Makinat dhe motorët elektrikë kinezë fitojnë terren në rrugët kubane
2023-01-17 17:02:58

Foto:(Facebook / AEI VEDCA )

Foto:(Facebook / AEI VEDCA )

Mijëra kubanë në të gjithë vendin kanë filluar të përdorin makina dhe motorë elektrikë kinezë, mes mungesës së karburantit dhe sanksioneve ekonomike të SHBA-së, të cilat i kanë dhënë një goditje të rëndë sistemit të transportit të ishullit.

Për të rritur praninë e mënyrave elektrike të transportit personal në rajon, Grupi Industrial dhe Tregtar i Kinës “Tianjin Dongxing”, së bashku me kompaninë shtetërore kubane “Minerva”, krijuan “Caribbean Electric Vehicles” (VEDCA), një ndërmarrje e përbashkët që ka fituar shpejt tregun e ishullit, përcjell “Xinhua”.

Rreth 15 km në perëndim të Havanës, “VEDCA” ka ndërtuar një fabrikë makinash elektrike dhe skuterësh që mbulon një sipërfaqe prej 9000 metrash katrorë dhe ka punësuar rreth 60 punëtorë.

Statistikat zyrtare treguan se që nga marsi 2019, “VEDCA” ka prodhuar 2500 motorë elektrikë, 1500 triçikleta elektrike dhe produkte të tjera që arrijnë me shitje në 6 milionë dollarë amerikanë.

Kjo është sipërmarrja e parë e përbashkët e këtij lloji midis Kinës dhe Kubës, deklaroi për “Xinhua” Wei Yunpu, drejtor i kompanisë kineze.

Sipas tij, makinat elektrike janë miqësore me mjedisin dhe do të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve që lidhen me mirëmbajtjen.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

“Fabrika është një burim i ri punësimi, i cili do të kontribuojë shumë në mirëqenien e një numri familjesh kubane”,- deklaroi drejtori i përgjithshëm i “VEDCA”, Julio Oscar Perez.

Në vitin 2023, sipërmarrja e përbashkët synon të rrisë prodhimin në 10.000 motorë elektrikë dhe 10.000 triçikle elektrikë, përveç fillimit të montimit të 500 motorëve me katër rrota.

“Cilësia e prodhimit është përparësia jonë kryesore. Ndihem krenar që jam pjesë e kësaj sipërmarrjeje”,- tha Reinaldo Manuel Luis, një punëtor në fabrikë. (Irma)