnë të shoqërojnë ditët më të rëndësishme të jetës së çdo shkodrani. Të lindura në ambient e në rrethana të caktuara historike, këto këngë kanë fituar tipare të veçanta duke u bërë shumë të dashura për njerëzit. Ato përbëjnë tharmin e shpirtit artistik të qytetit dhe janë ndër pasuritë shpirtërore më të vyera të tij.

Këngët e ahengut, si krijim muzikor, lindën nga fundi i shek. XVIII e deri në vitet 40 të shek.XX.  Ato u trashëguan brez pas brezi nga mjeshtrat popullorë, duke rritur pa reshtur shprehjen, forcën dhe bukurinë e tyre.

Ahengxhinj shkodrane - foto kult plus

Ahengxhinj shkodrane - foto kult plus

Dihet që pas pushtimit turk të vendit tonë, shumë qytete shqiptare, ndër to edhe Shkodra, për një periudhë të gjatë kohe nuk e morën dot veten. Megjithatë, është i njohur fakti që qytetet tona, edhe pas këtij pushtimi, kanë pasur e kanë zhvilluar kulturën dhe muzikën e tyre. Këngët e ahengut shkodran, patën meritën që pavarësisht ndikimit oriental, të përshtateshin në melodi me mjedisin shkodran. Këto këngë vazhduan të transformoheshin nga ahengegjijtë (ahengxhinjtë)  vendas, duke i përshtatur me elementet e traditës muzikore vendase.

Këngët e ahengut dalë nga zejtarët dhe artizanët e Shkodrës. Madje imazhin e ahengegjijve të vjetër e jep edhe Kolë Idrmomeno në kompozimin “Dy rrugët”, që në fakt është një kritikë shoqërore që ai i bën ahengut, në kohën kur ndikimi oriental ishte shumë i madh dhe nevoja për t’u shkëputur nga ky ndikim edhe më e madhe.

Këngët e ahengut ishin pjesë e rëndësishme e dasmave dhe kremtimeve familjare, ato këndoheshin kudo për qejf, nëpër shtëpitë karakteristike shkodrane, në oborre e bahҫe, nën hijen e manit e më vonë në skena koncertale, radio e ekrane televizive, duke bërë prej vitesh edhe jetë artistike të pavarur.

Tekstet e tyre lindin nga situata reale, në shumicën e rasteve si histori personale, përjetime, dashurie, dhimbjeje. Ata pasi lindnin, përhapeshin në qytet nga grupet e ahengegjijve që I këndonin nëpër dasma apo raste gëzimi dhe njerëzit ishin kureshtarë të dëgjonin këngën e re, e cila menjëherë kalonte gojë më gojë nëpër qytet.

Disa herë këto këngë përcillnin tek dëgjuesit edhe emra personazhesh të cilët janë bërë objekt diskutimi për vërtetësinë e tyre, nëse kanë jetuar realisht apo jo.

Ndërkohë me fillimin e shekullit XX, në Shkodër u vu re një fenomen sa i çuditshëm,  aq civilizues dhe emancipues, pasi u bë një zhvendosje e personazheve të këngëve, nga anonimati filluan te dalin me emër e mbiemër. Më përpara, personazhet, të cilëve u kushtohej kënga, si meshkuj a femra ishin të detyruar të fshihnin identitetin, sepse ishte fanatizëm i madh. Prandaj, ai që bënte tekstin e këngës së dashurisë, duhej të tregohej i kujdesshëm, që të mos përmendte asnjëherë emrin e djalit apo të vajzës. Pra, duhej ruajtur anonimati. Por krahas civilizimit të jetës shkodrane, gjatë viteve 1880 e këtej emrat e përveëm filluan të shfaqeshin, duke u bërë këngë edhe më intriguese bashkë me historitë e tyre.

Ahengu i vjetër shkodran përmban në repertorin e tij 700 këngë, ku në shumicën e tyre janë ruajtur me fanatizëm edhe në tekst e në muzikë.

Sa i takon orkestrës me të cilën luheshin, instrument që luanin ahengegjijtë ishin: sazja, qemania (violina), dajria, etj.

