Sondazh i Forumit Ekonomik Botëror: Recesioni ekonomik global i mundshëm në vitin 2023
2023-01-17 15:08:08

Foto:VCG

Foto:VCG

Dy të tretat e kryeekonomistëve nga sektori privat dhe publik presin një recesion global në vitin 2023, sipas një sondazhi të publikuar të hënën në Forumin vjetor Ekonomik Botëror (WEF) në Zvicër.

Ekonomistët e anketuar parashikojnë shtrëngime të mëtejshme monetare në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë këtë vit, si dhe shohin se tensionet gjeopolitike vazhdojnë të formësojnë ekonominë globale, përcjell “Xinhua”.

Rreth 18 për qind e të anketuarve, më shumë se dyfishi i numrit në sondazhin e mëparshëm në shtator 2022, e konsideruan një recesion botëror jashtëzakonisht të mundshëm. Vetëm një e treta e tyre e panë si të pamundur këtë vit.

Sondazhi i WEF-së u bazua në 22 përgjigje nga një grup ekonomistësh të lartë të agjencive ndërkombëtare, duke përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar, bankat e investimeve dhe grupe risigurimi.

Foto:VCG

Foto:VCG

Sipas një deklarate të WEF-së mbi sondazhin, kishte një konsensus të fortë se perspektivat për rritje në 2023 janë të zymta, veçanërisht në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Të gjithë kryeekonomistët e anketuar presin rritje të dobët ose shumë të dobët në vitin 2023 në Evropë, ndërsa 91 për qind presin rritje të dobët ose shumë të dobët në Shtetet e Bashkuara.

Kjo shënon një përkeqësim që nga deklarata e fundit kur shifrat përkatëse ishin 86 për qind për Evropën dhe 64 për qind për Shtetet e Bashkuara.

Nëntë nga 10 të anketuar presin që si kërkesa e dobët ashtu edhe kostot e larta të huamarrjes të rëndojnë mbi firmat, me më shumë se 60 për qind që tregojnë gjithashtu kosto më të larta të inputeve.

Këto sfida pritet të çojnë bizneset shumëkombëshe në uljen e kostove, me shumë kryeekonomistë që mendojnë se firmat duhet të reduktojnë shpenzimet operacionale. (Irma)