Deklarata e ministrit britanik/ MEPJ notë verbale ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar
2023-01-17 17:21:45

Ministria e Jashtme (Foto Ministria per Europen dhe Punet e Jashtme)

Ministria e Jashtme (Foto Ministria per Europen dhe Punet e Jashtme)

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, i ka dorëzuar ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Alastair King Smith, një notë verbale, pas deklaratave të ministrit britanik të Shtetit për Emigrimin, Robert Jenric, sipas së cilit emigrantët shqiptarë po kthehen në kriminelë të rrezikshëm dhe arsyen e problemeve të Britanisë së Madhe.

Në notën verbale, ministrja Xhaçka e konsideroi gjuhën e përdorur nga ministri britanik si diskriminuese, duke shtuar se kjo retorikë cenon frymën e bashkëpunimit bilateral të konfirmuar nga kryeministrat e të dy vendeve, përcjell “RTSH”.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme kërkon shmangien e kësaj gjuhe urrejtjeje dhe diskriminimi dhe vijimin e dialogut dhe bashkëpunimit konstruktiv, për të vënë në jetë angazhimet e ndërmarra së bashku si dy vende demokratike, partnere e aleate në organizmat ndërkombëtare. Vendet tona janë angazhuar përmes Deklaratës së Përbashkët që të nxisin më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit në një gamë të gjerë fushash me fokus rininë, inovacionin, turizmin, arsimin dhe investimet strategjike të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri”, thuhet ndër të tjera në notën verbale të Ministrisë shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme. (Irma)