Sondat kineze dhe europiane të Marsit ndihmojnë në zbulimin e asaj se çfarë ndodh pranë Diellit
2023-01-17 18:16:30

Foto: VCG

Orbituesi i Marsit “Tianwen-1” i Kinës, së bashku me atë të Agjencisë Evropiane të Hapësirës “Mars Express”, i kanë ndihmuar shkencëtarët globalë të dinë më shumë për atë që ndodh pranë Diellit.

Zbulimet e tyre u publikuan së fundmi nga më shumë se gjashtë institute kërkimi nga Kina, Australia dhe Evropa në revistën shkencore “Astrophysical Journal Letters”. Ato do t’i ndihmojnë kërkuesit të studiojnë mjedisin pranë Diellit dhe ndikimin e tij në komunikimin në hapësirën e thellë, sipas autorëve.

Nga fundi i shtatorit deri në mes të tetorit të 2021, orbituesi “Tianwen-1” përjetoi për herë të parë të ashtuquajturin “bashkim diellor”, kur Toka dhe Marsi lëvizën në anët e kundërta të Diellit dhe të tre trupat qiellorë ishin pothuajse në një vijë të drejtë.

Gjatë asaj periudhe kohore, komunikimi midis sondave të Marsit dhe Tokës pati probleme të ndjeshme nga rrezatimi diellor. “Tianwen-1” dhe “Mars Express” dërguan sinjale të shpeshta, duke u mundësuar më shumë se dhjetë radioteleskopëve në shumë vende në Tokë për të shqyrtuar se si u ndikuan këto sinjale.

Sipas studimit, më 9 tetor 2021, kur pika e projektimit e Marsit pranë Diellit ishte 2.6 rreze diellore larg qendrës së Diellit, një ngjarje shpërthimi diellor, e quajtur shpërthim masiv koronar (CME), shkaktoi shqetësime të dukshme të radiosinjaleve nga “Tianwen-1” dhe “Mars Express” për një periudhë prej 10 minutash.

Gjithashtu, valët koronare u zbuluan pranë pikës së projektimit, një dukuri që pasqyron se si fushat magnetike kufizojnë erërat diellore, sipas studimit.

Shkencëtarët identifikuan gjithashtu erën diellore parësore me shpejtësi të lartë kur CME po mbaronte. Era diellore me shpejtësi të lartë u zbulua shumë më pranë Diellit sesa pritej, sipas studimit.

Misioni i Kinës në Mars “Tianwen-1”, që përfshin një orbitues, një zbritës dhe një rover, ka nisur më 23 korrik 2020.