Në ahengun Shkodran sazja ka patur rolin e udhëheqësit të melodisë dhe ka mbi 150 vite që ajo mbijeton bashkë me këngët e ahengut.

Në fund të shek.XIX dhe në fillim të shek. XX, krahas lëvizjes përparimtare shqiptare për liri dhe zhvillim shoqëror, në fushën e muzikės u vu re tendenca për të evidentuar nga trashëgimia muzikore popullore të gjitha ato vlera që deri më atëherë, për arsye nga më të ndryshmet, ishin penguar, denatyruar ose nxjerrë nga qarkullimi artistik muzikor. Një ndër këto ishte edhe lëvizja për çlirimin e repertorit muzikor popullor qytetar prej të gjitha atyre ndikimeve muzikore, të cilat gjendeshin në të.

Muzikantët që u përfshinë në këtë lëvizje emancipuese u përkitnin si muzikantëve popullorë, ashtu dhe atyre profesionistë, të cilët sapo kishin hedhur hapat e parë në këtë fushë.

Si kulminacion i kësaj lėvizjeje mund të konsiderohet ngritja në Shkodër, në mesin e shek. XIX, e shoqërisë për pastrimin e ahengut nga orientalizmat. Vëmendja e këtyre muziktantëve reformatorë u pėrqendrua kryesisht mbi evidentimin e atij repertori të muzikës popullore qytetare i cili, tradicionalisht, nuk ka qenë përcjellë me vegla muzikore, por vetëm është kënduar “a capela”.

Dasma shkodrane nga Kole idromeno - foto kult plus

Dasma shkodrane nga Kole idromeno - foto kult plus

Ky orientim për nga kjo pjesë e kulturës muzikore qytetare shkodrane ishte njė kthim në origjinën e vjetër të këngës qytetare shqiptare.

Kjo gjë ishte vënë re edhe vetë nga muzikantët e ahengut, të cilët në dasmat që merrnin pjesë, vërenin me vëmendje se pjesa më e madhe e qytetarëve shkodranë këndonin mjaft këngë dhe valle tė tjera popullore pa shoqërim orkestral. Kjo pjesë e rëndėsishme e muzikės qytetare shkodrane, që përfshin që nga këngët e ceremonialit të dasmës shkodrane, këngët e fëmijëve, ninullat, vallet e kënduara si dhe këngët e shtregullave, ka luajtur një rol parësor, shumë të rëndësishëm referencë, për t’u bërë më pas pjesë e reformuar e ahengut shkodran në shekullin e ri.

Rol të veçantë në përhapjen e këngëve të reja të ahengut, këngë të cilat përfaqësonin çlirimin nga ngjyrimi oriental luajti edhe regjistrimi në disqe gramafoni i këngëve të ahengut. Në vitin 1903, muzikantët e ahengut shkodran Shtjefën Jakova, Xhoxhi i Preçit, Gjon Shahiri dhe Filip Koleka, kanë qenë ata të cilët regjistruan të parët këngët e ahengut në pllakat e gramafonit. Ishte vetë populli i cili i mirëpriti këto ndryshime në strukturën e këngëve. Në këtë vazhdë do të përmendim edhe kontributin e shumë muziktantëve, të cilëve u njihet autorësia e shumë këngëve popullore të ahengut shkodran të kėsaj periudhe, si: Hasan Preza, Ndrekë Vogli, Shtjefën Jakova, Paulin Pali, Karlo Pali, Bejto Halili, Marku i Kranjanes, Kolë Vjerdha, Rud Gurashi, Shefqet Kruja, Alush beqari, Gjon Kraja, Hysen Dobraçi, etj.

Ky proces vazhdoi edhe pas viteve 50 tė shek. XX me krijimet e kompozitorėve si Prengë Jakova, Çesk Zadeja, Pjetër Gaci, Simon Gjoni, Tish Daija, Zef Çoba etj, të cilët vazhduan të lëvrojnë me sukses muzikën qytetare shkodrane.

Neritana Kraja