PBB-ja e Kinës u rrit 3 % vjet, pavarësisht sfidave
2023-01-17 17:36:27

Foto: VCG

Prodhimi i brendshëm bruto (PBB) i Kinës u rrit vjet me 3 për qind krahasuar me vitin 2021, duke arritur në 121.02 trilionë juanë (17.93 trilionë dollarë), me gjithe presionet e ndryshme mbi rritjen, treguan të dhënat e publikuara të martën nga Zyra Kombëtare e Statistikave.

Kjo shifër ishte më e lartë se parashikimi prej 2.8 për qind në një sondazh të “Reuters”-it. Rritja e PBB-së në tremujorin e katërt prej 2.9 për qind gjithashtu e kaloi parashikimin prej 1.8 për qind.

Në vitin 2022, ekonomia kineze u ndesh me më shumë vështirësi dhe sfida sesa pritej, në sfondin e një situate komplekse të brendshme e të jashtme. Megjithatë, Zyra Kombëtare e Statistikave vuri në dukje se rritja ekonomike u stabilizua pas marrjes së masave të ndryshme.

Vjet prodhimi industrial u shtua 3.6 për qind krahasuar me vitin 2021, ndërsa shitjet me pakicë u ulën me 0.2 për qind. Investimet në pasuri fikse u rritën 5.1 për qind, me një shtim prej 9.1 për qind të investimeve në sektorin e prodhimit, por me një rënie prej 10 për qind në investimet në prona.

Në Kinë u krijuan 12.06 milionë vende të reja pune në rajonet urbane gjatë vitit të kaluar, duke e kaluar objektivin prej 11 milionë, dhe zyrtarët kanë theksuar rëndësinë e vazhdimit të politikës “punësimi i pari” në vitin 2023.

Vëllimi i përgjithshëm i shitjes me pakicë të mallrave të konsumit mbeti i qëndrueshëm në rreth 44 trilionë juanë gjatë vitit 2022, pavarësisht nga ringjallja e epidemisë. Vetëm shitjet me pakicë në internet të produkteve fizike arritën në 12 trilionë juanë.

"Kina është ende tregu i dytë më i madh në botë i konsumit dhe tregu më i madh i shitjeve me pakicë në internet. Ajo ruan ende epërsitë e dukshme të një tregu super të madh," tha në një konferencë shtypi kreu i Zyrës Kombëtare të Statistikave Kang Yi.

Autoritetet kineze janë zotuar të përqendrohen në stabilizimin e ekonomisë në vitin 2023 dhe ta vendosin rritjen e konsumit si një përparësi ekonomike.

Më 8 janar, Kina lehtësoi më tej politikat e administrimit të COVID-19, duke rritur besimin e biznesit. Ekonomistët e UBS-it parashikojnë që ekonomia kineze do të rritet 4.9 për qind këtë vit, ndërsa “Morgan Stanley” e ka ngritur parashikimin e vet në 5.7 për qind. (Çang Çuo)